E enjte, 18 Gusht, 2022

300 PILOTËT

Në vend të talljes dhe cinizmit, partitë që përbëjnë qeverinë e Maqedonisë së Veriut duhet të rikthehen në atë që kanë premtuar në 2016-ën dhe të rikujtojnë se me çfarë zotimesh i kanë marrë votat.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2016 LSDM-ja gjoja paska premtuar se në Komunën e Haraçinës do të implementojë “300 pilot-projekte”. Por, disa nga banorët e kanë dëgjuar vetëm fjalën “pilot” dhe, duke u nisur nga fakti se vendi po bëhet pjesë e NATO-s, mbase edhe është krijuar një lloj baze për t’i besuar këtij premtimi.

Në ditët e kaluara ky lajm, që u dha nga një banor në emisionin Click Plus në Tv21, u bë burim i shakave dhe të qeshurave në rrjetet sociale. U krahasua me fillim “300 spartakët”, i bazuar në një histori të vërtetë. Qindra ushtarë (historia thotë 7000) të mbretit Leonidas kishin marshuar drejt Termopilas, një vend bregdetar afër Athinës së sotme, për të luftuar me 150 mijë ushtarët e persisë së fuqishme që kishte pushtuar Lindjen në vitin 450 para erës sonë. Pas dy ditësh luftime, një pjesë e mirë e ushtarëve e tradhëtojnë Leonidasin, i cili ngelet vetëm me 300 ushtarë, të cilët në fakt kanë qenë vetëm garda e tij. Ata luftojnë deri në vdekje, e më pas të gjithë grekët e lashtë mobilizohen që të dëbojnë Persianët nga vendi i tyre.

Përveç numrit nuk ka asgjë të përbashkët midis 300 pilotëve dhe 300 spartakëve, por ka një simbolikë që duhet ta shqetësojë jo vetëm liderin e LSDM-së, kryeministrin Zoran Zaev, por edhe Ali Ahmetin e BDI-së, Ziadin Selën e ASH-së apo Hristijan Mickovskin e VMRO-DPMNE-së. E ajo është pikënisja e rënimit politik nga një premtim i pabazë për “300 pilot-projekte”, njëjtë si mposhtja e mbretit të Persisë në Termopilas nga 300 spartakët.

Në vend të talljes dhe cinizmit, partitë që përbëjnë qeverinë e Maqedonisë së Veriut duhet të rikthehen në atë që kanë premtuar në 2016-ën dhe të rikujtojnë se me çfarë zotimesh i kanë marrë votat. Përçmimi i votuesve që i kanë besuar ato premtime, gjithësesi joreale, mund të sjellë shumë të papritura e befasi në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. /KDP

Të fundit