E enjte, 1 Dhjetor, 2022

Robelli: Zgjedhjet pritet t’i japin fund aleancave të panatyrshme

Sistemi politik në Kosovë nuk është stabil dhe aleancat e deritanishme e kanë zhytur vendin në korrupsion, por zgjedhjet e 6 tetorit pritet ta ndryshojnë këtë realitet. Gazetari Enver Robelli i sheh këto zgjedhje si mundësi për një qeverisje të re, pasi sipas tij, “LDK dhe LVV e kanë një shans të vijnë në pushtet duke lidhur koalicion”.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor. Si i shihni këto zgjedhje? Çfarë parashikojnë sondazhet? Cili kandidat është favorit për t’u ulur në karrigen e kryeministrit të ri të Kosovës?

Zgjedhjet e parakohshme janë bërë diçka e zakonshme në jetën politike të Kosovës. Asnjë qeveri e postpavarësisë nuk e ka mbaruar mandatin. Kjo tregon se sistemi politik nuk është aq stabil për shkak se shumica e partive politike, sidomos këto që quhen “krahu i luftës”, janë zhytur thellë në korrupsion, krim e intriga, të cilat Kosovën e kanë futur në qorrsokak. Mbajtja e pushtetit për këto parti është shndërruar në qëllim në vetvete.

Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme, rrjedhimisht edhe këto. Gara do të jetë e ngushtë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Vetëvendosjes (LVV). Varësisht cila parti do të dalë e para, do të dihet se kush do të marrë mandatin për krijimin e qeverisë. Në Kosovë viteve të fundit janë lidhur koalicione aq të çuditshme dhe të panatyrshme, saqë të kujtojnë një poezi të poetit argjentinas Juan Gelman, i cili shkruan: “Kush do ta kishte marrë me mend se viçi do të martohet me kasapin?” dhe “Kush do ta kishte marrë me mend se pëllumbi do të martohet me skifterin, dyshimi me mirësinë, i plaçkituri me plaçkitësin?”

LDK dhe LVV e kanë një shans të vijnë në pushtet duke lidhur koalicion. A do të bëhet kjo? Shumë faktorë do të luajnë rol: egot e krerëve të partive, sabotimet nga partitë e krahut të luftës, por me gjasë kësaj radhe faktori ndërkombëtar, pra ambasadat e shteteve me ndikim, nuk do të ndërhyjnë si në të kaluarën në krijimin e qeverisë. Në Departamentin e Shtetit ka një fraksion diplomatësh me ndikim që nuk shohin ndonjë problem që pjesë e qeverisë të jetë Vetëvendosje. Partia Demokratike e Kosovës dhe mediat e saj janë përpjekur ta frikësojnë opinionin me gënjeshtrën se prijësi i VV-së, Albin Kurti, na qenkësh antiamerikan. Antiamerikan ai që e reciton përmendsh esenë ‘Mbi demokracinë në Amerikë’ të Alexis de Tocqueville dhe ai që i njeh edhe grupet e rrokut nga provinca amerikane dhe beson në idealet më të larta të përfaqësuara nga presidentët themeltarë të Amerikës?

Çfarë e karakterizoi fushatën zgjedhore, të kandidatëve kryesorë, cili është profili që krijuan në publik pretedentët për kryeministër? Ishte vetëm një fushate agresive apo kishte dhe platforma reale për zgjidhjen e problemeve kryesore me të cilat përballet Kosova, si ajo e një marrëveshje me Serbinë, integrimi, etj.?

Në fushatë si përherë kishte shumë retorikë boshe. Por së paku nuk pati premtime të marra si më 2017 kur një parti thoshtë do të hapë 120 mijë vende të punës, ndërsa tjetra ngutej e thoshte: ne do i hapim 200 mijë. Partia Demokratike e Kosovës, e cila mund të quhet parti-shtet, u përpoq të etablohet si parti që lufton korrupsionin. Kjo është absurde kur të merret parasysh se PDK konsiderohet si ideatorja e sistemit kleptokratik kosovar, një sistem që vetëushqehet nga resurset e shtetit me korrupsion, ryshfet e vjedhje nga bakllavaja e tenderëve. LDK dhe VV duken më realiste, por duhet pritur testin e realitetit. Po e theksoj: duken! Mbetet të shihet nëse këto parti vërtet do të punojnë në funksionalizimin e shtetit, që nënkupton një pastrim të madh nga korrupsioni.

Ramush Haradinaj me Aleancën e tij për Ardhmërinë e Kosovës u përpoq të luajë rolin e një patrioti që e ndëshkoi Serbinë me tarifa ndaj prodhimeve serbe. Por si shpjegohet që po ky Haradinaj takon Millan Radojçiqin, një person që konsiderohet sundimtar i nëntokës në veri të Kosovës? Si shpjegohet që partneri i deritanishëm i koalicionit i Haradinajt, biznesmeni i shumëpërfolur Behgjet Pacolli takohet në një jaht në Budvë të Malit të Zi me Millan Radojçiqin? Të mos flasim këtu pastaj për qeverinë e Haradinajt me 21 ministri e mbi 80 zëvendësministra, kjo edhe për Kinën është tepër e lëre më për Kosovën e vogël sa një lagje e Pekinit.

Kosova gjendet para vështirësive të mëdha. Tashmë është hapur kutia lidhur me ndryshimin e kufinjve. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq në bisedime do të kërkojë të marrë veriun e Kosovës dhe do të insistojë që këtë ofertë atij ia ka bërë vetë presidenti i Kosovës. Dhe ia ka bërë! Me hapjen e kësaj teme dëmi tashmë është shkaktuar. Kosova do të gjendet nën presion ose për të pranuar t’i dhurojë territor Serbisë, ose të përpijë një autonomi të gjerë të serbëve në Kosovë, një lloj bombe me sahat. Këtë autonomi e patën pranuar veçanërisht dy partitë e mëdha PDK dhe LDK, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen. Njëra alternativë është murtaja, tjetra kolera.

Si të gjitha vendet e Europës Juglindore edhe Kosova po tkurret: shumë njerëz po largohen në kërkim të një të ardhmeje më të mirë në vendet perëndimore. Ky trend vështirë se do të ndalet, sepse papunësia vazhdon të jetë e madhe, por edhe dëshpërimi. Nga sistemi shkollor dalin mijëra juristë, ekonomistë e politilogë, të cilët nuk mund t’i absorbojë administrata, andaj ose punojnë kamerierë (nëse kanë fat), ose ikin diku në Perëndim.

Në garë është edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, dorëheqja e të cilit shkaktoi këto zgjedhje të parakohshme, a mund të fitojë ai një mandat të ri si kryeministër pas qëndrimeve që ka mbajtur për marrëdhëniet me Serbinë dhe kundërshtimit për ndryshimin e kufinjve?

Mendoj se Kosova nuk ka më nevojë që Ramush Haradinaj ta lumturojë me qeverisjen e tij.

Pavarësisht emrit që do të jetë kryeministër, me çfarë sfidash do të përballet qeveria e re që do të dalë nga këto zgjedhje?

Dialogu me Serbinë është një tunel, të cilit nuk i dihet fundi. Administrata e presidentit Donald Trump është e përçarë. Departamenti i Shtetit është më i kujdesshëm sa i përket temës së ndryshimit të kufinjve, një fraksion në Shtëpinë e Bardhë ka qasje disruptive, domethënë: pranohet çdo zgjidhje për të cilën pajtohen palët dhe nuk përjashtohet rrudhja territoriale e Kosovës. Tani kemi dy të dërguar të posaçëm për rajonin: diplomatin Mattheë Palmer, i cili ka përvojë në rajon, dhe antidiplomatin Richard Grenell, i përshkruar nga mediat gjermane si ambasadori më i dobët që Amerika ka pasur ndonjëherë në Berlin, por ai është i përkëdheluri i Trumpit. Grenell është takuar para disa muajsh në Berlin me kryetarin e Kosovës për të diskutuar detaje rreth planit për ndryshimin e kufijeve.

A do të kemi surpriza në krijimin e qeverisë, në krijimin e aleancave të reja, apo pritet të rikthehen aleancat e vjetra që kanë mbajt deri më sot pushtetin?

Mund të ketë, por zemërimi publik kësaj radhe do të jetë edhe më i madh nëse krijohet një qeveri me pjesëmarrjen e PDK-së dhe AAK-së. /Mapo

Të fundit