E martë, 6 Dhjetor, 2022

REUTERS SHPALOS VENDIMIN E BE-së: TENSION NË BRUKSEL PËR SHKUPIN DHE TIRANËN

Gjermania ka propozuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut para fundit të këtij viti dhe dakordimin në parim për fillimin e procesit për Shqipërinë, por pa caktuar një datë të saktë përpara se Tirana të përmbushte më shumë kushte, njofton Reuters, përcjell KDPOLITIK.COM.

Plani, i paraqitur vendeve të BE-së këtë javë para se ministrat e bllokut 28-anëtarësh ta diskutojnë atë në mes të tetorit, është një kompromis i mundshëm për ata në BE që përpiqen t’i afrojnë vendet e Ballkanit drejt anëtarësimit, por përballen me rezistencën nga Franca, Hollanda dhe Danimarka.

BE duhej të binte dakord për bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në 2018 dhe pastaj përsëri në qershorin e kaluar. Por vendimi u vonua në mënyrë të përsëritur mes mosmarrëveshjeve të nxehta të brendshme pasi grumbullohet edhe me Brexit-in, largimin e parë të një anëtari.

Më shumë se një duzinë shtete të BE-së po bëjnë shumë përpjekje për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet nga një rajon që qëndron në pragun e Unionit dhe është thellësisht i trazuar nga luftërat e viteve 1990.

Ata paralajmërojnë për një prani të mprehtë ruse, kineze dhe turke në rajon dhe, vonë të enjten, morën mbështetje të përtërirë nga zyrtarë të lartë të BE në Bruksel.

“Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhje strategjike,” thuhet në një letër të përbashkët të kreut të ri të Parlamentit Evropian, David Sassoli, kryetarit në largim të samiteve të liderëve të BE-së, Donald Tusk dhe kryetarit të ardhshëm të Komisionit Ekzekutiv të fuqishëm të bllokut, Ursula von der Leyen. “Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet.”

Por shtetet e pasura të BBE-së në krye me Francën kërkuan së pari reformat në bllok dhe arritje të një uniteti për sfidat e migracionit.

Opozita e mëparshme e Gjermanisë është heshtur pasi Bundestagu muajin e kaluar votoi në favor të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka shtyrë këtë vendim para se ta lë postin e saj.

Një draft i vendimit të 15 tetorit të ministrave të BE-së, i cili u pa nga Reuters, thotë: “Në dritën e përparimit të arritur në reformat … (BE) vendos të hap negociatat e pranimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut.”

Aty shtohet se të ashtuquajturën “konferencë ndërqeveritare”, ose takimin fillestar aktual, ku vendi që aspiron dhe zyrtarët e BE-së mblidhen së bashku, “duhet të zhvillohet deri në fund të vitit 2019.”

Të njëjtat fjalë ishin përgatitur edhe për Shqipërinë. Por – ndërsa BE-ja duartrokit zgjidhjen historike të emrit midis Shkupit dhe Athinës, e cila për shumë vite bllokoi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë – shumë në BE janë të shqetësuar thellësisht për rekordin e korrupsionit të Tiranës.

Pas votimit në Berlin, Gjermania bëri një propozim të ri, konfidencial për në BE, i cili u pa edhe nga Reuters.

Ndërsa e la pjesën e pandryshuar në Maqedoninë e Veriut, ajo nuk dha datë për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, në vend të kësaj propozoi një listë me më shumë reforma që do të bëheshin nga Tirana para se të mund të zhvillohej një takim i tillë.

Ato shkojnë nga ngritja e gjykatave në Shqipëri deri tek rregullimi i ligjeve zgjedhore deri në krijimin e një organi të përkushtuar kundër korrupsionit.

“Nëse kjo mund të kalojë vërtet varet nga Franca”, tha një diplomat i BE.

Ata që e ndjekin çështjen në Bruksel thonë se të dërguarit francezë kanë transmetuar se Presidenti Emmanuel Macron nuk do ta ndërrojë mendjen.

Në Hollandë, një debat parlamentar mbi këtë çështje do të bëhet jo më shpejt se 15 tetor. Disa në Bruksel tashmë presin që diplomatët holandezë të refuzojnë çdo vendim gjatë takimit ministror të BE në Luksemburg në të njëjtën ditë.

Vendimi për të filluar bisedimet e pranimit kërkon unanimitet të të gjitha shteteve të BE-së dhe Haga ka qenë më pozitive për Maqedoninë e Veriut në të kaluarën, ndërsa kundërshtoi bisedimet me Shqipërinë.

Nëse ministrat e BE nuk arrijnë të bien dakord përsëri, çështja mund të përshkallëzohet në samitin e liderëve kombëtar më 17-18 Tetor në Bruksel.

“Atëherë do të ishte e nevojshme që Merkel të bindë Macron, nëse është e mundur,” tha një diplomat i lartë.

Disa në Bruksel presin që Franca të kërkojë edhe më shumë kushte nëse Parisi përfundimisht të pranojë propozimin gjerman. Një kompromis tjetër i mundshëm do t’i jepte dritën e gjelbër Maqedonisë së Veriut, por jo Shqipërisë.

Të fundit