E martë, 29 Nëntor, 2022

ALARMI I POMPEOS PËR RREZIKUN NGA RUSIA DHE KINA

Nëse Powell ishte i shqetësuar për dhunën në Ballkan, Pomepo sot ndezi alarmin për rrezikun e ndikimeve të dëmshme nga Lindja, qëllimi i të cilave është pengimi i lidhjes së vendeve të Ballkanit me Perëndimin.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Në prill të vitit 2001 për herë të parë në Maqedoninë e Veriut zbarkoi një funksionar i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Bëhej fjalë për gjeneralin Colin Powell, njeriun më të besuar të ish-presidenti George Bush i riu. Ai erdhi në një kohë shumë të rëndësishme për vendin dhe rajonin – në vlugun e një konflikti ndëretnik, i cili rrezikonte të përhapej edhe një pika tjera të nxehta të Ballkanit.

“Dhuna nuk do të funksionojë”, ishte mesazhi i Powel pas takimeve pas dyerve të mbyllura me kreun shtetëror e politik në Shkup, Prishtinë dhe Sarajevë.

Pas 18 viteve, në këtë vend të vogël ballkanik me 2 milionë banorë, sërish zbarkon një tjetër sekretar shteti. Është Mike Pompeo i cili gjatë ditës së premte realizoi një vizitë të rëndësishme në një rajon turbulent, ku ndeshen interesat e disa aktorëve rajonale e globalë të politikës.

Për dallim nga Powell, i cili diskutonte praninë e forcave paqeruajtëse amerikane në vendin e përfshirë në konflikt, Pompeo erdhi në prag të anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së V. në NATO dhe praninë e ushtrisë së saj në misione paqeruajtëse në Lindjen e Largët. Një ndryshim i madh pozitiv: për më pak se dy dekada nga konsumues i sigurisë, vendi u shndërrua në garantues të saj.  Për më tepër, vlerësohet se ky përparim do t’i sjellë Maqedonisë së V. një progres edhe më të madh pasi që edhe formalisht të jetë anëtare e 30-të e Aleancës Veri-atlantike.  “Jam i bindur që Senati amerikan do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit këtë vjeshtë në mënyrë që edhe zyrtarisht t’ju përfshijmë në ekipin e NATO-s”, tha sekretari i shtetit amerikan.

Pompeo takoi presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev me të cilët diskutoi zgjerimin dhe forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me Perëndimin.

“Ndikimi malinj rus dhe kinez janë rrezik për vendin”, ishte mesazhi i tij pas takimit me kreun shtetëror në Shkup. “Demokracitë e forta gjithashtu duhet t’u përgjigjen shqetësimeve të publikut dhe të marrin masa të forta për t’u rezistuar dhe për t’u mbrojtur nga ndikimeve malinje. Zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet të udhëheqin vendin tuaj përpara, jo veprimet e dëmshme të Rusisë në mediet sociale”.

Nëse Powell ishte i shqetësuar për dhunën në Ballkan, Pomepo sot ndezi alarmin për rrezikun e ndikimeve të dëmshme nga Lindja, qëllimi i të cilave është pengimi i lidhjes së vendeve të Ballkanit me Perëndimin. Rusia ka shtuar praninë në Maqedoninë e V. që nga kriza e fundit politike në vitin 2015, duke paralajmëruar vendin se anëtarësimi në NATO do ta shndërroje këtë copë të vogël territori në një cak legjitim të Rusisë. Këtë gjatë vitit të kaluar e tha hapur ish-ambasadori rus Oleg Shchebak. Edhe pse prania ekonomike ruse në Maqedoni është minore në krahasim me vendet e Perëndimit, Moska megjithatë arrin të ketë një ndikim të madh duke shfrytëzuar lidhjet religjioze dhe kulturore me etninë maqedonase. Në këtë kontekst një rol të madh propagandistik luajnë edhe “botet ruse në mediat sociale”, të cilët i përmendi Pompeo, e që influencojnë publikun e mediave të reja me ideologji anti-perëndimore. Penetrimi i thellë i Rusisë në institucionet shtetërore, organizatat e ndryshme dhe në sferën e kulturës duket se do risin edhe më shumë fokusin amerikan në Maqedoninë e V. dhe në rajon, hapësira që karakterizohen me prekshmëri të lartë kur bëhet fjalë për sigurinë.

Kina, ndërkaq, nuk kërcënon interesat e perëndimit në rrafshin politik por në atë ekonomik. Për shkak të fuqisë së lirë të punës, pozitës së mirë për depërtim dhe prani më të fuqishme në tregun e madh evropian dhe sigurimin e lehtë të favoreve nëpërmjet korruptimit të bartësve të funksioneve shtetërore, Kina është duke rritur përnjëherë praninë e saj ekomomike në Ballkan. Afër 5 miliardë dollarë investime janë të koncentruar në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e V. dhe Bosnjë e Hercegovinë. Shqetësimi i Perëndimit është se investimet kineze nëpërmjet kreditimit vetëm se risin borxhin publik të shteteve ballkanike, të cilat më pas mund të bëhen të varura nga Kina edhe në aspektin politik. Aq më tepër kur investimet Kineze kanë filluar të depërtojnë edhe në sferën teknologjike, nëpërmjet ndërtimit të rrjeteve 5g, siç është rasti në Serbi.

Se SHBA po shtojnë praninë në Ballkan nuk është tregues vetëm vizita e sekretarit Pompeo. Pas zgjidhjes së problemit të emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë është misioni i radhës për të stabilizuar Ballkanin. Pas caktimit të Matthew Palmer për të dërguar të posaçëm në Ballkan, presidenti Donald Trump emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard A. Grenell, për përfaqësues në bisedimet prishtinë-Beograd, që pritet të intensifikohen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë. Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga muaji maj i vitit të kaluar. Ai është ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme. Ambasadori Grenell, ka qënë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm. Ai mban gradën Master për Administratën Publike nga universiteti i Harvardit. /KDP

 

Të fundit