E enjte, 1 Dhjetor, 2022

Rikthimi i armikut të fjetur të demokracisë 

Qeveria e popullit, nga populli për popullin – është një nga fjalimet më të njohura të presidentit amerikan Abraham Lincoln, që në mënyrën më sublime përshkruan se çka nënkupton një qeveri demokratike e cila rrjedh prej zgjedhjeve të lira, fer dhe konkurruese. Për ta bërë zgjedhjen e duhur, qytetarët duhet të kenë informacion të bollshëm dhe të saktë dhe përmes tij të vendosin se kujt do t’ia besojnë mirëqenien e tyre. 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Komunikimi i këtij informacioni ndryshoi rrënjësisht me masivizimin e internetit dhe mediat tradicionale dalëngadalë humbën terren karshi tij. Goditja përfundimtare erdhi me rrjetet sociale online të cilat zëvendësuan, pothuajse plotësisht, mediat e shkruara dhe gjithnjë e më shumë i sfidojnë mediat televizive. Fillimisht, rrjetet sociale u panë si revolucion teknologjik i cili i dha dukshëm hov mendimit të  lirë, e decentralizoi atë duke ju dhënë zë individëve të papërfaqësuar e që nxiti një valë të re të demokratizimit, posaçërisht në vendet diktatoriale të cilat e shtypnin lirinë e shprehjes. Dhe gjithçka ishte mirë deri në momentin kur ky revolucion nuk u kthye për ti ngrënë bijtë e tij. Një armik i fjetur i demokracisë e nuhati këtë mundësi dhe u rikthye për ta sabotuar përmes vlerave të vetë demokracisë.

Përplasja ideologjike e luftës së ftohtë mes demokracisë dhe komunizmit u zhvillua kryesisht përmes luftërave të tërthorta mes SHBA-ve dhe BRSS-së, ndërkaq beteja kryesore zhvillohej përmes shërbimeve të inteligjencës. Kjo prodhoi agjenci spiunazhi të sofistikuara dhe me investime të jashtëzakonshme si në para, ashtu edhe në teknologji, kreativitet, energji, kohë dhe kapital njerëzor. 

Me përfundimin e luftës së ftohtë dhe triumfin e Perëndimit, u duk sikur demokracia liberale është në rrugën e duhur për të dominuar plotësisht sistemet politike në botë. Gjermania u bashkua, shtet e Baltikut u mëvetësuan, Evropa Lindore u demokratizua dhe u krijua një Evropë e re, një Evropë e Bashkuar ndërkohë që bashkë me sistemet diktatoriale të Bashkimit Sovjetik u neutralizua edhe KGB-ja famëkeqe, arma kryesore që përdorej kundër demokracisë. 

Në arsenalin e Masave Aktive për subverzion ideologjik, KGB-ja përsosi Dezinformacionin si vegël kryesore për ta luftuar armikun nga brenda. Dezinformimi ka për qëllim të ndryshoj perceptimin për realitetin deri në atë masë që edhe përkundër informacionit të bollshëm askush të mos jetë në gjendje për të arritur në përfundim logjik. Kjo nënkupton shtrembërimin e qëllimshëm të informacionit, lëshimin dhe shpërndarjen e tij në publik me qëllim për të mashtruar dhe manipuluar për qëllime të caktuara politike dhe ideologjike. Ndryshe nga propaganda që ka për qëllim të na bindë të besojmë një ide të caktuar, dezinformimi është përpjekje serioze që ka për qëllim të na mashtroj për ta besuar atë.

Sot, ky armik i fjetur i demokracisë është rikthyer fuqishëm në skenën globale të përplasjeve politiko-ideologjike me një emër të ri: Lajme të rrejshme! Qeveria Ruse, e udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin, një ish-agjent i KGB-së e përdor këtë vegël me mjeshtri për të avancuar interesat e tij. Përmes ndërhyrjes në fushatat zgjedhore në SHBA e Evropë, por jo vetëm, ai favorizon kandidatë të cilët do të ishin miqësor ndaj tij ose të paktën do të ishin të dëmshëm për demokracitë liberale në ato shtete. Si rezultat, sot kemi rritje të së djathtës ekstreme në nivel global, me populist inkompetent që minojnë ndarjen e pushtetit, shtetin ligjor dhe lirinë e shprehjes. 

Përmes keqpërdorimit të tragjedive njerëzore, siç është emigrimi nga vendet e krizës dhe ndarjet në baza të ndryshme, njësi të specializuara ruse siç është Agjencia për hulumtime të internetit në Shën Petersburg, prodhojnë lajme që kanë për qëllim të thellojnë edhe më tej këto ndarje. Duke përdorur sentimentin emocional nacionalist, të frikës dhe urrejtjes imponojnë një narrativ publik i cili promovon mosbesim, pasiguri dhe vë në pikëpyetje aftësinë e sistemeve demokratike për t’iu përgjigje këtyre sfidave. 

Por qëllimi final qëndron tek minimi afatgjatë i sistemit demokratik të qeverisjes. Nëse qytetari për të bërë zgjedhjen e duhur i nevojiten informacione të bollshme dhe të sakta, me ndërhyrjen përmes dezinformimit ai ka vetëm informacione të bollshme, por jo edhe të sakta. Kështu, qytetarët do të humbin besimin e plotë tek gazetarët, politikanët, partitë politike tradicionale, institucionet por edhe tek sistemi demokratik qeverisës. Ky mosbesim do hap rrugë për populistët dhe ekstremistët të cilët në  narrativet kundër establishmentit politik mund të përdorin pakënaqësitë dhe emocionet e qytetarëve për të kapur pushtetin dhe në plan afatgjatë ti shkaktojnë dëme të mëdha demokracisë në nivel global. Paralajmërimet janë shqetësuese, posaçërisht përsosja e teknikave për Mashtrim të thellë (DeepFake), e cila jo vetëm që manipulon me lajmin por manipulon edhe me pamjen dhe zërin e njerëzve real. 

Qeveritë e shteteve demokratike e kuptuan këtë rrezik dhe një numër i madh i tyre ndërmarrin masa konkrete për ta luftuar këtë problem. Përmes rregullimit të mediave sociale, sensibilizimit të opinionit publik, rritjes së mendimit kritik dhe edukimit mediatik të qytetarëve, aktorë relevant shoqëror përpiqen të parandalojnë, demaskojnë dhe pengojnë kampanjat e dizinformimit. Megjithatë, ky problem është larg nga zgjidhja dhe me gjasë kjo do të jetë sfida e shekullit tonë, sfidë të cilën nuk guxojmë ta humbin me asnjë kusht për hir të lirisë dhe mirëqenies tonë kolektive dhe individuale.  

Të fundit