E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

PARTI TRANSNACIONALE APO…: ÇFARË KËRKON KURTI NË MAQEDONINË E VERIUT, E ÇFARË SELA NË KOSOVË?

Por, ajo që VV mëton të arrijë është instalimi i një lëvizjeje me platformë dhe ideologji të njëjtë si ajo e VV-së në Maqedoninë e Veriut, e cila do të garonte në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. A është kjo një praktikë e njohur në botë? Çfarë pasojash nacionale por edhe rajonale mund të ketë në një vend turbulent siç është Ballkani Perëndimor? A mund të ndikojë në çintegrimin e Maqedonisë së Veriut? A mund të shihet edhe si përzierje e një shteti në punët e brendshme të nj shteti tjetër, që ndalohet me Nenin 2.7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, apo ligjit ndërkombëtar? Si mund të reagojnë ndërkombëtarët? Si mund të kuptohet nga fqinjët?

 

Analizë e KDP-së

 

Në një sallë të vogël në lagjen Karposh të Shkupit, në objektin e Kinotekës që gjendet përballë shkollës së mesme “Nikolla Karev”, më 14 shtator u mbajt tubimi i partisë Lëvizja Vetëvendosja (LVV). Lideri i saj Albin Kurti shihej i gëzuar që ky ambient ishte i stërmbushur, por e kishte të qartë se një mbështetje në Maqedoninë e Veriut nuk do të ketë gati asnjë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të parakohëshme të 6 tetorit në Kosovë.

Në fakt, që nga paraqitja e LVV së skenën publike e më pas edhe politike të Kosovës, ky subjekt gjithmonë ka mëtuar të ketë mbështetës dhe militantë edhe jashtë kufirit të shtetit ku është rregjistruar. Kurti është parë shpesh të mbajë takime e protesta në rajonet e banuara me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, apo të mbështesë lëvizje politike në Shqipëri.

Ai ka përkrahur, madje edhe ka marrë pjesë, në protestat e shqiptarëve etnikë të organizura në Maqedoninë e Veriut para vitit 2016, nga të cilat më pas lindën dy parti të reja – BESA dhe Aleanca për Shqiptarët (AA). VV mbështeti edhe kandidatin e përbashkët të këtyre partive për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, i cili vazhdon të jetë një person me ndikim te Kurti. Tani, në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Reka bashkë me BESË-n, AA dhe Aleternativën duket se ia kthejnë borxhin Kurtit. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një postim në FB ka përkrahur hapur kandidatin për kryeministër Albin Kurti.

“Ne shqiptarët kemi nevojë për ndryshim. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut gati 18 vite jetojnë në monizëm, të pashpresë, me shkolla që zbrazen çdo ditë, me të rinjë që marin rrugën e mërgimit. Shqiptarët në Kosovë në zgjedhjet e 6 Tetorit janë përpara mundësisë për të sjellë ndryshimin, për ta bërë Kosovën më të lirë, më demokratike më të drejtë, më normale. Unë s’kam dilemë se Albin Kurti dhe Vetvendosje, mund ti ofrojnë Kosovës (dhe jo vetëm) shumë më shumë nga çka kam shkruar më sipër, por kjo nuk është në dorën e Albinit tanimë. Është në dorën tuaj ta përkrahni atë më 6 Tetor”, ka shkruar Sela.

Nuk është vetëm Sela që përzihet në zgjedhjet e një shteti tjetër, apo vetëm Kurti që bën të njëjtën në Maqedoninë e Veriut. Bashkëpunime të tilla janë të njohura edhe më herët, si për shembull në zgjedhjet e vitit 2008, kur PDK-ja e Hashim Thaçit haptazi mbështeste PDSH-në e Menduh Thaçit, kurse AAK-ja e Ramush Haradinajt i jepte përkrahje të gjithanshme BDI-së së Ali Ahmetit. Pas vitit 2011 këto aleanca u ndryshuan – Ahmeti u afrua me Thaçin e Kosovës kurse Thaçi i Maqedonisë së Veriut me Haradinajn.

Por, ajo që VV mëton të arrijë është instalimi i një lëvizjeje me platformë dhe ideologji të njëjtë si ajo e VV-së në Maqedoninë e Veriut, e cila do të garonte në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. A është kjo një praktikë e njohur në botë? Çfarë pasojash nacionale por edhe rajonale mund të ketë një hap i tillë në një rajon turbulent siç është Ballkani Perëndimor? A mund të ndikojë në çintegrimin e Maqedonisë së Veriut? A mund të shihet edhe si përzierje e një shteti në punët e brendshme të nj shteti tjetër, që ndalohet me Nenin 2.7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, apo ligjit ndërkombëtar? Si mund të reagojnë ndërkombëtarët? Si mund të kuptohet kjo nga fqinjët?

Ka shumë pyetje që lindin nga këto lëzivje politike tejkufitare. Por, raste të partive transnacionale janë të njohura në botë, e sidomos në Europë, por që për bazë kanë afërsinë idologjike, por jo atë etnike.

Partitë transnacionale janë subjekte politike që kanë anëtarë dhe garojnë në zgjedhje parlamentare në më shumë se një shtet. Partia “Lista per Cipras” (Lista e Ciprasit) në zgjedhjet e fundit në Itali fitoi dy deputet, ndërkohë që është themeluar me mbështetjen e partisë greke SYRIZA të ish-kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras.

Katër parti të Irlandës – Partia e Gjelbërt, Shin Fejn, Populli para profitit dhe Partia Punëtore – janë parti që njëkohsisht garojnë edhe për Parlamentin e Irlandës së Veriut, si shtet që është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Në nivel të zgjedhjeve për Parlamentin e Bashkimit Evropian (BE) ka gjithësejt 11 parti politike evropiane të organizuara në bazë të vlerave që përfaqësojnë e që burojnë nga profilizimi ideologjik i grupeve politike në 28 vendet anëtare të Unionit. Jehona e lartë e daljes në zgjedhjet e fundit parlamentare të BE-së ka inkurajuar edhe më shumë formimin e partive transnacionale.

Në nivel global funksionon partia transnacionale Shoqëria e Vllezërisë Muslimane, apo e njohur vetëm si “Vëllezëria Muslimane”, e cila mëton ta jetësojë demokracinë në një ambient me religjionin, gjë që nuk është realitet në vendet demokratike perëndimore.

Nëse VV dhe AA, apo edhe parti tjera nga shtetet ku jetojnë shqiptarë, i bëjnë këto unione duke u bazuar eksluzivisht në specifikat etnike, atëherë është e pritshme që të ketë reagime rajonale dhe ndërkombëtare shkaku i përvojave të hidhura që kanë sjellë projektet etnike në historinë e Ballkanit. Nëse ky është një bashkim për formimin e një subjekti transnacional ideologjik, në rastin konkret i majtë (siç është VV), që do të promovonte vlerat fundamentale të social-demokracisë, atëherë do të kishte një lëvizje komplementare me vlerat evropiane. Në këtë rast nevojitet në profilizim më i qartë i partive që do të gravitonin në një lëvizje të tillë. Tani për tani as VV e as AA nuk kanë një pozicionim të qartë ideologjik, por lëzivin nga majtas-djathtas, varësisht nga temat që trajtojnë para elektoratit të tyre. /KDP

 

 

Të fundit