E martë, 29 Nëntor, 2022

AFËR DHE LARG

Kjo duket të jetë fushëpamja e pretendimit europian, që shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të kenë mundësi ta shmangin në procesin tashmë të pakthyeshëm të anëtarësimit në BE. Mengenet e Europës shkojnë përtej “aspiratave” të deklaruara të lidershpit ballkanik. Europa kërkon rezultate të prekshme ndryshimesh sistemore institucionale që prodhojnë stabilitet, normalitet demokratik dhe efektivitet në zbatimin e ligjeve që mbajnë parashenjën e rekomandimeve europiane.

Autor: Bardhyl Zaimi

Përballë klisheve dhe mendësisë ballkanike tashmë ndodhet një proces i vështirë, por shpresëdhënës. Përballë retorikave politike për përdorime të brendshme ballkanike tashmë ndodhen obligimet dhe angazhimet konkrete të cilat duhet të përmbushen për t’i dhënë kuptim procesit të integrimit. Përballë ëndrrës së qytetarëve dhe anomalive politike dhe dobësive të qeverisjeve tashmë ndodhet një vendimmarrje e kujdesshme europiane për zgjerim me shtetet e Ballkanit Perëndimor që e kërkon instrumentin e konsensusit të të gjitha vendeve anëtare. Përballë neglizhencës dhe tranzicionit me një mijë anomali institucionale ndodhet një proces evaluimi nga Komisioni Europian, por edhe nga institucionet e vendeve anëtare, që nuk lejojnë improvizime dhe nuk lejojnë lehtësisht të kalohet në procesin e negociatave që i paraprinë anëtarësimit të plotë. 

Kjo duket të jetë fushëpamja e pretendimit europian, që shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të kenë mundësi ta shmangin në procesin tashmë të pakthyeshëm të anëtarësimit në BE. Mengenet e Europës shkojnë përtej aspiratave të deklaruara të lidershpit ballkanik. Europa kërkon rezultate të prekshme ndryshimesh sistemore institucionale që prodhojnë stabilitet, normalitet demokratik dhe efektivitet në zbatimin e ligjeve që mbajnë parashenjën e rekomandimeve europiane. Kushdo që ka menduar se lehtësisht do të kalohet në hapësirën europiane pa përbrendësim të këtyre principeve bazë që ndërlidhen me vizionin fillimtar të Europës, gabimisht dhe pas anjë sens e ka përceptuar procesin e zgjerimit, sidomos pas pranimit të shpejtë të Bullgarisë dhe Rumanisë, që në analizat mbi procesin e zgjerimit është vlerësuar si ngutje.

Pikërisht për të shmangur këtë keqkuptim nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të shihet gjitha trajektorja evolutive e angazhimit të BE-së në Europën Juglindore tashmë të reduktuar dhe të fokusuar në emërtimin Ballkan Perëndimor. Për kundër angazhimeve paraprake në vitet e pas 90-ve, procesi i përafrimit ka njohur nisma dhe dokumente që kanë ravijëzuar procesin e zgjerimit me shtete tjera anëtare. 

Autorja Kasey Pamela Golding në studimin e saj “The “Balkan Question”: Benefits and Challenges of European Integration Through Enlargement”, ndalet në disa nga momentet kruciale të evolutës së angazhimeve eurpiane në Ballkanin Perëndimor. Në studimin e saj pasqyrohet gjithë koncepti trajektores së angazhimeve të BE-së ndaj rajonit, por edhe gjithë evoluta e krijimit të Unionit Europian në rrafshin konceptual dhe institucional. Sipas saj, në vitin 2000, Bashkimi Europian hartoi një politikë gjithëpërfshirëse të re qasjeje për rajonin e Ballkanit i njohur si Procesi i Stabilizim Asocimit. Golding e sheh këtë moment si një process që vazhdoi të vendosë një strategji menaxhimi për të promovuar stabilizimin e rajonit, duke lënë jashtë premtimet për shtetet anëtare të ardhshme për anëtarësim, 

Një tjetër moment tepër i rëndësishëm për vendete e Ballkanit Perëndimor autorja e sheh mbajtjen e samitit të Selanikut, në qershor të vitit 2013, në të cili BE ritheksoi angazhimin e saj të asociimit. Sipas saj, BE deklaroi se e ardhmja e Ballkanit do të jetë në BE, dhe gjithashtu deklaroi se vendet kandidate të ardhshme të rajonit për anëtarësim duhet të afirmojnë plotësisht angazhimin e tyre duke përparuar në rrugën e reformës. Në këtë samit gjithashtu u afirmua edhe ideja e partneritetit, por edhe krijimi i standardeve të qarta për të vlerësuar progresin dhe vendosja e një baze për politika të cilat kushtëzohen në rritjen e ndihmës financiare dhe perspektivës për pranim në BE.

Golding  vë në dukje se përkundër faktit se BE pohoi këtë angazhim të ri për Ballkanin Perëndimor, megjithatë, ndërkohë u përball me një sërë sfidash institucionale, duke përfshirë krizën financiare të vitit 2008, që solli largimin e Britanisë nga BE, ngritjen e partive nacionaliste në vendet anëtare të BE-së, dhe krizën e vazhdueshme me refugjatët. Sipas autores, ky moment i ka detyruar zyrtarët e BE të rivlerësojnë qëllimet e tyre në të ardhmen. Në vitin 2014 Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker njoftoi një ndalesë pesëvjeçare zgjerimi. 

Sipas Golding, ky distancim i perspektivave të anëtarësimit detyruan kancelaren gjermane Angela Merkel të krijojë “Procesin e Berlinit” si përpjekje për të shpëtuar marrëdhëniet e BE-së me rajonin e Ballkanit dhe për të mbajtur shpresën e anëtarësimit të gjallë. Ky proces, që përfshinë samite të përçdovitshme ku marrin pjesë përfaqësues më të lartë të qeverive të shteteve të Ballkanit dhe BE-së synon të riafirmojnë perspektivën e rajonit në BE, duke përmirësuar bashkëpunimin dhe stabilitetin ekonomik brenda tij.

Në fakt kjo është trajektorja e angazhimeve konkrete të BE-së ndaj rajonit që tashmë po konkretizohet në një vizion të përbashkët që dita-ditës fiton përmasa të reja afirmimi, por që pengohet shpeshherë nga politikat dhe qeverisjet e papërgjegjshme të vendeve të Ballkanit. Sigurisht, Ballkani nuk do të ishte specifik nëse nuk do të jetonte në këtë oksimoron të përhershëm dëshirash dhe destruktivitetesh që mbeten tipike për të. 

Pavarësisht nga këto angazhime të BE-së, që gjatë tërë kohës janë konkretizuar me ndihma solide financiare në përkrahje për të vendosur sistem funskional vlerash që nënkuptojnë standardizim me vlerat e BE-së, vendet e Ballkanit kanë manifestuar dobësi tipike, duke vonuar dhe rrezikuar procesin e integrimeve. Vota pro e Bundestagut gjerman që në një farë mënyrë është në sinkron me konceptin e afirmuar të “Procesit të Berlinit” duket një sinjal shprese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat presin në gjysmën e dytë të tetorit të hapin negociatat.

Nuk do mend se kjo votë “pro” ka brenda vetes edhe shumë kushte, të cilat vijnë si rrjedhojë e konceptit paraprak për zgjerim të BE-së me vende tjera anëtare. Vota e Francës gjithashtu mbetet jetike për procesin e negociatave, ndërkohë që ambasadori francez në Shkup ka paralajmëruar një vendim “koktej” që do të përfshijë realitetin dhe pranimin e mirë që vjen si rezultat i kritereve të proklamuara për anëtarësim. Ndërkohë, ministri i jashtëm holandez ka theksuar se vendimi për Maqedoninë dhe Shqipërinë do të jetë ndaras, duke paralajmëruar një votë kundër për Shqipërinë.

Nuk dihet deri në fund se si do të jetë vendimi i shteteve tjera anëtare të BE-së, por tashmë një gjë dihet sigurt se vetë hapja e negociatave do të përcillet me një evaluim permanent në të gjitha nivelet e funksionimit institucional. Tashmë është theksuar disa herë në hapësirën epublike se kapacitet institucionale për përfshirje në procesin e negociatave mbeten në nivele tepër të disfavorshme. Kjo do ta vështirësojë gjithë procesin e negociatave, pavarësisht entuziazmit paraprak për fillimin e tyre. 

Për më tepër, Ballkani, mbetet shumë afër Europës, sidomos pas sinjaleve për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por në të njëjtën kohë shumë larg në politikat dhe praktikat institucionale, të cilat diktohen si kushte nga BE. Afër dhe larg duket si fat i përhershëm i ballkanasve që rëndë i mësojnë leksionet europiane mbi vizionin dhe vlerat e përbashkëta!

 

Të fundit