E martë, 9 Gusht, 2022

NISJA E BISEDIMEVE PËR ANËTARSIM NË BE ËSHTË NJË ALARM PËR OLOGARKËT DHE TË KORRUPTUARIT

Nisja e bisedimeve është padyshim një lajm i mirë për qytetarët e ndershëm që kërkojnë vlera e standarde, por një alarm për oligarkët dhe politikanët e korruptuar. Vendimi i BE-së që të marrë timonin në procesin e reformave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në fakt është edhe marrja nën kontroll e agjendës gjeopolitike në këtë pjesë të Ballkanit. Vendet ballkanike janë të njohura për politika dyfytyrëshe kur bëhet fjalë për orientimet strategjike – thithin mjete financiare nga Perëndimi, por bëjnë flirt me Lindjen.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

As Maqedonia e Veriut e as Shqipëria nuk kanë kapacitet që të instalojnë kriteret bazë të Bashkimit Evropian (BE), që më pas të futen në procesin e negociatave për anëtarësim. Të dyja shtete karakterizohen me praktika të rrënjosura korruptive, kontroll mbi të gjitha institucionet që me definicion janë të pavarura dhe aktrim reformash.

Duke u nisur nga kjo, Brukseli duket se dëshiron të marrë në duart e veta procesin e reformimit nga themeli të sistemeve shtetërore të të dyja vendeve ballkanike që aspirojnë anëtarësimin. Në vend që t’i lë që vetë politikanët e Shkupit e Tiranës që të zbatojnë agjendën evropiane, BE-ja me 35 kapitujt e të gjitha fushave do të fillojë rikonstruktimin, jo vetëm të sistemeve shtetërore, por edhe të agjendave gjeopolitike të tyre.

Vendimi i Bundestagut që ta ngarkojë qeverinë e Angela Merkel që të votojë “për” çeljen e bisedimeve me Shkupin e Tiranën duket se u ka vënë fund dilemave nëse duhet edhe më tej të shtyhet data shkaku i mungesës së rezultateve konkrete te shtetet kandidate.

Kështu, në mbledhjen e Këshillit Evropian, të caktuar më 17 dhe 18 tetor, pritet që vendet anëtare të përkrahin propozimin e Komisionit Evropian (KE) për nisjen e procesit anëtarësues me dy vendet aspirantë.

Kapitujt e parë që do të hapen që në fillim të vitit të ardhshëm janë 23 dhe 24 – të cilat skanojnë dhe rrënjësisht reformojnë pikërisht gjyqësorin. “Politikat e BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtat themelore synojnë të ruajnë dhe zhvillojnë më tej Unionin si një zonë e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Krijimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas është e një rëndësie thelbësore. Paanshmëria, integriteti dhe standardi i lartë i gjykimit nga gjykatat janë thelbësore për mbrojtjen e sundimit të ligjit. Kjo kërkon një angazhim të vendosur për të eleminuar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin dhe për të garantuar burime adekuate financiare dhe trajnim. Garancitë ligjore për procedurat e gjykimit të drejtë duhet të ekzistojnë”, thuhet në përshkrimin zyrtar të Kapitullit 23. Aty më tej theksohet: ”Në të njëjtën mënyrë, Shtetet Anëtare duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë efektive, pasi ai paraqet një kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe shtetin e ligjit. Kërkohet një kornizë solide ligjore dhe institucione të besueshme për të mbështetur një politikë koherente për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Shtetet Anëtare duhet të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore dhe të drejtave të qytetarëve të BE-së, të garantuara nga Acquis dhe nga Karta e të Drejtave Themelore”.

Ndërkohë, Kapitulli 24 është i titulluar “Drejtësia, liria dhe siguria” obligojnë shtetet pretendente të plotësojnë të gjitha kriteret të lidhura me këto tri çështje që janë të ndërvarura njëra me tjetrën. “Politikat e BE synojnë të ruajnë dhe zhvillojnë më tej Unionin si një zonë e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Për çështje të tilla si kontrolli kufitar, vizat, migracioni i jashtëm, azili, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit, bashkëpunimi në fushën e drogës, bashkëpunimi doganor dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile, Shtetet Anëtare duhet të jenë në mënyrën e duhur të pajisura për të zbatuar në mënyrë të duhur kornizën në rritje të rregullave të zakonshme. Mbi të gjitha, kjo kërkon një aftësi administrative të fortë dhe të integruar mirë brenda agjencive të zbatimit të ligjit dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme”. Në këtë kapitull nënvizohet edhe nevoja e reformave në polici dhe sektorin e sigurisë. “Një organizatë profesionale, e besueshme dhe efikase e policisë ka një rëndësi parësore. Pjesa më e detajuar e politikave të BE-së për drejtësi, liri dhe siguri është Acquis Shengen, i cili nënkupton heqjen e kontrolleve të brendshme kufitare në BE. Sidoqoftë, për shtetet e reja anëtare pjesë të konsiderueshme të Acquis Shengen janë zbatuar pas një vendimi të veçantë të Këshillit që do të merret pas pranimit”.

Më pas do të pasojnë kapitujt që do të reformojnë dhe rregullojnë në bazë të standardeve evropiane sistemin arsimor, të tregtisë, mjedisit jetësor, administratën, tregun e punës dhe në fusha tjera të jetës.

Nisja e bisedimeve është padyshim një lajm i mirë për qytetarët e ndershëm që kërkojnë vlera e standarde, por një alarm për oligarkët dhe të korruptuarit e politikës e gjyqësorit. Vendimi i BE-së që të marrë timonin në procesin e reformave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në fakt është edhe marrja nën kontroll e agjendës gjeopolitike në këtë pjesë të Ballkanit. Vendet ballkanike janë të njohura për politika dyfytyrëshe kur bëhet fjalë për orientimet strategjike – thithin mjete financiare nga Perëndimi, por bëjnë flirt me Lindjen. /KDP

 

Të fundit