E martë, 6 Dhjetor, 2022

PËRDITËSIMI I KONCEPTIT PËR PATRIOTIZËM

Lirinë të cilën e solli demokracia pas viteve të ‘90 nga shumë kush u kuptua si anarki dhe përplasja e vlerave morale, etike, kombëtare, kulturore prodhoi një mishmash konfuz ideologjik të paqartësuar edhe sot e kësaj dite.  

Autor: Sefer Selimi Jr.

Meqenëse jetojmë në Ballkan dhe ndarja në baza të ndryshme është specialiteti ynë, pjesërisht edhe si rrjedhojë e mosevoluimit të plotë të natyrës njerëzore në përgjithësi, e që është në kërkimin e përjetshëm të përkatësisë në grup, abuzimi më i madh bëhet pikërisht mbi këto ndarje. Politikanët arritën me shpejtësinë e dritës të përvetësojnë mjeshtërinë e manipulimit me qytetarët për të kapur pushtetin dhe për ta përdorin të njëjtin për t’i thelluar edhe më tej këto ndarje. Kështu, ne kemi përfunduar të jetojmë në mikrokozmoset tona, të ndrojtur, të frikësuar dhe shpesh vetëm brenda komoditetit që të sjell status quo-ja, pa çka se ajo e gërryen çdo ditë mirëqenien tonë. 

Manipulimi me ndjenjat nacional-patriotike hap rrugën për politikanë të sojit të Millosheviçit e Sheshelit, që rezultuan në luftëra të përgjakshme dhe me pasoja të rënda në jetë njerëzish. Kapitulli i luftërave etnike në Ballkan duket i përfunduar por jo edhe flirtimi me nacionalizmin e shekullit të kaluar që është ende fuqishëm prezent në të gjitha shtetet.

Shkëputja e plotë nga nacionalizmi nuk është e shëndetshme (të paktën jo ende) por ai është jashtëzakonisht i rrezikshëm në qoftë se nuk i përshtatet realitetit bashkëkohor dhe sfidave me të cilat përballet shoqëria. Nëse nacionalizmi është korpusi i ndjenjave të dashurisë për kombin, patriotizmi është në fakt mishërimi i atyre ndjenjave në vepra konkrete. Pikërisht, kjo moskonsistencë e ndërlidhjes mes tyre rezulton me nacionalizëm të bazuar mbi folklor populist dhe jo mbi vepra konkrete të dobishme për shoqërinë duke lënë hapësirë për politika mediokre dhe politikanë oportunistë që nuk ngurojnë të keqpërdorin ndjenjat e qytetarëve për të kapur dhe mbajtur pushtetin. Në qoftë se si shoqëri nuk përditësojmë konceptin mbi patriotizmin do të vazhdojmë që mirëqenien dhe perspektivën tonë ta lëmë në duar të njerëzve jokompetent, që kanë aftësi për të manipuluar me ndjenjat e masave në ndërkohë që ato shijojnë privilegjet që t’i jep pushteti. 

Në këtë kontekst, mendoj që përditësimi i konceptit për patriotizëm duhet të zhvillohet mbi 5 parime bazike: 

  1. Nuk mund të mbrosh dikë që gabon vetëm pse është ‘’i yti’’.  

– Vagabondët, kriminelët, hajdutët nuk kanë përkatësi etnike, religjioze apo politike. Duhet të mësojmë që me ngulm të kërkohet zbatimi i ligjit për të gjithë njësoj, edhe atëherë kur shkelësi është ‘’i yni’’. Në qoftë se relativizojmë, shohim mes gishtash dhe mundohemi të shfajësojmë dikë vetëm për shkak se është ‘’i përkatësisë tonë’’ ne do të ngelemi gjithmonë peng i tyre. 

  1. Ndarja nga viktimizimi. 

– Diskriminimi, padrejtësia, favorizimi kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë prezent por ato nuk mund të përdoren për të shfajësuar veten për paaftësitë, mungesën e profesionalizmit apo mospërkushtimin tonë individual. Askush nuk duhet ta merr për të mirëqenë statusin shoqëror dhe të gëzoj privilegje vetëm për shkak të përkatësisë partiake, etnike apo religjioze. Ne duhet të ndërtojmë shoqëri me konkurencë të shëndoshë, ku vlerat individuale do të jenë në qendër të saj. 

 

  1. Të duash tënden por të respektosh të huajën. 

– Defekti kryesor i nacionalizmit të shekullit të kaluar qëndron në glorifikimin e tëndes vis-a-vis urrejtjes ndaj tjetrit. Ky mentalitet u reflektua në të gjitha marrëdhëniet tjera ndërgrupore dhe kështu, është më e lehtë të urresh tjetrin dhe të mbyllesh në guaskën që i bën jehonë ‘’madhështisë’’ tënde se sa të kërkosh të përmirësosh defektet përmes një dialogu të argumentuar. Prandaj, patriotizmi duhet të hap rrugë për të pranuar kritikat dhe të nxis reflektim për të përmirësuar së pari veten tonë, pastaj edhe të tjerët. Urrejtja është murri i pakapërcyeshëm për logjikën dhe sensin njerëzor.    

  1. Të respektosh të kaluarën në mënyrë pragmatike – pa mite dhe legjenda. 

– Legjendat, mitet, traditat, doket e zakonet janë pjesë mjaftë e rëndësishme e mbamendjes kolektive duke përçuar përvojën dhe urtësinë njerëzore nga brezi në brez, por ne nuk duhet të mbetemi peng i tyre. Çdo ngjarje është produkt i rrethanave dhe faktorëve të kohës prandaj të njëjtat duhet të analizohen në kontekstin e ndodhur kohor që të nxirren mësime për të tashmen dhe të ardhmen. Mitet dhe legjendat ndërtohen në mungesë të fakteve ndërkaq politikat duhet të jenë produkt i analizave të thukta mbi faktet, mundësitë dhe rreziqet. Një politikan patriot nuk flet për lavdinë e heronjve por e nderon sakrificën e tyre me integritetin, përgjegjësinë dhe përkushtimin në punën e dobishme për shoqërinë.      

  1. Patriotizmi duhet të matet në proporcion të drejtë me veprat konkrete në të mirë të shoqërisë. 

– Patriotizmi nuk është materie abstrakte që matet përmes fjalëve deklarative por është vepër konkrete dhe sjellje e përditshme individuale. 

Patriotizëm është të kujdesesh për pastërtinë edhe jashtë oborrit të shtëpisë tënde; të bësh gjënë e duhur edhe atëherë kur askush nuk të sheh; të jesh mjek dhe mos vjedhësh nga pacienti; të jesh vlerë e shtuar për partinë e jo partia të jetë e vetmja vlerë të cilën ti e ke; ta denoncosh atë që e dëmton pronën publike; t’i paguash taksat dhe të kërkosh llogari ku dhe si shpenzohen paratë e tua; ta duash qytetin/fshatin tënd, por të mos jesh lokalist; të jesh mësues/e i/e mirë; të ndërmarrësh dhe të mbështesësh iniciativa në të mirë të komunitetit; të mbështesësh bizneset lokale; dhe kështu me radhë.

 

Patriotizmi është në proporcion të drejtë me veprat konkrete të përditshme me të cilat ne i ndihmojmë komunitetit tonë.  

Të fundit