E martë, 6 Dhjetor, 2022

SHBA, thellohen polemikat për telefonatën Trump-Zelenskiy

Presidenti i SHBA Donald Trump konfirmoi të martën se ai i kishte thënë stafit të tij që të pezullonte rreth 400 milion dollarë ndihmë për Ukrainën, pak ditë para një telefonate me udhëheqësin ukrainas.

Telefonata është në qendër të një debati midis Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë pas ankesës së paraqitur nga një informator i inteligjencës së SHBA.

Konfirmimi erdhi ndërsa Presidenti po fliste me gazetarët në Kombet e Bashkuara, kur ai tha se kishte urdhëruar që ndihma të pezullohej me qëllimin për të bindur vendet evropiane të kontribuojnë më shumë ndihma.

“Sa i përket pezullimit të fondeve, ato fonde janë livruar tashmë,” tha Presidenti Trump. “Por ankesa ime ka qenë gjithmonë, dhe unë do t’i pezulloja përsëri e do të vazhdoj t’i pezulloj deri kur Evropa dhe vendet e tjera të kontribuojnë në Ukrainë,” tha Presidenti.

Ai u bëri thirrje Francës dhe Gjermanisë që “të kontribuojnë me para”.

Disa njoftime nga Associated Press, Washington Post dhe New York Times citonin zyrtarë të shumtë të administratës së lartë duke thënë se Presidenti Trump kishte ngrirë fondet, dhe se urdhri iu komunikua Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit me shpjegimin se ai po shqyrtonte nëse shpenzimi i këtyre parave ishte i nevojshëm.

Presidenti Trump thuhet se ka kërkuar një hetim mbi kandidatin presidencial demokrat Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter, i cili ka shërbyer për vite me rradhë në bordin e një kompanie të gazit në Ukrainë.

Presidenti ka këmbëngulur se nuk kishte bërë asgjë të keqe gjatë telefonatës. “Edhe qeveria ukrainase nxori një deklaratë se kjo ishte një telefonatë e përkryer, nuk kishte asnjë presion mbi ta. Por pati presion në lidhje me Joe Biden-in. Ajo që bëri Joe Biden për djalin e tij është diçka që duhet parë”, tha Presidenti Trump të martën.

Por, demokratët në kongres thonë se veprimet e tij ishin të nivelit që mund të çojnë në hapjen e procesit për shkarkimin e tij.

Drejtuesit e tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo që të dorëzojë të gjitha dokumentet që lidhen me bisedën telefonike mes Presdientit Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Në një koment në Twitter, Presidenti tha se ka autorizuar publikimin të mërkurën të tekstit të plotë, të deklasifikuar dhe të paredaktuar të bisedës së tij telefonike me Presidentin Zelensky të Ukrainës.

Kryetarët demokratë të Komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Zbulimin dhe Transparencën, Elliot Engel, Adam Schiff dhe Elijah Cummings, kanë dhënë një afat deri të enjten për më shumë informacion për këtë çështje. Po të enjten, Komisioni i Zbulimit do të dëgjojë dëshmitë nga drejtori i përkohshëm i Zbulimit Kombëtar, Joseph Maguire në lidhje me ankesën e një informatori që lidhet me përmbajtjen e bisedës telefonike mes Presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Tre ligjvënësit demokratë thanë në letrën e tyre se Departamenti i Shtetit e ka pranuar që një anëtar i lartë personelit të Sekretarit Pompeo ndihmoi drejtpërdrejt në organizimin e takimeve mes avokatit të Presidentit Trump, Rudy Giuliani dhe zyrtarëve ukrainas disa ditë pas bisedës telefonike Trump-Zelenskiy.

“Duke mos i publikuar këto dokumente dhe duke refuzuar të bashkëpunojë me komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve, Administrata e Presdientit Trump po pengon mandatin mbikëqyrës të Kongresit, sipas Kushtetutës, për të mbrojtur procesin demokratik të vendit tonë,” thuhet në letrën e ligjvënësve demokratë.

Senatori demokrat Chris Murphy u tha gazetarëve të hënën se ai u takua disa javë më parë me Presidentin ukrainas Zelenskiy, dhe se administrata ukrainase ishte e shqetësuar se ndërprerja e ndihmës “ishte një pasojë e mosgatishmërisë së tyre, në atë kohë, për të hetuar zotin Biden (dhe djalin e tij Hunter)”.

“Ata nuk ishin të gatshëm ta hetonin këtë sepse nuk kishte asnjë meritë për hetimin e kësaj çështjeje,” tha senatori Murphy.

Po të hënën, një grup ligjvënësish demokratë në mandatin e tyre të parë në Dhomën e Përfaqësuesve, të angazhuar në çështjet e sigurisë kombëtare, thanë në një artikull të botuar në gazetën Washington Post se nëse akuzat për veprimet shqetësuese nga zoti Trump janë të vërteta, ligjvënësit besojnë se ato “përfaqësojnë një vepër që mund të çojë në hapjen e procesit të shkarkimit (të presidentit).”

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara mund të ketë përdorur detyrën e tij për të bërë presion ndaj një vendi të huaj për të hetuar një kundërshtar politik, dhe ai synoi të përdorte paratë e taksapaguesve amerikanë si mjet për ta bërë atë,” thuhej në artikullin e ligjvënësve Gil Cisneros, Jason Crow, Chrissy Houlahan, Elaine Luria, Mikie Sherrill, Elissa Slotkin dhe Abigail Spanberger.

Të hënën Presidenti nuk u kushtoi rëndësi thirrjeve të demokratëve për fillimin e procesit të shkarkimit të tij, duke thënë se ai nuk i merr kërcënime të tilla “aspak seriozisht”. Ai këmbënguli se biseda telefonike me presidentin ukrainas Zelenskiy ishte një “thirrje shumë e bukur”, gjatë së cilës ai e uroi presidentin e Ukrainës për detyrën e tij të re.

Polemika filloi javën e kaluar kur dolën njoftimet se një informator i paidentifikuar në komunitetin e zbulimit u alarmua nga një seri veprimesh brenda administratës së Presidentit Trump. Ne mesin e këtyre shqetësimeve ishte edhe biseda telefonike e Presidentit Trump me homologun e tij ukrainas Zelenskiy.

Të fundit