E martë, 9 Gusht, 2022

KOSOVA E PAVARUR, NJË E VËRTETË E HIDHUR PËR SERBËT

Agjencitë e lajmeve citojnë presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar- Kitaroviq, të ketë deklaruar në Nju Jork se shkëmbi eventual I territoreve mes Serbisë e Kosovës  do të hapte ‘Kutinë e Pandorës’ në Evropën Juglindore. Ajo ka pohuar se një vlerësim të këtilëë ia ka thënë edhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, I cili, si dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, po merr pjesë në sesionin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, fundjavën që lamë pas, presidenti Vuçiq ka deklaruar se pavarësia e Kosovës, për serbët është një e vërtetë e hidhur.

 

Autori: Seladin Xhezairi

 

Këto ditë, i lutur të komentojë idenë e ish-kryeministrit serb, Vojislav Koshtunica që për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka mundur të merret modeli i Hong Kongut, për një autonomi thelbësore si zgjidhje e qëndrueshme statusore’, presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq,me përgjigjen që dha sikur rikujtoi atë fjalën tone të urtë – kur hesapet bëhen pa hanxhinë: ‘Pyetja ime për ju është: çfarë domethënë ‘si Hong Kongu’? Që ne të huazojmë territorin për njëqind vjet. Me kë keni biseduar, kush ka për ta pranuar këtë nga shqiptarët të cilët tash më kanë jo pavarësinë e huazuar, por të fituar gjatë mandatit tuaj kryeministror e presidencial të Boris Tadiqit. Përse nuk ua thatë atëherë? Përse nuk e shndërruat në vepër?’ – deklaroi Vuçiq duke vlerësuar ‘pakuptimësinë e gjithë idesë së riaktualizuar’: ‘Hajdeni, njëherë të pushojmë së gënjyeri vetëveten. Hajdeni të reshtim së treguari përralla për vetëveten. Të mos sillemi sikur jemi fuqia më e madhe në botë. Të mos silllemi sikur ne e caktojmë se Toka do të rrotullohet rreth Diellit. Të mos flasim marrëzira dhe të  ndërrojmë çdo ditë tezat dhe që gjithçka na pëlqen përveç të vërtetës, sepse të vërtetën veshët tanë të ndjeshëm kurrsesi nuk duan ta dëgjojnë!’- tërhoqi vërejtjen Vuçiq fundjavën e kaluar në një takim me një përfaqësi të serbëve të Republika Serpskës në ballë me liderin e saj Milorad Dodik duke rikujtuar se Kosova kishte shpallur pavarësinë pikërisht në kohën kur Vojislav Koshtunica ushtronte postin e kryeministrit. Atëbotë, rikujtoi presidenti serb, nuk ishte përmendur Hong Kongu, por ishte lëshuar vetëm ‘një kumtesë’.

‘Njerëz, pushoni të gënjeni vetëveten. E gënjeni veten, nuk e gënjeni vetëm publikun vendor, po e gënjeni veten, të gjithë së bashku. Mashtroni publikun, të gjithë së bashku. Ua thoni njerëzve cila është e vërteta dhe brenda këtyre kornizave të provojmë të gjejmë diçka që mund ta bëjmë,’- përfundoi Aleksandar Vuçiq  duke ripërmendur – veshët serbë: ‘Veshët e ndjeshëm serbë dëshirojnë të dëgjojmë më shumë një rrenë të ëmbël sesa të vërtetën e hidhur!’

Mesazhet e këtilla të presidentit të Serbisë, nga analistë të huaj në Beograd, por edhe në Sarajevë, merren si sinjal për përgatitjen e terrenit për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme me Qeverinë e Kosovës, që do të dale pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, por edhe si porosi për lidershipin e Republika Serpskës Dodik që të zbusë retorikën nacionaliste që bie ndesh me Marrëveshjen e Dejtoin për Bosnjë e Hercegovinë. /KDP

Të fundit