E martë, 29 Nëntor, 2022

PSE BRUKSELI DUHET TË NISË BISEDIMET PËR ANËTARËSIM ME SHKUPIN DHE TIRANËN?

Dhënia e datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm. Kjo do të ishte edhe në interes të Brukselit, i cili në këtë rast do të merrte nën kontroll proceset dhe agjendat në vendet aspirantë. Do të mbushte vakumin gjeopolitik që me pak shpenzime tenton ta plotësojë Lindja.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Në prag të marrjes së vendimit për fillimin e negociatave, brenda 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ende ekziston dyshimi nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të futen në këtë proces.

Dy shtetet e vogla të Ballkanit ishin optimiste se qysh në qershor të këtij viti do të merrnin datën e fillimit të negociatave, por u zhgënjyen kur ky vendim u prolongua për arsye teknike. Në fakt, dilemat brenda Unionit kishin sjellë zhgënjim te vendet aspirantë, të cilat nuk arritën të marrin shpërblimin e premtuar nga Brukseli. Tirana dhe Shkupi kishin kaluar nëpër një periudhë të vështirë të reformave të rënda dhe të ndjeshme, duke ndryshuar edhe kushtetutën: e para për reformat në drejtësi, kurse e dyta për ndryshimin e emrit të shtetit.

Edhe pse procesi i negocimit të 35 kapitujve nënkupton plotësimin e parakushteve nga sferat e çdo kapitulli dhe i njëjti proces mund të zgjasë me vite të tëra, prapëseprapë brenda BE-së ende ka vende skeptike. Në mesin e tyre renditen Franca, Holanda dhe Danimarka, të cilat jo që janë kundër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por në parim janë kundër zgjerimit të Unionit në përgjithësi.

Secili vend anëtar i BE-së deri kah mesi i tetorit duhet të marrë vendim nëse do të përkrahë vendimin që dy vendeve aspirantë të Ballkanit Perëndimor t’u japë dritë jeshile për fillimin e bisedimeve. Që të merret vendimi duhet një votim me konsensus në mbledhjen e Këshillit të BE-së, i përbërë nga përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare.

Gjermania pritet që më 26 shtator të ketë qëndrimin përfundimtar, i miratuar në Bundestag, i cili pritet të jetë pozitiv për dy vendet e Ballkanit. Megjithatë, për Shqipërinë pritet të ketë nëntë kushte plotësuese që kanë të bëjnë me reformat zgjedhore dhe sundimin e së drejtës, ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut të caktohet janari për fillimin e negociatave.

Diplomatë të lartë brenda BE-së e pranojnë se mosdhënia e datës së negociatave në qershor ishte gabim i madh gjeostrategjik i Unionit, i cili në këtë formë demotivoi qeveritë që të vazhdojnë edhe më fuqishëm në zbatimin e reformave. Ka qenë imazhi i keq i Shqipërisë, si vend me prani të madhe të krimit të organizuar, dhe informatat për korruptimin e sistemit gjyqësor të Maqedonisë së Veriut momentet që kanë ndalur tre vendet skeptike që të shpërblejnë proceset reformuese në këto dy vende. Tani në tetor duket se BE do të vihet në situatë që të mos e prolongojë më tutje vendimin, jo dhe aq për shkak të vendeve pretendentë, por për shkak të vakumit gjeopolitik që ka lënë gjatë kësaj periudhe.

Në të vërtetë, ekspertët thonë se nuk ekziston ky lloj vakumi në gjeopolitikë pasi lojtarë tjerë përmbushin çdo hapësirë të lënë jashtë interesit të Brukselit dhe Uashingtonit. Rusia dhe Kina, e pse jo edhe Turqia, kanë arritur të risin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor nga shkaku i mungesës së fokusit të Perëndimit në këtë rajon. Prania e ndikimit lindor në Shkup dhe Tiranë është asimetrik me investimet e tyre në këtë rajon. Pra, me investime të vogla kanë arritur të kenë një ndikim të madh në këto vende.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, që nga viti 2010 e deri më tash në formë të investimeve të drejtpërdrejta Rusia ka derdhur gjithsej 49.03 milion Euro në vend. Sipas dinamikës ndër vite, 3.54 milion euro ka investuar në 2010, 6.65 milionë euro në vitin 2011, 0.16 milionë euro në vitin 2012, 2.31 milionë euro në 2013, -0.37 milionë euro në vitin 2014, 18.1 milionë euro në vitin 2015, 11.35 milionë euro në vitin 2016, -0.65 milionë euro në vitin në 2017 dhe 8.44 milionë euro në vitin 2018.

Kjo sasi totale e investimeve të drejtpërdrejta ruse është dukshëm më pak se ato të vendeve anëtare të BE-së, të cilat në të njëjtën periudhë arrijnë shumën prej 1.4 miliardë eurosh. Kështu, në listën e investuesve të huaj Maqedoninë e Veriut, Rusia renditet si e 16-ta, pas Holandës në pozitën e parë (294 milion euro), Gjermania në të 2-tën (286.5 milion euro), Austria në të 3-tën (266.5 milion euro), Turqia në të 4-tën ( 258.9 milion euro), Mbretëria e Bashkuar në të 5-tën (206.3 milion euro), Bermuda në të 6-ën (129.6 milion euro), Greqia në 7-ën (109.2 milion euro), Zvicra në të 8-ën (102.3 milion euro), Sllovenia në 9-ën (99.3 milion euro), Italia në të 10-ën (82.7 milion euro), Saint Vincentand Grenadinest në 11-ën (73.7 milion euro), Emiratet e Bashkuara Arabe në të 12-tën (65 milion euro), Belgjika në të 13-ën (64.4 milion euro), Kina në të 14-tën (54.9 milion euro) , Bullgaria në vendin e 15-të (50.4 milion euro), SH.B.A në vendin e 17-të (41.5 milion euro), Bahamas në të 18-ën (31.7 milion euro), Suedia në 19-tën (31.1 milion euro), Lihtenshtajni në të 20-ën (27 milion euro), Qipro në 21-ën (26.1 milion euro), Kosova në 22-tën (20 milion euro), Honk Kong në 23-tën (20 milion euro), Rumania është në 24-tën (17.7 milion euro), Luksemburgu në 25-tën (15.6 milio n euro), Shqipëria në vendin e 26 (14.5 milion euro) dhe Serbia në vendin e 27-të (13 milion euro).

Rusia është në vendin e 16-të edhe si partner tregtar i Maqedonisë, me eksport të përgjithshëm prej 5.4 milion euro në 2018 dhe 8.2 milion euro në 2019, ndërsa importi nga Rusia ishte 40.7 milion euro në 2018 dhe 42.8 milion euro në 2019. Mbi Rusinë në listë nga vendi i parë si është Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Serbia, Italia, Rumania, Kina, Turqia, Belgjika, Hungaria etj.

Dhënia e datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm. Kjo do të ishte edhe në interes të Brukselit, i cili në këtë rast do të merrte nën kontroll proceset dhe agjendat në vendet aspirantë. Hapja e çdo kapitulli, që përfshinë një sferë të caktuar, do të thotë zbatim të reformave rrënjësore në po atë sferë deri sa të jetë në nivelin e paraparë evropian. Kapitujt që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësor, ekonomi, sistemin politik dhe zgjedhor do të jenë të parat që do të hapen që nga fillimi i vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë BE-ja, përveç se është investitori më i madh në këto vende, do të ketë poashtu edhe ndikimin që do të jetë simetrik me këtë prani ekonomike. /KDP

Të fundit