E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

ZIGZAG: PËR SHARJEN E KALIT, PAS KALIMIT TË LUMIT…

Qoftë edhe baracoletë, por në kohë fushatash zgjedhore edhe ndodh: A ju kujtohen rrëfimet se si kandidatë për deputetë në një fshat ishin zotuar se për t’ua bërë jetën më të mirë, do t’ju ndërtonin një urë dhe një shkollë? Kur katundarët ishin përgjigjur si me sekëlldisje se nuk i donin, për shkak se nuk kishin as lum e as fëmijë (fshati gati se ishte boshatisur), kandidati ishte mjaftuar edhe me një zotim: Po të fitojmë, ne do t’ua bëjmë! Nuk kanë thonë kot: Historia është mësuesja e jetës!

Autor: Seladin Xhezairi

1.Nuk dihet se ç’udhë do të marrin bisedimet mes liderëve të dy partive kryesore maqedonase VMRO-DPMNE e LSDM për statusin e Prokurorisë Speciale Publike. Kryeprokurorja Katica Janeva dhe ‘dhjetëshja’ e saj, si erdhën edhe shkuan: U shkarkuan me shumicën e dy të tretave duke e lënë të hapur ‘Kutinë e Pandorës’ për megaskandalin e përgjimeve në masë, por edhe atë të ‘Zhvatjes’. PSP-ja, tash më për rahmet, për katër vjet, pati një alamet buxheti: Diku mbi 12 milion e gjysmë euro, para të taksapaguesve. Po rilexoja këto ditë Raportin e famshëm të Reinhard Pribesë që i parapriu Marrëveshjes së Përzhinës dhe, besoni apo jo, u ndava me bindjen se konstatimet – rekomandimet, e tij janë aktuale edhe sot e kësaj dite:

  • Megaskandali i përgjimeve zbuloi shkelje masive të të drejtave themelore, përfshirë këtu dhe të drejtën e marrjes pjesë në punë publike dhe të drejtën e votës, të drejtën për shfrytëzimin e shërbimeve publike, të drejtën e privatësisë dhe të mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe shkeljen e të drejtës për gjykim të pavarur e të paanshëm;
  • Ekziston një boshllëk i madh mes ligjit dhe zbatimit të tij. Demokracia, barazia dhe respektimi i të drejtave të njeriut, sundimi i së drejtës – radhiten ndër vlerat themelore mbi të cilat është ngritur Bashkimi Evropian. Ndaj edhe respektimi dhe zbatimi i tyre strikt është me rëndësi esenciale për një vend kandidat;
  • Përkundër dallimeve politike, dialogu konstruktiv politik mes mazhorancës dhe opozitës është i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë parlamentare. Interesi i politikanëve dhe partive nuk duhet të përzihet me interesin publik të shtetit. Informacionet e ndjeshme duhet të menaxhohen në mënyrë të ndjeshme dhe ato nuk duhet të jenë objekt i taktikave politike!

Kështu thuhet në Raportin e Pribesë të bërë publik më 2015! E zezë mbi të bardhë, për keqardhje, për të mos thënë turp!

2. Zakonisht në kohë fushatash parazgjedhore, vëzhguesit dhe opozitarët fusin në fjalorin e tyre togfjalëshin ‘klientelizëm’. Fjala është për një metodologji të njohur prej kohësh sipas së cilës sundimtarët dhe ata që janë në pushtet, për të siguruar shërbime, mbështetje dhe besnikëri, ofrojnë benefite të caktuara. Klentelizëm do të thotë kur ata që ushtrojnë poste publike të bëjnë dhurata, të japin përparësi. Kjo nënkupton se, shpjegohet në literaturë, udhëheqësit shfrytëzojnë resurset e shtetit për përftime të natyrës elektorale, duke favorizuar ‘tjetrin’ në mënyrë të jashtëligjshme. Kjo për shkak se klientelizmi mundëson ruajtjen apo ardhjen në pushtet. Dhe, të kuptohemi, klientelizmi, por edhe nepotizmi e akraballëku, lëshojnë rrënjë aty ku mungon shteti, për të qenë më të sakt, aty ku ‘nuk funksionojnë institucionet vitale të shtetit,’- sikurse do të shprehej kohë më parë edhe Presidenti. Për hir të së vërtetës, historikisht është provuar se tok me klientelizmin shkon edhe ajo për ‘sharjen e kalit, por – pas kapërcimit të lumit’!

3.Tomilav Markoviq këto ditë në një shkrim të tij për portalin ALJAZEARA BALKANS ka tërhequr një paralele mes Gjermanisë dhe Serbisë duke marrë si shkas shënimin e 80 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore që nisi me pushtimin e Polonisë. Në fakt, ishte presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ai që dënoi prirjen e pushtetit nazist të asaj kohe për të shkatërruar gjithçka: “Përkulem para viktimave polake të tiranisë gjermane dhe kërkoj falje”, tha Steinmeier, duke folur në gjermanisht dhe polonisht, ndërkohë që kancelarja Angela Merkel me rastin e Ditës së Holokaustit pati kurajon të pranojë: ‘ Natyrisht se përjetësisht jemi përgjegjës për krimet e nacional-socializmit, për viktimat gjatë Luftës së Dytë Botërore e para së gjithash për holokaustin’, një term ky që përdoret për vrasjen massive sistematike të rreth gjashtë million hebrenjve në Evropë nga ana e soldateskës së Hitlerit. Markoviq nuk e fsheh ironinë kur thotë se është për keqardhje që në Varshavë nuuk ishin presidenti dhe kryeministrja e Serbisë, Aleksandar Vuçiq e Ana Bërnabiq: ‘Është dëm që Vuçiq nuk është në gujendje t’ju shpjegojë liderëve të Gjermanisë se si me deklaratat e tyre të pamatura e fajësuan gjithë popullin gjerman si kriminel, si popull genocide e holokausti. Për dallim nga patrioti i vërtetë Vuçiq I cili kohë më pare iu falënderua ambasadorit rus në largim, Aleksandar Çepurin, që në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara Serbia ndihmoi ‘të mbrojmë popullin dhe vendin tonë nga stigma e përjetshme se jemi popull genocidal’. Përderisa funksionarët gjermanë flasin për përgjegjësinë e përjetshme, ata serbë trumbetojnë për stigmën e përjetshme. Është dëm që fatkeqët gjermanë nuk kanë miq kaq të mirë si serbët, askush s’po ju del në ndihmë, që t’ju ndihmojë ta falsifikojnë historinë,’- shkruan Tomilav Markoviq  në portalin e televizionit të njohur ALJAZEARA BALKANS. Nuk kanë thënë kot: Mbamendja, historia, është mësuesja e jetës! 

Jo më larg se sot (e martë) kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, mbase e cytur nga ajo e njohura: ‘Të shkuara, të harruara’, ka folur për nevojën e zhbllokimit të dialogut me Kosovën në mënyrë që çështja të mos mbetet një ‘konflikt i ngrirë’ sepse, ka thënë ajo,konflikt i ngrirë ngërthen rrezikun që në një moment edhe të shkrihet: Konflikti i ngrirë është paqëndrueshmëri e ngrirë’- vlerëson Bërnabiq për portalin serb ‘Blic’, duke tërhequr vërejtjen se komprimisi është e vetma zgjidhje e mundshme. Ai patjetër duhet të nënkuptojë pikërisht atë që e thekson vazhdimisht presidenti Vuçiq: Që të dyja palët të humbasin diçka, por edhe që të marrin diçka, përkatësisht, të marrim sa më shumë që mundemi, kurse të humbasim sa më pak që duhet’. 

Pendesa e kërkimfalja për të dhe ‘mentorin’ e saj, ashiqare, është e huaj!

Të fundit