E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

…SEPSE DEMOKRACIA ËSHTË E SHENJTË!

Media është shtylla e demokracisë. Nëse mediat janë në krizë, edhe demokracia është në krizë. Nëse mediat nuk funksionojnë si duhet, edhe demokracia nuk i jep rezultatet e pritura. E pikërisht kjo ndërlidhje e ndërvarje kërkon një angazhim më të madh të të gjithë aktorëve në shoqëri në mbështetjen e mediave profesionale.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Nga të gjitha sistemet e provuara deri më tani, demokracia u tregua si më i qëndrueshëm. Monarkia, ku shteti i takonte vetëm mbretit dhe familjes së tij, tani më është i pranishëm vetëm në disa vende të vogla e të parëndësishme. Komunizmi, ku gjithçka i takonte partisë dhe krerëve të saj, përjetoi kolaps në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Forma të ndryshme të oligarkisë, si një sistem ku shteti drejtohet nga një grup njerëzish të pasur, apo të autoritarizmit – ku e tërë fuqia qeverisëse është e koncentruar te duart e një njeriu – janë vetëm eksperimente të njerëzve që për qëllim kanë ruajtjen e pushtetit deri sa janë gjallë, pa siguruar një vazhdimësi apo tranzicion të qeverisjes.

Shtetet skandinave, të Bashkimit Evropian, SHBA, Kanadaja…janë produkte të demokracisë, ku me vendin qeveris qytetari apo populli. Kjo e drejtë garantohet me zgjedhjet e lira, ku populli zgjedh ata që do ta përfaqësojnë dhe do ta drejtojnë në mandatin e ardhshëm. Për të bërë zgjedhjen e duhur, duhet të kenë informacionet e duhura për garuesit. Duhet t’i njohin mirë nëse vërtetë kanë vullnet e kapacitet të zbatojnë atë që e premtojnë, apo nëse atë që e premtojnë është oferta e duhur për to.  

Për dallim nga demokracia, të gjitha sistemet tjera kanë prodhuar miliona njerëz të ekzekutuar, burgosur apo internuar. Mbretëritë, vendet diktatoriale apo oligarkike i shohin njerëzit si objekt i eksploatimit për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tyre. Por çuditërisht, liderë autoritarë nga vende jodemokratike në Azi apo Amerikë Latine, ende shihen me simpati nga grupe të caktuara shoqërore. Dora e fortë e drejtimit të shtetit i bën model për politikanët e kontinentit Evropian – aty ku lindi demokracia që në periudhën antike. 

“Kush e la derën hapur?” – pyeti një panelist në konferencën e organizuar nga Bashkimi Evropian (KE) këto ditë në Podgoricë të Malit të Zi, të titulluar si “BE-Ditët e Medias në Ballkanin Perëndimor”. Janë mediat që kanë lartësuar dhe mbështetur politikanë që nuk respektojnë vlerat demokratike. Janë gazetarët që u janë bindur pronarëve të mediave të vihen në funksion të propagandave antidemokratike. Është shteti që nuk ka krijuar një treg të lirë që do të garantojë konkurrencën e shëndoshë midis aktorëve, por me intervenime të drejtpërdrejta apo të tërthorta ka bërë selektime në tregun mediatik, duke e thënë fjalën e fundit se cili medium do të ekzistojë e cili duhet të shuhet. 

Është një fakt tjetër i pamohueshëm – shoqëritë tona nuk janë edhe aq miqësorë ndaj mediave apo gazetarëve. Duket se frustrimet që ua shkaktojnë politikanët e dështuar, të cilët i kanë votuar, i derdhin duke sharë e sulmuar mediat e gazetarët. Në vendet me traditë demokratike faji ka adresë të saktë pasi qytetari ka guxim të veprojë apo protestojë. Ky guxim buron nga kushtetuta demokratike, e operacionalizuar me ligje dhe akte nënligjore që në fokus kanë lirinë dhe të drejtat fondamentale të qytetarit, e jo fuqinë e privilegjet e pushtetarit. 

Media është shtylla e demokracisë. Nëse mediat janë në krizë, edhe demokracia është në krizë. Nëse mediat nuk funksionojnë si duhet, edhe demokracia nuk i jep rezultatet e pritura. E pikërisht kjo ndërlidhje e ndërvarje kërkon një angazhim më të madh të të gjithë aktorëve në shoqëri në mbështetjen e mediave profesionale. Sepse demokracia është e shenjtë!             

 

Të fundit