E mërkurë, 28 Shtator, 2022

ZIGZAG: NJË PERÇE EDHE PËR BURAT!

Që të mirëkuptohemi: Është marre për të gjithë ata që bëjnë punë të liga. Flas për marren shoqërore, po kur kjo fjalë gati-gati po na bëhet e huaj, atëherë  më del se ka të drejtë një miku im i cili këto ditë, pak sa si me kunja, më tha: përse të mos hedhim idenë që, jo gratë, po burrat të mbajnë – perçe! Që nga Struga e gjer në Likovë!

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1.Njerëzit e zakonshëm e sidomos politikanët në Ballkanin Perendimor shpresat për ditë më të mira më duket se i kanë bërë nyje në atë rrëfenjë- ëndrrën e dhelprës me dashin që, e ngrata, nuk i ishte shqepur këtij të fundit, me shpresë se – do t’i bien! Për pasojë, prandaj po na ndodh, jo vetëm ne, që duke pirë kafe të bëjmë llom të gjithë ata të cilët nuk i duam, sidomos ata që ua kemi inatin, po ama – do të donim që këtë të na e bëjnë të tjerët. Si njerëz që themi se jemi me namuz, harrojmë se për të ndryshuar diçka, së pari duhet të ndryshojmë veten; harrojmë se për ta mbarësuar tjetrin, duhet t’ia tregojmë rrugën, pardon alternativën; harrojmë se, të ndalemi tek politika, për të bërë ndryshimin, së pari duhet të ndryshojmë ne. Të ngjeshim e të zgjerojmë radhët, se pastaj – të  mirat vijnë nga dera! Kjo domethënë se duhet të heqim dorë nga inatet e teket tona, të ndajmë shapin nga sheqeri dhe, tek tjetri – të mos shikojmë gunën, po punën! Të mirëkuptohemi: Është marre për të gjithë ata që bëjnë punë të liga. Flas për marren shoqërore, po kur kjo fjalë gati-gati po na bëhet e huaj, atëherë  më del se ka të drejtë një miku im i cili këto ditë, pak sa si me kunja, më tha: përse të mos hedhim idenë që, jo gratë, po burrat të mbajnë – perçe! Që nga Struga e gjer në Likovë!

2. Javën që lamë pas, një gjykatë në Pragë urdhëroi kryeministrin e Çekisë, Andrej Babish, që t’ju kërkojë falje demonstruesve nga protestat e muajve të kaluar ku u kërkuan gjykata të pavarura dhe pati akuza kundër kryeministrit e presidentit të vendit Milosh Zeman. Zoti Babish kishte akuzuar demonstruesit se janë të paguar për pjesëmarrje në tubimet antiqeveritare. Në arsyetimin e udhëresës për kërkim falje, Gjykata tha se ‘zyrtari i lartë i shtetit duhet të verifikojë infomacionet. I akuzuari është personalitet publik që duhet të tolerojë dozën e madhe të kritikave të oponentëve të tij politik’. E veçanta e verdiktit është se kundër pretendimeve të Kryeministrit çek ishte ngritur një qytetare nga një fshat, Jana Filipova, për të cilën thuhet se nuk ka preference politike, por që kishte qenë një ndër pjesëmarrëset e protestave të kësaj pranvere e vere. Filipova nuk e ka fsheur kënaqësinë për vendimin e gjykatës, megjithëse kryeministri Babish tha se nuk kishte ndërmend që të kërkonte falje. Vala e protestave nisi në muajin prill kur papritmas Kryeministri vendosi në ballë të ministrisë së Drejtësisë një bashkëpunëtore të tij të afërt e cila më herët kishte deklaruar se nuk do të lejonte ndjekjen penale të kryeministrit Andrej Babish për shpërdorim të dy milionë eurove nga Fondet e Bashkimit Evropian, për një fermë të tij familjare dhe ngritjen e një qendreje të konferencave. Katundi që duket, kallauz nuk do, – thotë populli. Gjithëkëtej kemi shqetësime e zemërata dhe kërkesa për drejtësi, për shtet të së drejtës. Në Çeki drejtësia e bën të veten pa çka se politikanët mundohen t’i bishtnojnë!

3. Republika e Singapurit, është një qytet-shtet në Azinë Juglindore që gjatë historisë ka ndërruar shumë mbretëri, për të shpallur pavarësinë më 1965. Fillimisht ishte një një vend i pazhvilluar, ndërsa aktualisht është një nga vendet me rritjen më të shpejtë dhe më të madhe ekonomike. PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për frymë ka shkuar në 60 000 dollarë, gjë që e bën vendin e gjashtë në botë për nivelin e PBB-së për frymë të popullsisë duke e radhitur ndër katër ‘Tigrat e Azisë’. Dhe, ajo pse vendosëm ta veçojmë këtë vend, pse jo edhe për ta ofruar si një yrnek, është fakti se radhitet, sipas ‘Transparency International’, ndër shtetet më pak të korruptuara. Është në një shoqëri me Zelandën e Re, Danimarkën Finlandën, Norvegjinë, Zivcrën e Suedinë! Çelësi i suksesit qëndron në faktin se Singapuri ka sot statusin e padiskutueshëm të shtetit me ekonomi shumë të zhvilluar të tregut, me shkallë shumë të lartë të sigurisë për kapitalin e huaj dhe, pa korrupsion. Atje korrupsioni trajtohet si e keqja më e madhe dhe, për pasojë, sanksionohet me dënime drakonike.

Këto ditë, kur është fjala për korrupsionin,  më ra në dorë një Raport i RIINVEST-it nga Prishtina, i hartuar këtu e 14 vjet më parë. Të thuash ndër ne e mes nesh – asgjë nuk ka ndryshuar:  ‘Sipas Transparency International (TI), vendet në zhvillim dhe pjesa më e madhe e Ballkanit karakterizohen me shkallë të lartë të korrupsionit: Shumica e këtyre shoqërive e kanë përjetuar totalitarizmin në të kaluarën dhe/ ose kanë pasur konflikte civile; Edhe pse shumica kanë qeveri të zgjedhura dhe karakterizohen si vende demokratike, institucionet e tyre demokratike janë në shkallë të ndryshme të zhvillimit; Papunësia është e lartë, kurse shteti tenton ta zvogëlojë papunësinë duke hapur vende të reja të punës në sektorët e shërbimeve/sektorët publikë; Të punësuarit në këta sektorë kanë paga të vogla dhe, varësisht nga madhësia e familjeve të tyre, shumica e tyre mund të konsiderohet se jetojnë nën ose në kufirin e varfërisë; Shoqëria civile dhe mediat janë të pazhvilluara ose të dobëta’.

Zgjedhjet, duket se i kemi afër. Dhashtë Zoti të kemi Oferta e jo ‘përralla me tupan’!

/KDP

Të fundit