E mërkurë, 5 Tetor, 2022

“VARROSET” PROKURORIA SPECIALE, A NGADHNJYEN TË KORRUPTUARIT?

Prokuroria Speciale Publike pritet të pushojë së funksionuari pasi të gjitha 19 rastet e ngritura prej saj do të kalojnë në Prokurorinë Themelore Publike të  Maqedonisë së Veriut, shkruan KDPOLITIK.COM.

Kjo e fundit njoftoi të premten se do t’i marrë përsipër rastet gjyqwsore që ka ngritur dhe po procedon Prokuroria e Speciale.

Bëhet fjalë për për rastet ku janë të përfshirë kryesisht funksionarë nga ish-qeveria VMRO-DPMNE-BDI, e që si bazë janë marrë materialet e përgjuara të cilat ish-kreu i opozitës, tani kryeministër, Zoran Zaev ia dorëzoi PSP.

PSP ishte themeluar në vitin 2015 pasi Prokuroria Themelore nuk kishte vepruar ndaj gati asnjë afere korruptive për shkak të ndikimit të fuqishëm politik nga ekzekutivi. Tani ekspertët dyshojnë se kjo prokurori mund të bëjë diçka më tepër kur ende nuk është reformuar.

Por tani, prokurorët republikanë kanë vendosur në një takim të fundit se nuk guxohet të mos hetohen dëshmitë e mbledhura për kriminalitetin apo të ndërpriten proceset e filluara gjyqësore të ngritura nga Prokuroria e Posaçme “vetëm për shkak se kjo prokurori do të shuhet mbi baza të interesave të ngushta politike apo partiake para se asaj t’i kalojë mandati”, siç thuhet në një komunikatë, njofton Zëri i Amerikës.

Vendimi i Prokurorisë Publike pason letrën e dërguar nga burgu prej prokurores së posaçme nën hetime, Katica Janeva, e cila i shkruante Krye-prokurorit publik Lubomir Jovevski se të gjitha lëndët e Prokurorisë së Posaçme duhet t’i merrte përsipër Prokuroria Publike.

Kjo gjë ka nxitur debate në vend. Analistë e ekspertë ligjorë mendojnë se zonja Janeva nuk është në gjendje të vendosë për të ardhmen e prokurorisë së posaçme me që ajo vetë është e akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe mitëmarrje dhe se çështja e kësaj prokurorie duhet të zgjidhet përmes reformave gjyqësore, përkatësisht me pëlqimin e partive kryesore, ashtu siç edhe ishte formuar para rreth katër vjetësh.

Kryeprokurori publik Jovevski shkruan në një komunikatë se do të vazhdojnë tek prokurorët publik procedurat që kanë të bëjnë me rastet e ngritura nga Prokuroria e posa[me, por pa dhënë hollësi se tek cilët prokurorë do të kalohen lëndët.

Disa ekspertë vlerësojnë se Prokuroria e Posaçme duhet të vazhdojë mandatin dhe detyrën dhe të zgjidhet një prokuror i ri në krye të saj, por ka të tjerë të cilët mendojnë se ligji për prokurorinë publike do t’ia heq autonominë prokurorisë së posaçme dhe rastet e ngritura nga ajo vetëm se do të zvarriten.

Nga ana tjetër, partitë më të mëdha ende nuk janë të gatshme të ulen për të arritur një marrëveshje për ligjin në fjalë. /KDP

Të fundit