E mërkurë, 28 Shtator, 2022

SHQETËSIMET E SHKUPIT PËR EPILOGUN E DIALOGUT PRISHTINË-BEOGRAD

Pendarovski përmend edhe një vend të rajonit, duke aluduar në Malin e Zi, ku Rusia bëri çmos që të ndalojë futjen e këtij vendi në NATO. Institucionet e Podgoricës fajësuan Rusinë se në vitin 2016 kishte tentuar të organizonte puç në atë vend me qëllim që të sillte një strukturë pro-ruse në pushtetin malazez. Por, sa janë të mundshme që këto zhvillime të sjellin pasiguri dhe trazira në Maqedoninë e Veriut?

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Në 40-50 ditët e ardhshme në Maqedoninë e Veriut mund të ketë tentime për të shkaktuar trazira dhe incidente, e që do të kishin për qëllim ndaljen e procesit të integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Ky ishte paralajmërimi që doli nga kabineti i presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, pas mbledhjes konstituive të Këshillit të Sigurisë, i përbërë nga përfaqësues nga institucionet më relevante të shtetit që prekin drejtpërdrejt në këtë sferë.

Pas mbledhjes u paralajmërua opinioni se vendi futet në një periudhë turbulente për shkak të dy rrethanave: e para ndërlidhet me zhvillimit në rajon dhe e dyta me ndikimet e jashtme malinje që kanë për qëllim zmbrapsjen e vendit nga integrimi në NATO, siç ka ndodhur në vende tjera të rajonit.

Edhe pse jo në formë të drejtpërdrejtë, presidenti i vendit duket se aludon në intensifikimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, si dhe ndikimit rus që ka për qëllim pamundësimin e vendit të jetë pjesë e Aleancës Veri-atlantike.

Pendarovski përmend edhe një vend të rajonit, duke aluduar në Malin e Zi, ku Rusia bëri çmos që të ndalojë futjen e këtij vendi në NATO. Institucionet e Podgoricës fajësuan Rusinë se në vitin 2016 kishte tentuar të organizonte puç në atë vend me qëllim që të sillte një strukturë pro-ruse në pushtetin malazez.

Por, sa janë të mundshme që këto zhvillime të sjellin pasiguri dhe trazira në Maqedoninë e Veriut?

NDIKIMI RUS DHE PUÇI I MUNDUR

Së pari të trajtojmë ndikimin rus në vend. Ai ka qenë i pranishëm në këtë vend gjithmonë, në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë, por që u rrit para zgjidhjes së çështjes së emrit midis Shkupit e Athinës. Rusia tentonte të bllokojë këtë proces jo për të mbajtur në armiqësi dy vendet e Ballkanit, por për të ndaluar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte kushti që kishte vënë Greqia për të hequr veton e vënë ndaj integrimit të Shkupit në strukturat perëndimore. Duke mbajtur të hapur emrin, mbahej e mbyllur dera e integrimit të Maqedonisë së Veriut në ato struktura. Por, vendi në shkurt ka nënshkruar tanimë marrëveshjen për anëtarësim në NATO. Pjesa më e madhe e 29 anëtarëve të NATO-s kanë ratifikuar protokollin e anëtarësimit të vendit në këtë Aleancë, kurse vend i parë që bëri këtë ishte Greqia. Kjo të thotë se procesi është gati njëqind për qind i pakthyeshëm, gjë që nuk i jap aq shumë hapësirë Rusisë të ndërmarrë ndonjë veprim në këtë drejtim. Përpjekjet e Moskës që të kthejë prapa Malin e Zi ishin para se ky vend të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në NATO. Pasi nuk e arriti këtë qëllim, Rusia nuk kishte çfarë të bëjë më shumë përveç se të vëzhgojë se si vendet anëtare ratifikonin protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi.

SHKËMBIMI I TERRITOREVE MIDIS KOSOVËS DHE SERBISË

Pika e dytë në të cilën aludoi Pendarovski si burim krizash për vendin është dialogu Prishtinë-Beograd. Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Ramush Haradinajt, bisedimet midis dy vendeve kanë mbetur të ngrira e pa asnjë përparim që nga tetori i vitit 2018. Ky vendim i Prishtinës erdhi si përgjigje ndaj fushatës së fuqishme të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare (UNESKO, Interpol…) dhe bllokimit të njohjeve të reja të saj. Përderisa Bashkimi Europian (BE) tregohet i ndarë në raport me këtë pikë të nxehtë të Ballkanit, presidenti amerikan Donald Trump në dhjetor të vitit të kaluar u dërgoi një letër të ngjashme presidentëve të Kosovës e Serbisë – Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq – ku kërkoi nga ata që deri në fund të vitit 2019 të nënshkruajnë një marrëveshje historike që do tu vinte fund armiqësive midis dy popujve. Së fundmi ai caktoi diplomatin e lartë Matthew Palmer si përfaqësues special të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor. Këto momente janë tregues se Washingtoni do të shtojë angazhimin që deri në fund të vitit Thaçi e Vuçiq ta nënshkruajnë pajtimin historik, pa marrë parasysh nëse si bazë për këtë do ta kenë një marrëveshje për ndryshimin e kufirit midis tyre. Diplomatë perëndimorë thonë se një marrëveshje e tillë ka marrë pëlqimin e dy presidentëve, por që e njëjta është kundërshtuar ashpër nga BE-ja, sidomos nga Gjermania.

Pikërisht te shkëmbimi i territoreve buron frika e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski. Kjo nga shkaku se një marrëveshje e tillë vlerësohet se mund të nxitë shqiptarët etnik të Maqedonisë së Veriut dhe serbët etnikë të Bosnjës e Hercegovinës të zbatojnë një zgjidhje të njëjtë territoriale për kauzat e tyre.

Por, vlerësimet dhe frika nga ky proces janë jo aq të bazuara. Shpesh tërhiqen paralele dhe nxirren përfundime të cilat mendoj se janë të ekzagjeruara. Një shkëmbim i tillë i territorit, me qëllim të arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme, nuk mund të krahasohet as me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë e as me ambiciet për shkëputje të serbëve të Bosnjës e Hercegovinës, të rusëve Transnistrisë (Moldavi), të Osetisë Jugore (Gjeorgji) etj.

Kjo nga shkaku se në rastin e negociatave Prishtinë-Beograd flitet për marrëveshje paqe, e jo për imponim nëpërmjet luftës. Flitet për një marrëveshje që do të kalojë në referendum në të dyja vendet, me qëllim që të mos hapet sërish nga garniturat e ardhshme qeverisëse. Për një kontratë që do të ketë pëlqimin e plotë të të dyja palëve.

Andaj, nëse Beogradi dhe Prishtina dakordohen për “korrigjimin” e kufijve, atëherë nuk besoj se do ishte problem për pjesën tjetër të Ballkanit.

Përkundrazi, do të ishte një shtytje më shumë drejt stabilizimit të Ballkanit. E rrezikshme është situata nëse nuk arrijnë të merren vesh dhe ndërkohë ndonjëra nga palët me dhunë anekson territorin e tjetrës, që më pastaj të pranohet si zgjidhje. Në këtë rast, po – hapet Kutia e Pandorës.

Përderisa zgjidhja është paqësore, e pranueshme për të dyja palët dhe zgjidh një problem – atëherë nuk ka vend për frikë.

Për një zgjidhje të tillë nevojitet miratim nga të dyja palët. Nëse njëra palë e kontestit nuk pajtohet me “korrigjimin” kjo do të thotë se nuk mund të ketë marrëveshje. Pikërisht këtu bien tezat se kjo marrëveshje mund të ketë një efekt domino to shtetet tjera në Ballkan – si Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, apo edhe në vendet tjera të BE-së ku ka pakica me tendenca separatiste. /KDP

 

Të fundit