E enjte, 18 Gusht, 2022

Lojtarët e mëdhenj rreth Fuçisë së Barutit 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Gadishulli Ballkanik përgjatë zhvillimeve historike ka shërbyer si nyje nevralgjike e konflikteve gjeopolitike me ideologji konkurruese e shfaqur herë përmes sistemeve politike qeverisëse, kulturës, religjionit e deri tek përplasjet drejtpërdrejta ushtarake. Duke qenë një rajon i ndarë thellësisht mes etnive të ndryshme që ushqejnë marrëdhënie armiqësore kundrejt njëra tjetrës, situatë apo proces i njohur si Ballkanizim, aktorë të jashtëm nuk hezitojnë të ndezin fitilin e kësaj Fuçie Baruti për të avancuar pozitat e veta në tavolinat ku luhen lojërat e mëdha të politikës globale.

Pas rënies së murit të Berlinit, që ishte edhe fillimi i fundit të Bashkimit Sovjetik dhe luftës së ftohtë 50 vjeçare, në Ballkan filloi shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë, një dhjetëvjeçar i mbushur me gjenocid, masakra e tragjedi njerëzore. Harta e sotshme e Ballkanit ende krijon tensione, pasiguri dhe armiqësitë e vjetra mbahen të shtypura nga vizioni dhe përkushtimi për të ardhme të përbashkët Evropiane. Dhe në fakt, kjo është alternativa kryesore të cilën si strategji nacionale e kanë vendosur për prioritet të gjitha shtetet, disa prej të cilëve si Bullgaria, Kroacia, Rumania dhe Sllovenia kush më herët e kush më vonë janë bërë anëtarë të BE-së. Pjesa e ngelur, apo siç tash më i referohen Shtetet e Ballkanit Perëndimor (SHBP), vazhdojnë rrugën e integrimit përplot pengesa.

Kjo situatë, lë zbrazëtirë dhe shteg që palë të treta, jashtë përcaktimeve strategjike të qeverive të SHBP-ve dhe mbështetjes së qytetarëve, të ndërhynë përmes një kombinimi të veglave konvencionale dhe jokonvencionale për të sabotuar rrugëtimin drejt integrimeve euro-atlantike, posaçërisht aderimit në NATO. Cilët janë lojtarët e mëdhenj rreth Fuçisë së Barutit?

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të – Përtej acarimit të fundit për politikat ekonomike mes administratës së Presidenit Trump, Bashkimit Evropain dhe Brexit-it që po ndodh, kjo aleancë është fuqimisht e vendosur mbi vlerat demokratike, shtetin e së drejtës dhe principin e tregut të lirë. Në këtë vijë ka një konsensus të palëkundur mes aleatëve perëndimor se cili është përkushtimi i tyre ndaj rajonit dhe si duhet të zhvillohen edhe SHBP-të. Me mbështetje të gjërë mes qytetarëve dhe përcaktim strategjik, qeveritë e SHBP-ve  janë në proces të reformimit për të arritur standardet e kërkuara dhe sigurimin e anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ndihma e vazhdueshme ekonomike në rregullimin e infrastrukturës, ndërtimi i institucioneve të fuqishme demokratike, transparente dhe llogaridhënëse, pavarësia e gjyqësorit dhe funksionimi i shtetit ligjor, ekonomi e fuqishme e tregut, shoqëri civile vibrante, ushtri profesionale e mbikëqyrur nga qytetarët, qytetarë aktiv dhe forcimi i vlerave demokratike në përgjithësi janë lartë në agjendën SHBA-ve dhe BE-së. Andaj edhe mbështetja e qytetarëve për integrimin në këto institucione kuoton mbi 80%.

Rusia – Real-politika globale bipolare e luftës së ftohtë u zbeh në fillim vitet e 90’ta dhe u duk që demokracia liberale, e udhëhequr nga SHBA-të triumfoi mbi sistemet tjera qeverisëse. Forcimi i Rusisë në periudhën post-privatizuese, me oligarkë të fuqishëm që janë në relacione të drejtpërdrejta me qeverinë e Putinit, rikthen garën për ndikim global. Natyrisht që Ballkani ka qenë në polin e influencës ruse  dhe rrënjët e ndikimit të saj janë historike, kryesisht përmes vijës pan-sllaviste dhe pan-ortodokse që përdor elementet kulturore, religjioze dhe historike për të krijuar aktor lokal për mbështetje. Përskaj diplomacisë, siç është rasti me mbështetjen e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e Dodikut në Bosnjë dhe Hercegovinë me donacione ushtarake dhe mbështetjen e kërkesës së tij për autonomi më të madhe (herë-herë për shkëputje të plotë) qeveria ruse përdor edhe investimet ekonomike në tregun energjetik, duke tentuar të vendos monopol kryesisht mbi furnizimin me gaz natyror. Duke ia shtuar këtu edhe sofistikimin e ndërhyrjeve hibride përmes dezinformimit klasik dhe lajmeve të rrejshme në rrjetet sociale nga media të lidhura me qeverinë ruse, kjo ndërhyrje në mënyrë aktive minon qeveritë e SHBP-ve në rrugën integruese, posaçërisht në NATO. Ky ndikim nuk ka për qëllim prosperitetin e rajonit dhe i shërben interesave ruse për të pasur një rajon i cili është gjithmonë i gatshëm të shpërthej në konflikte të reja, me institucione të dobëta dhe udhëheqës që lehtë korruptohen. I gjithë ky investim ka për qëllim të rris rolin e Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare përmes rolit destruktiv, që për fat të keq shpesh herë gjen mbështetës lokal të cilët i japin jehonë narrativeve pro-ruse dhe vendosin në shënjestër vlerat perëndimore të cilat i përkrahin shumica e qytetarëve.

Kina – Roli i Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë kryesisht i fokusuar në polin e vet gjeografik. Nën udhëheqjen e Xi Jinping dhe me forcimin ekonomik të dekadave të fundit, roli dhe apetitet kineze për ndikim global janë rritur dukshëm. Iniciativa multi-miliardëshe  për ndërtimin e projektit ‘’Rruga e re e Mëndafshit’’ ka për qëllim sigurimin e tregut për produktet kineze dhe rritjen e tregtisë globale, por në vete ajo ka për qëllim forcimin e pozitës së Kinës për dominim global. Duke përjashtuar vetëm Kosovën, iniciativa e Ministrisë së Jashtme Kineze, e njohur si CEEC 16+1, ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes Kinës dhe shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore në fushën e tregtisë dhe infrastrukturës. Pikërisht përmes iniciativave të tilla, qeveria kineze ofron kredi për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse rrugore, hekurudhore, ujore dhe ajrore që janë në kuadër të projektit për ndërtimin e Rrugës së Mëndafshtë. Por, problemi i këtyre kredive qëndron në normat e larta të interesit, mungesën e barrierave për keqpërdorimin e tyre nga pushtetarët lokal dhe cilësohet si grackë borxhi. Edhe në Ballkan, pothuaj të gjitha shtet janë shfrytëzuese të kredive kineze, ku më i rrezikuar nga varësia e borxhit është Mali i Zi ndërsa rasti më skandaloz ishte ai me ndërtimin e autostradave në Maqedoninë e Veriut, për të cilin rast është hapur proces gjyqësor për korrupsion kundër ish-kryeministrit Gruevski dhe ish-ministrit të transportit Janakievski. Ashtu si në rastin e Maqedonisë së Veriut, këto kredi janë tunduese për liderët Ballkanik të cilët për efekte elektorale duan ta zhvillojnë shpejtë infrastrukturën dhe njëkohësisht duke qenë dukshëm më pak të rregulluara se kreditë e Bankës Botërore apo BERZH-it për shembull, janë më të lehta për tu keqpërdorur. Ndikimit ekonomik kinez është në rritje dhe përveç ndikimit ekonomik ajo gradualisht rrit edhe shkëmbimet kulturore dhe akademike. Problemi këtu qëndron tek promovimi i  modelit kinez të qeverisjes, që në fakt është një diktaturë komuniste me ekonomi kapitaliste dhe vlerave që ai sistem i promovon. Në vijim pritet që përplasja mes Shteteve Perëndimore, në veçanti SHBA-ve dhe Kinës të rritet, posaçërisht në garën e teknologjisë së komunikimit bashkëkohor.

Turqia – Si pasardhëse e Perandorisë Osmane e cila 5 shekuj e ka pasur nën okupim këtë regjion, lidhja e saj me Ballkanin është historike. Presidenti aktual Erdogan dhe qeveria e tij, investojnë fuqishëm për të rritur ndikimin e tyre dhe prezenca turke ndihet fortë, posaçërisht në Shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndikimi i Turqisë vjen në të gjitha format, edhe përmes demokracisë publike edhe përmes investimeve ekonomike dhe infrastrukturore.  Ajo promovon kulturën turke duke u udhëhequr kryesisht mbi konceptin e njohur si Neo-otomanizëm që ka për qëllim të ndryshoj perceptimin e qytetarëve për pushtuesit Osman dhe të rivendos lidhjet e varësisë ndaj saj nga politikanët dhe aktorët lokal. TIKA, agjencia turke për bashkëpunim dhe koordinim, është instrumenti kryesor në ringjallje dhe konservimin e objekteve nga trashëgimia kulturore e periudhës osmane. Ajo investon edhe në rindërtimin e Xhamive të vjetra dhe në ndërtimin e atyre të reja, duke përdorur në këtë formë elementin religjioz atje ku ka qytetar të besimit Islam. Shteti turk, ndikon edhe përmes mediave të veta të cilat janë prezente në forma të ndryshme në të gjitha shtet e Ballkanit, ndërsa ndikimi kryesor vjen përmes shkollave nga cikli fillor deri tek studimet universitare dhe shkëmbimet e shumta akademike. Ky ndikim u vërejt më së shumti pas grusht-shtetit të dështuar në vitin 2016 dhe përplasjes së hapur mes Erdogait dhe klerikut Gylen, duke bërë presion të hapur, madje me tone kërcënuese drejt liderëve politik për dorëzimin e anëtarëve të lëvizjes Hyzmet. Ky ndikim mund të vijë me pasoja në rast të përshkallëzimit të përplasjeve mes shteteve të Perëndimit dhe Presidentit Erdogan, i cili duke përdorur si shkas dështimin e grusht-shtetit, uzurpoi të gjitha pushtetet përmes rritjes së kompetencave të presidentit, ngulfati demokracinë dhe e shndërroi Turqinë në një shtet me diktaturë hibride.

Përveç aktorëve të lartpërmendur, ndikim të vetin kanë edhe Shtetet e Gjirit Persik, posaçërisht Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat përveç investimeve ekonomike, për një periudhë më të gjatë se 20 vjet e promovojnë Vehabizmin si formë e praktikimit të Islamit, duke i radikalizuar besimtarët përmes organizatave humanitare dhe predikuesve fetarë të shkolluar në vendet arabe.

Së fundmi, Ballkani duket se po merr vëmendjen e duhur nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të ndërkaq hapësira e tij perëndimore e lënë jashtë këtyre institucioneve, gjithmonë do të jetë cak i forcave të treta për ta ndezur Fuçinë e Barutit, sa herë që t’ju duhet një flakë për mbuluar një zjarr diku tjetër.

Të fundit