E premte, 7 Tetor, 2022

Deputetë e ministra, “të dashuruar” në armë

Armëmbajtja është një dukuri mjaft e theksuar në shoqërinë kosovare. Shumica e personave që mbajnë armë, sipas statistikave zyrtare, i takojnë kategorisë së personave që mbajnë armë pa leje. Por, ka edhe persona që armëmbajtjen e kanë legalizuar për arsye nga më të ndryshmet.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth 270 leje të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për armëmbajtje nga personat fizikë. Në këtë numër hyjnë edhe politikanë, përfshirë ish-deputetë e ministra si dhe persona të tjerë,

Disa e mbajnë armën për rekreacion, gjueti e sport, e të tjerë edhe për sigurinë e tyre, ngase autoritetet përgjegjëse e kanë vlerësuar se janë persona që i takojnë kategorisë së kërcënuar.

Shkumbin Demaliaj, deputet nga legjislatura e fundit, tashmë e shpërndarë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ka një armë për të cilën posedon leje pesëvjeçare me mundësi vazhdimi.

“Armën e kam me leje, rreth një vit e gjysmë para se të kandidohesha për deputet. Është armë e shenjëtarie për sport dhe e mbaj me dëshirë edhe për faktin se me ligj është e lejuar”.

“E dua armën, e kam dashur edhe kur ka qenë lufta dhe e mbaj me krenari. Por, është armë e sportit, është armë për shenjëtari. Nuk e kam me leje të veçantë, e kam si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës që kanë drejtë të pajisen me armë të vogla”, thotë Demaliaj./REL

Të fundit