E martë, 9 Gusht, 2022

BALLKANI I BASHKËRENDIMIT PERËNDIMOR

Caktimi i Matthew Palmer si përfaqësues i posaçëm për Balkanin Perëndimor nga ana e SHBA-ve dhe shumë momente tjera angazhimesh të BE-së, duke filluar nga Pakti i Stabilitetit dhe deri te nisma e pagëzuar si Procesi i Berlinit që po fuqizon integrimin permanent të rajonit me standardet europiane, tashmë po krijojnë një viziondhe angazhim gjithëpërfshirës mbi rajonin problematik, por edhe shpesh të paragjykuar siç e definon në librin e saj “Ballkani imagjinar”, autorja Maria Todorova.

Autor: Bardhyl Zaimi

Perceptimi i Ballkanit Perëndimor si metaforë vonesash gjithnjë është determinuar nga një lloj brishtësie që shtrihet në kufijtë e së kaluarës “madhështore” dhe të ardhmes së pasigurtë. Gjithë ky perceptim historik i brendshëm, i vendeve të Ballkanit, por edhe gjithë perceptimin europian mbi gadishullin problematik trajtohet me aq kompetencë profesionale në librin “Ballkani imagjinar” (Imagining the Balkans) të autores Maria Todorova.

Libri trajton gjithë historinë ballkanike, por në të njëjtën kohë edhe perceptimin pezhorativ europian mbi këtë gadishull të trazuar që padyshim mbetet pjesë e gjeografisë së kontinentit të vjetër. Pikërisht, në kohë kur u botua ky libër që gjeti jehonë të madhe te bota shkencore perëndimore, dy vite më vonë për Europën Juglindore startoi një ndër prceset më shpresëdhënëse për të ardhmen europiane të rajonit, që u emërtua si Pakti i Stabilitetit.

Libri Todorovës konsiderohet si metaforë për Ballkanin, një reflektim intelektual dhe studimor që gjeti përkthim në disa gjuhë të botës. Për më tepër libri theksonte domosdoshmërinë për ta kuptuar këtë rajon si pjesë të Europës, duke shtrirë një vizion dhe intepretim përtej diskursve konfliktueze ballkanike dhe përtej perceptimeve skematike europiane. Nëpërmjet një qasje paradigmatike, libri ofronte inforamcion të bollshëm mbi historinë e Ballkanit dhe në të njëjtën kohë hapte një vizion të ri paradigmatik për të ardhmen e tij.

Vetëm dy vjet më vonë duket se Bashkimi Europian tashmë kishte përpiluar një vizion integrimi gjithëpërfshirës për vendet e Ballkanit që u njoh ndërkohë si Pakti i Stabilitetit. Mbase krejt rastësisht ky pikëtakim, kjo nismë europiane po përpiqej ta shkulte rajonin problematik nga simbolika pezhorative “ atje poshtë në Ballkan” në një dimension tjetër zhvillimi që tashmë po strukturohet në një Pakt për të stabilizuar levizjet tektonike të rajonit që shtriheshin thellë në histori.

Pikërisht, krijimin e këtij Pakti e vë në pah edhe studiuesi nga Kosova, Arben Hajrullai, në librin e tij “ Paqja afatgjate në Ballkan Perëndimor përmes integrimit në BE”.  Jostabiliteti, shkruan ky autor, që zgjat që nga viti i kthesës 1989 dhe konfliktet luftarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor e bënin gjithnjë e më të qartë se për një përafrim të suksesshëm të rajonit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike është e pashmangshme një strategji e unifikuar dhe konsistente, e cila nuk i trajton vetëm pasojat, por edhe shkaqet. “Kështu me Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore për herë të parë për tërë rajonin e Ballkanit u mendua dhe u veprua konkretisht, strategjikisht dhe me orientim nga e ardhmja”, shkruan Hajrullai.

Kumti për një qasje tjetër mbi Balkanin Perëndimor vinte në një kohë trurbulencash të shumta. Këshilli i Posaçëm i ministrave të jashtëm të BE-së më 8 prill 1999, në Luksemburg,  zëshëm solli konkluzionin strategjik: „Evropa Juglindore ka nevojë për një Pakt të Stabilitetit, nëpërmjet të cilit hapen gjasat për një proces afatgjatë të stabilizimit politik dhe ekonomik. Një strategji e tillë me shtrirje të gjerë do të mund të ndërtohej mbi iniciativat rajonale ekzistuese.”

Kjo është nisma fillimtare konkrete që po e vendoste tashmë rajonin në një perceptim tjetër europian dhe që po hapte horizonte tjera zhvillimi në përputhje me pritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përputhje me angazhimin e BE-së për ta integruar atë në hapësirën perëndimore. Gjithë relacionet tjera të vendeve të Ballkanit determinohen pikërisht nga Pakti i Stabilitetit që në fakt nënkuptonte një pardigëm tjetër integrimi.

Pavarësisht nga kjo paltformë politike dhe ekonomike europiane, Ballkani nuk ka hezituar të manifestojë gjatë tërë kohës padurime dhe diskurse acaruese, të cilat nuk kanë qenë në sinkron me këtë pritje dhe këtë horizont zhvillimi. Brenda kohës miliona euro janë derdhur nga BE dhe SHBA për të krijuar një sistem funksional qeverisjesh që do të bazoheshin mbi transparëncën dhe mbi gjithë atë që nënkupton qeverisja e mirë. Ciklikisht janë përsëritur defektet nga e shkuara, ndërkohë që infuzionet konceptuale europiane jo gjithëherë kanë mundur të mbarështrojnë qeveritë e korruptuara në Ballkanin Perëndimor.

Për t’i dhënë impulse më konkrete apsiratës për integrime dhe për ta fuqizuar vizioni fillestar të Paktit të Stabilitetit në vitin 2014, nga Gjermani ku po mbahej samiti i radhës i BE-së, u inicua Procesi i Berlinit , i cili nënkupton procesin e standardizimit, bashkëpunimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Për çdo vit, në kuadër të këtij procesi mbahen samite, të cilat përcaktojnë prioritet dhe fushat e investimeve të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me Procesin e Berlinit tashmë Ballkani Perëndimor nuk është vetëm, por ka një përkrahje afatgjate, stabile dhe të standartizuar për të përafruar vendet e Ballkanit drejt hapësirën së unifikuar të vlerave europiane. Me këtë nismë tashmë është kristalizuar rrugëtimi europian i vendeve të rajonit, pavarësisht nebulozave të ndryshme që mund të shfaqen në rrugë e sipër.

Dhe, padiskutim, mjegulla ndikimesh problematike gjithnjë kanë qenë të pranishme në Ballkanin Perëndimor. Gjithnjë e më tepër në nivel politikash dhe prononcimesh europiane është theksuar ndikim rus dhe së fundmi edhe ndikimi i Kinës në rajon. Pikërisht, në vijë me këtë shqetësim dhe në frymën e angazhimeve për një rajon të integruar, gjithjnjë e më tepër po fuqizohen prononcimet në nivele liderësh të shteteve europiane mbi imperativin për të strukturuar një strategji dhe një prani urgjente të BE-së në vendet e Ballkanit. Në vijë me angazhimin permanent dhe strategjik gjerman mbi Ballkanin edhe presidenti i Francës Makron ka kërkuar së fundmi nga diplomatët francëz që të punojnë për “ reintegrimin e Ballkanit”.

Pikërisht, duket se në këto frekuenca konvergjuese është edhe caktimi i zotit Mattheë Palmer si i përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga ana e SHBA-ve. Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se Palmer do të udhëheq përpjekjet për të forcuar angazhimin diplomatic amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe begatisë në rajon dhe për t’u përqendruar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore.

Caktimi i si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor është komentuar edhe nga publicistë të njohur. “Shtetet e Bashkuara nuk mund të gjenin një person më të mirë se Mattheë Palmer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar publicistit dhe gazetarit Tim Judah. Ai thekson se Palmer, me përvojë 25-vjeçare, e njeh shkëlqyeshëm rajonin dhe të gjitha figurat kryesore të tij.

Duket se BE dhe SHBA tashmë po manifestojnë një impenjim shumë më të madh në zgjidhjen e problemeve në Ballkan dhe në vendosjen e një paradigme aftagjate paqeje dhe zhvillimi në rajon në suaza të konceptit të zhvillimeve perëndimore. Bashkë me momentet paraprake të përcaktimit dhe të përforcimit të aspiratës integruese siç janë Pakti i Stabilitetit dhe nisma e pagëzuar si Procesi i Berlinit , duket se SHBA dhe BE tashmë po vendosin një përhershmëri politike perëndimore që nënkupton një process të pakthyeshëm integrimi për vendet e rajonit.

Një Ballkan “imagjinar” perceptimesh duale historike dhe politike tashmë po kthehet në një Ballkan impenjmesh dhe strategjishë konkrete që të ardhmes së rajonit i japin një qiell tjetër larg ndikimeve tjera, që më tepër e ushqejnë konfuzionin dhe konfliktualitetin historik.

Të fundit