E diel, 22 Maj, 2022

ZGJEDHJET NË KOSOVË DUHET TË PRODHOJNË NJË QEVERI PËR VENDIME HISTORIKE

Sa janë të sinqerta aderimet dhe çfarë mund t’i sjellin skenës politike në Kosovë? Cila nga qeveritë e ardhshme do të mund ta çojë mandatin deri në fund? Kush është figura më e përshtatshme për Kosovën në periudhën e ardhshme, e cila pritet të sjellë marrëveshjen historike me Beogradin?

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Kur më 22 gusht Parlamenti i Kosovës votoi për shpërbërjen e tij, skena politike në shtetin më të ri të Evropës filloi t’i ngjajë “merkatos” në futboll. Gati të gjitha partitë filluan të promovojnë prurjet e reja kadrovike nga rrethet intelektuale, universitetet, shoqëria civile dhe nga profesione e zanate të ndryshme.

Tani kur pritet ashpërsimi i fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit, partitë politike në Kosovë tentojnë që në momentet e fundit t’i ngjeshin radhët për të siguruar një rezultat më të mirë zgjedhor. PDK e Kadri Veselit, LDK e Isa Mustafës dhe VV e Albin Kurit kanë vendosur që të garojnë të vetme, ndërkohë që AAK e Ramush Haradinajt ka lidhur koalicion me PSD e Shpend Ahmetit, kurse NISMA e Fatmir Limajt do të garojë bashkë me AKR e Behgjet Pacollit. Pesë garuesit në zgjedhje kanë bërë paraprakisht të ditur kandidatët për kryeministër, kështu që kreu i qeverisë së ardhshme do të kërkohet midis Veselit, Kurtit, Haradinajt, Pacollit dhe asaj që quhet befasi – Vjosa Osmani të LDK-së.

Sa janë të sinqerta aderimet dhe çfarë mund t’i sjellin skenës politike në Kosovë? Cila nga qeveritë e ardhshme do të mund ta çojë mandatin deri në fund? Kush është figura më e përshtatshme për Kosovën në periudhën e ardhshme, e cila pritet të sjellë marrëveshjen historike me Beogradin?

PRURJET E REJA

Para se të kërkojmë përgjigje në këto pyetje duhet të kihet parasysh se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mbahen vetëm dy vite pas formimit të qeverisë së përbërë nga koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), apo ndryshe siç njihej – qeveria e komandantëve. Në krye të saj u vendos lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, një njeri të cilit në vitin 2005 i ishte ndërprerë mandati i kryeministrit nga një ftesë për gjykim në Tribunalin e Hagës. Zgjedhjet e parakohshme të para viteve ishin shkaktuar nga NISMA e Fatmir Limajt, e cila kishte iniciuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë PDK-LDK, të formuar në vitin 2014 dhe të udhëhequr nga Isa Mustafa.

Pra, janë këto zgjedhjet e dyta të parakohshme radhazi, të cilat erdhën si rezultat i po të njëjtës arsye – mosfunksionimi i qeverisë. Në fakt, moskoordinimi i autoriteteve shtetërore dhe politike kosovare në raport me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Beogradin ka qenë shkaku që ka çuar vendin në zgjedhje të parakohshme si para dy viteve, ashtu edhe tani. Derisa në vitin 2017 qeveria LDK-PDK kishte mosmarrëveshje lidhur me zbatimin e Marrëveshjes me Beogradin për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, tani PAN kishte dallime të pakapërcyeshme rreth tentimit të presidentit Hashim Thaçi që të çojë përpara agjendën e zbatimit të një marrëveshjeje që nënkupton “korrigjimin e kufirit” midis dy shteteve.

Së këndejmi, prurjet e reja të partive politike në Kosovë, apo aderuesit, mund të sjellin kualitet të ri në politikën kosovare, por jo një koordinim më efektiv të autoriteteve shtetërore e politike të vendit. Aderuesit duket se më tepër shërbejnë si “lojtarë sezonalë” politikë, që angazhohen në lojë për një përfitim konkret (post deputeti apo ministri), sesa si aktorë që mund të ndryshojnë filozofinë kacafyteshe dhe klanore midis partive edhe për çështjet e mëdha shtetërore, ku duhet lihen anash interesat e ngushta partiake.

Në disa raste, vlerësohet se lordët e politikës kosovare në masë të madhe tentojnë t’i shfrytëzojnë aderuesit si “idiotë të dobishëm” që të mbledhin sa më shumë vota, që më pastaj t’i lënë jashtë partive si limona të shtrydhur. Është e kuptueshme të ketë dyshime edhe për qëllimin e atyre që deri në momentin e shpalljes së zgjedhjeve në opinionin publik ishin të njohur si persona apartiak, e përnjëherë apo papritmas të bëhet e ditur aderimi në subjektet e caktuara.

Kyçja në politikë shkaku i mbrojtjes së parimeve, kauzave apo edhe ideologjive normalisht bëhet gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme të partive, kurse bashkëngjitja para fushatës parazgjedhore tregon vetëm për një pazar konkret midis subjektit dhe anëtarit të ri.

KANDIDATËT PËR KRYEMINISTËR

Edhe pse nuk ka asnjë anketë kredibile deri më tash, nga kandidatët për kryeministër dy duket të kenë një përkrahje më të madhe në opinion kosovar – Vjosa Osmani e LDK-së dhe Albin Kurti i VV.

E para u vlerësua si një befasi pasi për një kohë të gjatë ishte zëri i kritikës dhe i arsyes edhe brenda vetë subjektit të saj, duke i bërë opozitë liderit Mustafa. Si bashkëpunëtore e presidentit Ibrahim Rugova, e më pas edhe si shefe kabineti i ish-kryetarit Fatmir Sejdiu, Osmani duket një politikane me përvojë edhe me 37 vitet e saja.

Kurti, ndërkohë, zëvendësoi petkun e anarkistit me atë të një kandidatit për kryeministrit, por pa u reformuar në një segment shumë të rëndësishëm për Kosovën – raporti me shtetësisë së saj. Më konkretisht, Kurti vazhdon të refuzojë identifikimin me simbolet kombëtare (shtetërore) – flamurin dhe himnin – duke insistuar vetëm në simbolet etnike shqiptare. Mosnjohja e simboleve me të cilat identifikohet shteti do të thotë refuzimi i vetë shtetit, gjë që e bën të pakuptimtë dhe absurde garën e Kurtit për kryeministër. Është pa bazë logjike të pretendosh që drejtosh në shtet të cilit nuk ia njeh identitetin. Një situatë e njëjtë është e pranishme edhe te një pjesë e skenës politike të etnisë shqiptare në Maqedoni – e duan pushtetin, por jo edhe shtetin.

Si lojtarë me përvojë politike, në garën për kryeministër, me shumë gjasa janë edhe Veseli dhe Haradinaj. Sidomos kur bëhet fjalë për kalkulimet paszgjedhore, ku fiton ai që do të formojë shumicën parlamentare, pa marrë parasysh numrin e votave që ka marrë në zgjedhje. Përtej deklaratave dhe kundërshtimeve në opinion, pas zgjedhjeve çdo koalicion që do të prodhojë një qeveri legjitime e stabile do të jetë i mundur. Në këtë drejtim, nuk përjashtohet mundësia e ringjalljes së qeverisë LDK-PDK, ku do të bënin pjesë edhe disa parti tjera më të vogla.

Do të jenë votuesit ata që do të përcaktojnë se si do të duken institucionet e ardhshme dhe skena politike e Kosovës. Kryeministri i ardhshëm, që në fillim të mandatit, duhet të marrë disa vendime të guximshme në raport me zhbllokimin dhe arritjen e një marrëveshjeje finale me Beogradin, që do të rezultonte me njohjen reciproke të të dyja shteteve. Ky do të ishte një moment i dytë historik për Ballkanin, pas Marrëveshjes së Prespës që i vuri pikë kontestit tridekadësh midis Shkupit dhe Athinës e që hapi perspektivat euroatlantike për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. /KDP

 

 

Të fundit