E mërkurë, 5 Tetor, 2022

A MUND TË ÇLIROHET VETINGU NGA “KTHETRAT” E POLITIKËS?

Procesi i vetingut ka bërë hapin e parë. Nga deklarimet politike tashmë ky proces po kalon në një debat për mënyrën e realizimit të tij. MBP do të jetë institucioni i pare ku do të zbatohet dhe ku tashmë funksionon një grup punues. Ekspertët shprehen skeptikë, ndërkohë që kërkojnë edhe dekriminalizim të politikës. Ata vënë në dukje nevojën për përfshirjen e të gjitha institucioneve në këtë proces.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

 

Grupi punues për “veting” në MBP, ka mbajtur tashmë takimin e parë. Ky do të jetë institucioni i parë që do ta fillojë këtë proces, i cili pritet të shtrihet edhe në institucione tjera. Ka kohë që ky proces verifikimi përmendet në skenën politike, por deri më tani nuk janë dhënë kahje se çfarë realisht do të përfshijë dhe si do të realizohet.
Nga deklaratat politike, procesi i vetingut po kalon në hapa konkret. Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë institucioni i parë ku do të provohet të implementohet ky proces kompleks dhe që nuk dihet se sa mund të zgjasë. Tani për tani vetëm bëhet e ditur se ky proces i verifikimit të të punësuarve do të përgatitet mirë, më një bazë ligjore, ndërsa më pas do të dihet saktësisht si do të veprohet.

Sllagjana Taseva, njëra nga anëtaret e grupit punues të ngritur në MPB, thotë se procesi i verifikimit duhet të zbatohet nëpërmjet hetimeve, por edhe nëpërmjet kompetencave, aftësive, pronësisë, personalitetit dhe lidhshmërisë së mundshme me strukturat kriminale të personave që do t’i përfshijë “vetingu”.

VETINGU RIKTHEN BESIMIN E QYTETARËVE

Ekspertët thonë se vetingu është i patjetërsueshëm që institucionet të rikthejnë besimin e qytetarëve dhe për të shmangur rastet e tilla, si rasti i fundit “Reket”.

Vetingu është diskutuar edhe në sesionin e 6 të Konventës Nacionale për Integrim në Bashkimin Europian. “Ne kemi një sistem të avancuar gjyqësor, po ashtu kemi legjislacion dhe dokumente të shumta të cilat e rregullojnë këtë sferë, por për fat të keq akoma institucionet tona nuk kanë gatishmërinë që ta fitojnë besimin e qytetarëve. Pra, vetingu është proces i kontrollimit, me të cilin do të mbrohet integriteti i individit, e si rezultat i kësaj të vijmë deri tek integriteti i institucioneve”,ka theksuar profesoresha universitare, Mileva Gjurovska.

MPB është institucioni i parë që ka nisur procesin e vetingut. Fillimisht po kontrollohen të punësuarit në sistemin e sigurisë, por ende nuk dihet se kur i njëjti do të përfundojë në tërësi. Nga ky institucion kërkojnë që vetingu të përfshijë edhe institucionet e tjera.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka shkuar më larg në përgatitjet e procesit të vetingut, apo kontrollit të integritetit të individit dhe institucioneve. Por, sigurisht se ka edhe shumë çështje të cilat duhet të definohen se kush, si, dhe pse duhet të përfshihet në veting. Mendimi i ekspertëve dhe i MPB-së ka qenë se vetingu mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse i njëjti realizohet tek të gjitha institucionet e vendit”, ka theksuar sekretarja në MPB, Magdalena Nestorovska.

Përgjithësisht ekspertët vënë në dukje se procesi i vetingut mbetet i domosdoshëm për shoqëritë që po kalojnë nëpër një tranzicion problematik. Ata kërkojnë vendosjen e kritereve të qarta në bazë të të cilave do të bëhet kontrolli i të punësuarve.

VETING EDHE PËR POLITIKËN

Analisti politik Qenan Aliu thotë se zbatimi i këtij procesi kërkon disa muaj kohë. Ai shprehet skeptik në lidhje me procesin e vetingut, dhe e vlerëson si të dyshimtë. Aliu thotë se gjithçka lidhet me politikën dhe qytetarëve nuk mund t’iu ndryshohet bindja që kanë krijuar, se skena politike po dekriminalizohet “Jam skeptik, për arsye se gjithçka lidhet me politikën, derisa skena politike e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e kriminalizuar, ose qytetarët kanë besimin se bëhet fjalë për një skenë skajshmërisht të kriminalizuar, në bazë të së cilës është pabesueshmëri e theksuar. Edhe vetingu si proces do të jetë i dyshimtë. Një shoqëri së pari duhet të fillojë nga dekriminalizimi i skenës politike”, thotë analisti politik, Qenan Aliu.

Nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE kanë theksuar se procesi i vetingut “ka për qëllim përballjen me profesionistët dhe atyre që nuk janë nën kontroll politik të ministrit të MPB-së, Oliver Spasovski”. Ndërkaq partia shqiptare në pushtet BDI në vazhdimësi ka insistuar në procesin e vetingut. Nga kjo parti kanë kërkuar që ky proces të zbatohet në të gjitha institucionet relevante në vend.

Një hap konkret dhe shumë debat për çështjen e vetingut. Tash për tash ky është peizazhi që ofron ky proces i rëndë dhe tepër i komplikuar që nuk dihet sa mund të zgjasë. Përvojat nga vende të ndryshme përcaktojnë një kohë disa mujore. Përvoja sllovake tregon se kohëzgjatja e procesit varion varësisht prej karakterit të vetingut dhe peshës së informacionit. Në Sllovaki ka zgjatur nga 3 deri në 9 muaj. /KDP

Të fundit