E premte, 30 Shtator, 2022

Kaos i organizuar

Rrugët vazhdimisht shtrohen por kurrë nuk përfundojnë së ndërtuari.

Politikanët punojnë për popullin por gjatë gjithë kohës pasurohen për vete.

Të gjithë e luftojnë krimin dhe korrupsionin, e në ndërkohë vjedhin.

 

Autor: Sefer Selimi Jr.

 

Sa herë që vjen vera, vjen bashkë me mërgimtarët. Vëllezërit, motrat, prindërit, familjarët, miq e bashkëkombësit  tanë që hapin shtëpitë e mbuluara nga pluhuri i mungesës. Unë kam plotë të tillë për vete e nuk dyshoj që edhe çdo kush nga ju i pret me kalendar të shënuar këta ditë feste për vendbanimet e zemrat tona.

Mes tyre e kam një shok të afërt, ish student i ekselencës në UT-së i cili përtej të gjitha pengesave dhe cinizmit të rrethit, vazhdoi studimet pos-diplomike në Zvicër ku edhe punon në një kompani të madhe amerikane, nënshkrimi i të cilit sot vlen miliona franga në muaj. Modest, njerëzor dhe plotësisht i përkushtuar që me profesionalizëm dhe dinjitet të përmbush detyrat që i janë besuar. Sa herë që vjen, diskutimet tona zgjasin me orë të tëra dhe asnjëherë nuk përfundojnë, sepse as problemeve të këtij vendi nuk iu duket fundi. Si patriot që është gjithmonë brengoset për vendlindjen, ndonëse ky vend e rrëmbeu mijëra kilometra larg, pa ia dhënë shansin e merituar që të ndërtoj karrierë, familje dhe jetën këtu.

Në një nga netët e gjata të bisedave tona, më tregoi një histori, mbase pak e ekzagjeruar dhe për më tepër satirike por që në esencë ka shumë simbolikë:

Një institut i Zvicrës paskësh dërguar një ekspert të vetin që brenda një viti të bëj një studim mbi sistemin qeverisës në shtetet e Ballkan. Ta analizoj funksionimin e institucioneve dhe organizmin shoqëror e mes tyre të bëj një analizë krahasuese për të sugjeruar zgjidhjet dhe shembujt më të mirë, e kështu të ndihmoj në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe efikasitetin në shpenzimin e parave të qytetarëve. Ditë pas dite, intervistë pas interviste, institucion pas institucioni, bisedë pas bisede arrin në përfundim të studimit të tij. Pas një analize të stërmundueshme për të paraqitur situatën praktike në teren arrin të shkruaj vetëm dy fjalë: KAOS I ORGANIZUAR (organized chaos).
Natyrisht që historia me shumë gjasë është e sajuar por morali i saj është një fatkeqësi me të cilën ne mbijetojmë çdo ditë.

Kështu për shembull, paguan për ujë dhe nga çezma të rrjedh lëng i kontaminuar nga gypat e azbestit të cilat janë më të vjetra se shumica e qytetarëve.

Paguan për pastrimin e mbeturinave të cilat përfundojnë pak kilometra larg shtëpisë tënde për të tu kthyer sërish si tym kancerogjen.

Paguan për leje ndërtimore, ndërton ndryshe prej asaj që të është aprovuar dhe e kompenson me dy-tre banesa për shefat lokal të partisë.

Paguan gjithë jetën sigurim shëndetësor por kur të duhet më së shumti e paguan sërish mjekun i cili nuk hyn në sallë të operacionit pa e marrë haraçin e tij. E mos dhashtë zoti që sëmundja yte t’i tejkaloj kapacitetet e spitaleve (që në të shumtën e rasteve janë larg të standardeve bashkëkohore të mjekësisë) mblidhen farefis, dashamirë e filantropë për të paguar mjekimin tënd jashtë shtetit.

Paguan për mbrojte nga policia por shpesh të del që policia mbron krimin në vend të jetës dhe pronës tënde private.

Gjykatësit sjellin vendimet në emrin e  qytetarëve të këtij shteti por drejtësinë e vendos sekseri në zyrën afër që pret klientët me çmimoren hapur.

Biznesmenët nuk lënë të premte a të diel pa shkuar në xhami a kishë për të shfaqur devotshmërinë e tyre e ndaj Zotit dhe mirësisë, e ndërkohë paguajnë herezitë e tyre me djersën e papaguar të punëtorëve të tyre.

Rrugët vazhdimisht shtrohen por kurrë nuk përfundojnë së ndërtuari.

Politikanët punojnë për popullin por gjatë gjithë kohës pasurohen për vete.

Të gjithë e luftojnë krimin dhe korrupsionin, e në ndërkohë vjedhin.

Dhe lista e paradokseve të tilla vazhdon pafundësisht. Gjërat funksionojnë por asgjë nuk është siç duhet. Pafundësisht vazhdon edhe biseda me mikun tim se si është në Zvicër, se si është në vendet normale, se si është në institucionet ku puna vlerësohet mbi kriteret profesionale. Se si është të mos kesh frikë të sëmuresh dhe të kesh besim tek mjeku dhe spitali. Se si është të kesh guxim për të paraqitur krimin dhe mos kesh frikë që inspektori do ti tregoj kriminelit se kush e denoncoi. Se si është kur ligji vlen njësoj për të gjithë. Se si është kur e do shtetin tënd sepse ai kujdeset për ty.

Flasim edhe se si ky vend mund të bëhet më i mirë për të jetuar. Për ëndrrën e tij që të kthehet një ditë këtu jo si pensionist por si një profesionist që ka aq shumë për ti dhënë këtij vendi. Flasim për ide, projekte… Flasim derisa ngadalë atij i shuhet entuziazmi dhe me dëshpërimin me të cilin u largua për herë të parë, pret ditën kur do të kthehet në punë. Ditën kur do të kthehet në shtetin (e tij) normal, larg këtij kaosi të organizuar që të lë të marrësh frymë sa për të mbijetuar. Dhe dita vjen, ai shkon për tu kthyer sërish verën tjetër.

E ndërkohë, neve të tjerëve na ngelet ta mbajmë gjallë vullnetin dhe ta luftojmë kaosin e organizuar derisa të kemi një shtet normal, si ai i shokut tim. /KDP

Të fundit