E premte, 19 Gusht, 2022

ANALIZË E KDP: ÇFARË FSHIHET PAS LUFTËS TREGTARE SHKUP-PRISHTINË?

Nëse shihet struktura e barrierave të tregtisë së Kosovës me vendet tjera, të dhënat zyrtare thonë se 50 për qind e tyre vijnë nga Serbia, 22 për qind nga Shqipëria, 17 për qind nga Kroacia dhe vetëm 6 për qind nga Maqedonia apo Mali i Zi. Pse reciprociteti ka filluar pikërisht nga Maqedonia e V. e cila ka më pak barriera tregtare ndaj Kosovës?

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

 

Një tensionim i shpejtë i marrëdhënieve tregtare midis Kosovës dhe Maqedonisë së veriut ka shqetësuar komunitetin e biznesit, veçanërisht atë në Shkup. Oda Ekonomike e Maqedonisë ka reaguar me shqetësim lidhur me paralajmërimet e Ministrit të Tregtisë së Kosovës, Endrit Shala, se përpos për mjaltin dhe patatet ndaj fqinjit jugor mund të vendosen barriera edhe për produktet tjera.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave në Shkup të cilat i analizoi KDP, Kosova është në vendin e 12-të si partner tregtar i Maqedonisë së Veriut, por është shtet i vetëm me të cilin ka suficit tregtar – më shumë eksporton sesa importon. Këto të dhëna flasin se vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2019 Maqedonia e Veriut ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 140 milionë, ndërsa ka importuar mallra në vlerë prej 13 milionë eurosh. Për dallim nga periudha e njëjtë gjatë vitit 2018, eksporti i Maqedonisë në Kosovë është rritur për 40 milionë euro, ndërsa importi i mallrave kosovare është zvogëluar për 2 milionë euro. Kjo rritje e eksportit të mallrave nga MV në Kosovë vjen si rezultat i taksave prej 100 për qind që qeveria e Kosovës i vendosi për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, një zbrazëtirë në tregun kosovar që më shumë e shfrytëzoi pikërisht Shkupi.

FUNDJAVA SJELL MARRËVESHJEN?     

Gjatë ditës së mërkurë Kosova dhe Maqedonia e Veriut u dakorduan që deri në fund të javës do ti heqin barrierat tregtare ndërmjet të dyja vendeve. Premtimi u bë pas takimit që zhvilluan ministri në detyrë i Tregtisë së Kosovës, Endrit Shala, me Ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. Dy ministrat u pajtuan që fillimisht të zgjidhen problemet e programit të monitorimit aktiv.

“Agjencia jonë e Veterinës deri të premten do të sigurojë atë të Maqedonisë për programin e monitorimit aktiv me qëllim që AUVK në Maqedoni ta ketë më të lehtë që pastaj atë produkt ta tregtojë në BE. AUVK në Maqedoni gjatë kësaj jave pritet ta heqë barrierën ndaj Kosovën, por në momentit kur dy palët i përfundojnë këto atëherë do ta eliminojnë masën e vendosur nga ne si MTI”, tha Endrit Shala, ministër në detyrë i tregtisë, pas takimit me homologun e tij nga MV.

Ministri Bekteshi, ndërkaq, tha se masa nuk është ndërmarrë vetëm për Kosovën, por për të gjitha shtetet që nuk e zbatojnë programin e monitorimit aktiv sa i përket produkteve të peshkut.

“Në momentin që AUV nga Kosova dëshmon që do fillojë me implementimin e programeve atëherë ne do të lejojmë importin e këtyre produkteve në vendin tonë. Bashkëpunimi për ne është në interes të zhvillohet dhe thellohet”, tha ai.

LUFTË TREGTARE ME PRAPAVIJË POLITIKE

Fundi i javës pritet të jetë vendimtar për heqjen e barrierave tregtare Kosovë Maqedoni. Kosovës i mbetet të garantojë për programet e monitorimit aktiv. Sipas ish-ministrit të Financave, Xhevdet Hajredini problemet e kësaj  natyre kanë prapavijë politike.

“Sipas  mendimit tim, paraqitja problemeve të kësaj natyre, kohë pas kohe në mes Maqedonisë dhe Kosovës,  nuk më duket krejtësisht e arsyeshme dhe se ka shfaqje serioze për atë. Më tepër bëhet fjalë për mungesë  të  dëshirës dhe qëllime  të propagandës politike, veçanërisht këtu në Maqedoni”, shprehet Xhevdet Hajredini.

Hajredini pyet: “në qoftë se paska pasur dhe ka zgjidhje brenda një jave, pse është paraqitur ky problem?”. Sipas tij, probleme të këtilla  është dashur që të ndalohen me kohë, aspak mos të paraqiten.

“Kur bëhet fjalë për çështjet me Shqipërinë dhe Kosovën, partia politike shqiptare ne pushtet, veçanërisht është e interesuar te  paraqitet se gjoja është bartëse e politikave  te shkëmbimit tregtar ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Jo rastësisht ky problem me shume paraqitet me Serbinë dhe Kosovën për shkak te miellit dhe problemeve te tjera, ne ranglistën e tyre sikur primare i kanë këta probleme, sikur me qëllim i sajojnë këto probleme që menjëherë pas asaj të thonë se i zgjidhin”, thotë Haredini.

MAQEDONIA E VERIUT ËSHTË PENGUESJA MË E VOGËL E TREGTISË SË KOSOVËS

FOTO: KDP

Vendimi për reciprocitet në tregtinë me Maqedoninë e Veriut, sipas analistit Xhelal Neziri, ka prapavijë politike dhe ndërlidhet me zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare në Kosovë.

“Në kohën kur ka të hapur luftën tregtare me Serbinë e Bosnjëne Hercegovinën, Kosovës nuk i duhet edhe një front tjetër duke problematizuar një pengesë administrative me Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk besoj se do të jetë në dobi të ekonomisë së ndonjërit nga vendet fqinje”, ka thënë Neziri për gazetën Koha Ditore.

Nga ana tjetër, ka theksuar ai, “Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut duhet të jetë më proaktive në drejtim të parandalimit të masave të këtilla që dëmtojnë ekonominë e vendit”.

“Problemet teknike që kanë të bëjnë me analizat dhe licencimin nuk duhet lejuar të jenë një pikënisje e një konflikti tregtar Kosovën, si një partner i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë së Veriut. Kosova gjendet në listën e dhjetë vendeve të para për nga eksporti i mallrave nga Maqedonia e Veriut, ndërkohë është vendi i vetëm me të cilin ka suficit në shkëmbimin tregtar”, ka deklaruar Neziri.

Sipas tij, nëse shihet struktura e barrierave të tregtisë së Kosovës me vendet tjera, të dhënat zyrtare thonë se 50 për qind e tyre vijnë nga Serbia, 22 për qind nga Shqipëria, 17 për qind nga Kroacia dhe vetëm 6 për qind nga Maqedonia apo Mali i Zi.

“Me Serbinë dihet natyra e barrierave, ndërkohë problemet e eksportit me Shqipërinë lidhen me mosnjohjen e analizave të eksportit për prodhimet bujqësore kosovare nga autoritetet shqiptare. Arsyet e njëjta paraqiten edhe në eksportin e mishit në Maqedoninë e Veriut, së fundmi edhe të peshkut dhe rasatit të tij”, ka thënë Neziri.

“Masat e reciprocitetit mund të jenë legjitime për shtetin e Kosovës dhe të sjellin popullaritet për funksionarët e atjeshëm, por mendoj metoda e imponimit apo e kërcënimit nuk është rruga e duhur për përmirësimin e shkëmbimit tregtar”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Kosova i vendosi Maqedonisë së Veriut taksë ndaj produkteve të mjaltit dhe patateve, pasi që kjo e fundit vendosi taksë për peshkun dhe ikrat, me arsyetimin se Agjencia e Ushqimit të Kosovës nuk është e akredituar sipas standardeve evropiane. /KDP

Të fundit