E premte, 7 Tetor, 2022

ZIGZAG: PËR BATAKÇINJTË E MAKUTËT (TANË)…

Meteorologët thanë që kjo verë do të mbahet mend si më e nxehta në 140 vitet e fundit. Punë e Zotit, do të thoshte Haxhiu im, ndërsa specialistët e fushës të rikujtojnë punën e ngrohjes globale…Këtë verë, në hapësirat politike shqiptare, do ta mbajmë mend edhe për të bëma që ta rikujtojnë atë të moçmen që thotë se nuk i bihet murit me kokë, pa çka se kjo eshkreta rradake, mund t’na ketë marrë erë!

Autor: Seladin Xhezairi

1. Presidenti Stevo Pendarovski, në njërën nga paraqitjet e tij të fundit publike, foli hapur për aktualitetin në vend. Të mbërthyer nga pëlcitja e bombave që shpërfaqin batakçillëkun dhe makutërinë e batakçinjëve dhe makutëve tanë, tha diçka që kaloi si nëpër vesh të shurdhër. Në fakt, foli për mosfunksionim të sistemit. Disa vjet pas diagnozës për ‘shtet të kapur’, disa vjet pas ndërrimit të pushtetit: ‘Institucionet vitale të këtij shteti nuk funksionojnë, nuk i servisojnë qytetarët dhe nuk po e luftojnë krimin dhe korrupsionin në atë nivelin që është i domosdoshëm për të thënë përfundimisht se jemi demokraci e pjekur. Jo vetëm demokraci në tranzicion,’ – deklaroi Pendarovski për seksionin maqedonas të Zërit të Amerikës.

Komentet e tij pasuan megaskandalin e fundit ‘Zhvatja’, ku të paktën një afaristi i janë marrë 1.5 milion euro për të shpëtuar nga një proces gjyqësor, e në të cilin, përveç dy personave të paraburgosur, dyshohet të jetë e implikuar edhe prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.

E tha dhe askujt nuk i bëri veshi – tërr! Në fakt, nëse do të mund të quhej reagim, pasoi vendimi i Qeverisë për ngritjen e një komisioni për luftimin e krimit e të korrupsionit, një veprim ky që u jep të drejtë atyre që shumë moti kanë pas thënë se ‘nëse dëshiron të heshtësh një problem, për të mos e zgjidhur kurrë, krijo një komision’!

2. Në skenën politike shqiptare të Tiranës ka kohë që zhvillohet një betejë e ashpër, edhe mediatike, mes pozitës e opozitës për kahet e veprimeve, po qe besa edhe të përcaktimeve. Si rrjedhojë e përplasjeve turrevrap, prandaj rrihet aq ujë në tavan, për ‘orientin’ e ‘oksidentin’, prandaj flitet me aq zell e zjarrmi për ‘tyxharë’ e ‘biznesmenë’ me gojën plotë ‘Europë e Amerikë’. Edhe atje, si në Maqedoninë e Veriut, një Zot e di se çfarë vjeshte do na sjellë kjo verë e skandaleve që zëvendësohen me shpejtësi marramendëse? Flitet për ‘Vetting’, ndërkohë që gjithandaj provohet se ‘Ligjin e bën Maliqi’. Faik Bej Konica, kushedi sa vjet më parë, e kishte pikasur mirë realitetin e hidhur teksa shkruante për ne se jemi “…trima të shërbojmë qëllimet e të huajvet; të dobët për punërat tona”.

Njësoj si Noli që në Marshin e Barabbajt nuk e fsheh mllefin: ‘O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!’
Allalla, o rezil e katil, allalla! – do thoshte Noli i madh edhe sot!

3. Ka muaj që Beogradi është hedhur në një ofensivë jo vetëm diplomatike për të zhbërë Pavarësinë e Kosovës. Në përpjekje për t’ju kundërvënë kësaj, Qeveria Haradinaj vendosi tarifat doganore për mallrat serbe dhe kjo çoi në ndërprerjen e negociatava që po zhvillohen nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian. Ndërprerja e dialogut, thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për zhbllokimin e tij dhe plasaritjet brendapërbrenda klasës politike kosovare në pushtet, po e çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme. Se çfarë shumice parlamentare do të prodhojnë ato, mbetet të shihet, por ekspertë e zyrtarë të administratës amerikane, të mësuar me teket tona ballkanike, kanë lënë të kuptohet se duan jo zgjedhje, por zgjidhje. Një marrëveshje të qëndrueshme e të pranueshme për të dyja palët. Zyrtari i dikurshëm i Pentagonit, aktualisht drejtor i Qendrës Penn Biden, Michael Carpenter, ka thënë se për shkak se këtë vjeshtë në Kosovë mbahen zgjedhjet, kurse në mot edhe në Serbi, nuk është optimist se Prishtina e Beogradi mund të bëjnë gjë, ‘…pa marrë parsysh që Parisi, Berlini dhe Uashingtoni i kushtojnë kësaj çështjeje më shumë vëmend’. Sipas tij, nuk është mirë që deri tani ndërkombëtarët janë përqëndruar në përmirësimin e vogël, të shkallëshkallshëm, të marrëdhënieve: ‘Vazhdimisht kam konsideruar se komuniteti ndërkombëtar nuk është angazhuar sa duhet për investime në Ballkanin Perendimor, sidomos për ato që kanë të bëjnë me zgjidhjen e konfliktit të Serbisë dhe Kosovës. Kjo duhet të jetë diçka e madhe, pra jo një ose dy miliardë dollar, por më shumë para që do të investohen. Fjala vjen, themelimi i fondin prej 10-15 miliardë dollarësh për stabilizimin e gjendjes në Serbi dhe në Kosovë nuk do të ishte përtej mundësive të BE-së. SHBA-të po ashtu mundë të marrin pjesë,’– i ka deklaruar Carpenter Zërit të Amerikës.

Kjo ka bërë që kjo ide, nga politika e ‘kulaçit dhe kërbaçit’ t’i bashkohet asaj për shkëmbim të territoreve e të popullsisë.

Gjithësesi: Vjeshta ka për të qenë e nxehtë. Të presim e të shohim! /KDP

Të fundit