E enjte, 18 Gusht, 2022

KLITHJA E HAMLETIT

Kjo është premisa e aksionit politik që pavarësisht nga të gjitha dëshpërimet, mosbesimet, zërat dhe fantazmat e nëndheshme individit, shoqërisë përgjithësisht duhet t’i japē rolin dhe vullnetin për të vazhduar, për të çuar përpara një idealizëm që edhe mund të përkthehet si utopi.

Autor: Bardhyl Zaimi

Nganjëherë vetëm njē shprehje, vetëm një refleks i një shkrimtari mund të përkufizojë atë që mbase teori të tëra nuk do të mundeshin. Për dallim nga vdekatarët e zakonshëm, shkrimtarët e kalibrit të përbotshëm rrokin esenca të përhershme. Ata artikulojnë realitete njerëzore dhe ndërvarësi tjera nga kjo botë që mbeten përhershmëri, që mbeten ana e thellë e realitetit njerëzor.

Të gjitha qasjet dhe interpretimet tjera padiskutim që mbeten kaq të nevojshme dhe të domosdoshme për shkak se shoqëria njerëzore dhe politika si një kryeshtyllë e organizimit të jetës qytetare- polisit nuk mund të mendohet jashtë këtyre diskurseve që bazohen në dije.

Shoqëria perëndimore është e këtillë siç është e përsosur në lirinë dhe rregullin e saj për shkak se që më herët të gjitha realitet e qenies njerëzore janë trajtuar dhe përpunuar në nivele filozofike dhe letrare. Shoqëria perëndimore, gjithë funksionimi i sistemit të saj institucional përfaqëson një emancipim të përhershëm të vetëdijes, një përbrendësim racional vlerash dhe principesh që tashmë janë kodifikuar në sistem universal lirish, drejtësie dhe dinjiteti individual.

Ballkani ndodhet larg nga kjo evolutë qindra vjeçare që ka krijuar individ dhe shoqëri të përgjegjshme, që ka krijuar vetëdijen politike për një qeverisje me drejtësi dhe transparencë të plotë.

Në Ballkan, në Maqedoninë e Veriut padiskutim ndodh e kundërta. Qeverisjet këtu mbeten thellësisht utilitare. Edhe shoqëria gjithashtu përkundër faktit që moral shitet me thasë. Nganjëherë të krijohet përshtypja se secili pret radhën për t’u bërë pjesë e “zhvatjes” së pushtetit. Çdo gjë duket si një skenë që vazhdimisht përsëritet. Edhe rasti më i fundit me aferën “Zhvatja” duket se e dëshmon këtë papjekuri politike, këtë utilitarizëm konstant që ka rrënuar çdo ëndërr të njerëzve. Jeta këtu frymon rëndë nën marshet partiake dhe mendjelehtësisë së pushtetit. Jeta këtu për çdo ditë dorëzohet përpara skndaleve, zhvatjeve dhe politikave improvizuese.

Faktet kokëforta flasin për zhgënjime dramatike. Flasin për dekompozim vullneti dhe mosbesim të jashtëzakonshëm të qytetarëve ndaj politikës të reflektuar në sa e sa anketa.
Në njërën anë ky realitetbi hidhur dhe kokëfortë, ndērsa në anën tjetër propagandat prtiake që servojnë ” botë të ndritshme”.

Po i kthehemi pērsëri sensit dhe artikulimit të shkrimtarëve. Me këtë rast do t’i citojmë tre shkrimtarë kalibër që mund të jenë tri premisa për ta deshifruar dhe për t’i dhënë kuptim gjithë kontekstit aktual në Maqedoninë e Veriut që rrezikon të degjenerojë në një emër të vetëm “Boki 13″.

Dostojevski shkruan se nuk ka gjë mē fantastike sesa realiteti. Kjo është premisa për të shmangur ekuivoket partiake dhe pēr ta parë realitetin në thellësinë e vetë. Te ” Fausti” Gētes ka një varg monumental ” Veç kape thellë jetën njerëzore”. Çdo interpretim i realitetit, i realiteteve politike do të duhej të shkonte pikërisht në këto thellësi, që në fakt e nënkupton gjithë sistemin e inkriminuar që metastazon në institucione dhe te elitat politike.

Dhe krejt në fund, po e sjellim klithjen e Hamletit të Shekspirit: Kjo botë u shthur, o prapësi, o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq”. Kjo është premisa e aksionit politik që pavarësisht nga të gjitha dëshpërimet, mosbesimet, zërat dhe fantazmat e nëndheshme individit, shoqërisë përgjithësisht duhet t’i japē rolin dhe vullnetin për të vazhduar, për të çuar përpara një idealizëm që edhe mund të përkthehet si utopi. Ky aksion politik nuk i nënkupton partitë politike të skematizuara që e ripërserisin vetveten në një variant tē përhershëm. Ky aksion politik e nënkupton shoqērinë civile, botën akademike dhe gjithë aktorët tjerë të jetës shoqërore që mund të krijojnë një sinergji për një vetëdije dhe evolute tjetër që ēshtë në sinkron me klithjen e Hamletit ” Kjo botë u shthur, o prapēsi, o dreq…”. /KDP

Të fundit