E martë, 9 Gusht, 2022

AFERAT NUK HARROHEN MË PAS TRE DITËVE

Nëse Zaev shpreson se duke imponuar tema tjera në agjendën publike dhe duke zvarritur rezultatet e hetimit do të amortizojë aferën, atëherë ai në mënyrë të pavetëdijshme shkon drejt humnerës politike. Pas 2016-ës, kur opinioni publik nga “bombat” i mësoi të gjitha prapaskenat kriminalo-korruptive të politikës, harresa dhe falja nuk mund të përdoren më si mjete për zgjidhjen e aferave.

 

 Autor: Xhelal Neziri

Kur më 15 shtator të vitit 2015 Parlamenti i Maqedonisë së Veriut kishte miratuar Ligjin për themelimin e Prokurorisë Speciale Publike, në opinionin publik ishte ngjallur shpresa se më në fund do të vendosej shteti ligjor. Tri prokuroret karizmatike të këtij institucioni të – Katica Janeva, Lençe Ristovska dhe Fatime Fetai – u panë nga qytetarët e këtij vendi me institucione të kapura si shpëtimtaret e sistemit shtetëror që prodhonte padrejtësi, pandëshkueshmëri dhe varfëri. Rezultatet e një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), të realizuar në prill të vitit 2016, treguan një përkrahje të madhe për PSP-në – 63 për qind e të anketuarve besonin në punën e këtij institucioni. Kjo ishte një befasi e këndshme, duke marrë parasysh se në anketat e kaluara institucionet e shtetit, posaçërisht ato të sistemit gjyqësor, gëzonin besim minimal në opinion. 

Anketa e IRI-t ishte realizuar në të njëjtin muaj (prill) kur ish-presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, kishte marrë vendim që t’i falte të gjithë personat që PSP-ja i kishte në shënjestër për investigim, duke u bazuar në materialet e përgjuara që lideri i opozitës, tani kryeministër i vendit Zoran Zaev, i kishte dorëzuar në këtë prokurori. Ky do të shënojë tentimin e parë i rrjetit të krimit të organizuar që të varrosë këtë institucion që riktheu shpresën e drejtësisë së madhe te njeriu i Maqedonisë së Veriut. Pikërisht ky vendim kishte nxitur më shumë njerëz të dalin në protesta më masive para presidencës, nga ku lindi edhe i ashtuquajturi “Revolucion Laraman”, i cili hapi rrugën e ndryshimit të pushtetit ekzekutiv.

Por, dy vite më vonë, anketa e realizuar nga televizioni kombëtar Telma dhe Qendra Maqedonase e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (MCMS) kishte nxjerrë rezultate dëshpëruese – shumica e të anketuarve (53 për qind)kishin deklaruar se nuk kanë besim në PSP-në. Kjo anketë ishte realizuar në dhjetor të vitit 2018, kur kjo prokurori kishte filluar të japë shenjat e para që çonin drejt dyshimit se bën “tregti me drejtësinë dhe ndikimin”. Vonesa të lëndëve, mungesë të aksionit në procesuimin e tyre, kthimin e dokumenteve të udhëtimit, lirim nga paraburgimi…bënin që çdo qytetar të pyetet se si është e mundur të ndodhë kjo. Aq më tepër kur materialet e përgjuara, apo “bombat”, që ishin publikuar nga Zaevi në kuadër të aksionit “E vërteta për Maqedoninë” tregonin në mënyrë eksplicite fajësinë e të dyshuarve.

maj të vitit 2017 pushtetin në Shkup e kishte marrë qeveria e re e Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë (LSDM) e udhëhequr pikërisht nga Zaev, i cili si kryeopozitar i kishte “plasur” bombat e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky moment kishte shtuar edhe më shumë presionin mbi PSP-në dhe Zaevin që të tregojë rezultate në sferën të cilën e përdori si kauzë për të ardhur në pushtet – luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Afera “Zhvatje” (Reket) ka varrosur përfundimisht besimin jo vetëm në Prokurorinë Speciale, por edhe në tërë sistemin e drejtësisë. Kjo aferë dëshmoi fuqinë shkatërruese të rrjetit kriminalo-korruptiv, i cili si me magji arrin të ngelë i paprekshëm nga ligji, pavarësisht se cila strukturë politike është në pushtet apo çfarë institucionesh themelohen për t’i luftuar ato. 

Kjo aferë tregoi se edhe qeveria e re e kryeministrit Zaev ka një pjesë të madhe, të kalbur, e cila me shpejtësi po gllabëron tërë pushtetin. Që nga ardhja në pushtet e LSDM-së thuajse çdo ditë opinioni është tronditur me afera korruptive, nepotizëm e keqpërdorim detyre. “Hë, mos  më thoni se sot nuk ka ndodhur ndonjë aferë”, është tallja më e përdorur në rrjetet sociale nga ana e qytetarëve të vendit. Një tjetër kishte shkruar: “I kam forcuar muskujt e qafës duke e lëvizur kokën nga mosbesimi për skandalet që ndodhin”. Nëse do të kalonte edhe një ditë e vetme pa një aferëkorruptive, ato(qytetarët) padyshim se do të habiteshin se si ka mund të ndodhë kjo. 

A mund të kthehet situata në gjendje normale? Ka vetëm një rrugë – të dënohen të gjithë të përfshirët në aferën “Zhvatje”, pa marrë parasysh nëse ato janë funksionarë të lartë të LSDM-së, njerëz të afërt me Zaevin, prokurorë e gjykatës, apo edhe oligarkë të fuqishëm e të paprekshëm që blejnë lirinë e tyre me paratë e vjedhura nga taksat e qytetarëve. 

Deri më tani kryeministri Zaev dhe Prokuroria Themelore duket se kërkon të blejë kohë. Qeveria shpreson se edhe kjo aferë do të kalojë si aferat e mëdha gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së (2006-2016), në mënyrën “çdo çudi zgjat tre ditë”. Prokuroria Themelore, që duhej të zbatonte një hetim të shpejtë e efikas, shkoi në pushim kolektiv në kulmin e aferës. Kjo u pa si tentim për të shtyrë në harresë këtë skandal. Madje, edhe deklarata e kryeministrit Zaev se “nuk do të lejojë që një gazetar me sedër, disa kriminelë e një peder ta rrëzojnë qeverinë” u pa si tentim për të hequr nga kreu i agjendës publike temën e “Zhvatjes”. 

LSDM miratoi edhe një deklaratë për luftë kundër korrupsionit, ndërkohë që në emër të reformave shkarkoi edhe nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë, pasi disa prej tyre ishin parë në shoqëri me BojanJovanovskin, i njohur si Boki 13, kyepersonazhin e aferës “Zhavtja”. 

Nëse Zaev shpreson se duke imponuar tema tjera në agjendën publike dhe duke zvarritur rezultatet e hetimit do të amortizojë aferën, atëherë ai në mënyrë të pavetëdijshme shkon drejt humnerës politike. Pas 2016-ës, kur opinioni publik nga “bombat” i mësoi të gjitha prapaskenat kriminalo-korruptive të politikës, harresa dhe falja nuk mund të përdoren më si mjete për “zgjidhjen” e aferave. Vetëm një vullnet i sinqertë politik, që do të nxirrte para drejtësisë figurat më të fuqishme politike e të biznesit që kanë shkelur ligjin, do të mund të kthente besimin në sistemin shtetëror dhe të shpëtonte karrierën politike të kryeministrit. /KDP

 

Të fundit