E diel, 7 Gusht, 2022

MARRËVESHJA E OHRIT, MES MISIONIT DHE DËSHTIMIT

Analistët politik shprehen me qendrime të ndara. Për disa Marrëveshja e Ohrit nuk e ka dhënë provimin në frymën e krijimit të një shoqërie ku do të dominonte drejtësia e për të disa kjo marrëveshje e ka arritur misionin e saj.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

 

Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001 sot mbush plot 18 vite. Dokumenti kornizë i Ohrit, që u nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, e që për bazë kishte avancimin e të drejtave të shqiptarëve përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, duhej të zbatohej brenda katër vjetësh. Përkundër këtij afati të definuar fillimisht, shumë çështje që kishin të bënin me implementimin e plotë të kësaj marrëveshjeje nuk u realizuan me dinamikën e parashikuar. Brenda kohës pati shmangie nga kjo marrëveshje dhe vonesa, të cilat reflektuan padurime politike, por edhe interpretime dhe arsyetime për mospërmbushjen e obligimeve.

Nuk kanë munguar brenda kohës edhe përplasje politike për sa i takon implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila herë quhej “ e vdekur” e herë si një bazë solide për barabarësinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Edhe 18 vite më pas, vlerësimet mbi këtë marrëveshje mbeten të ndara. Analistët politik shprehen me qendrime të ndara. Për disa Marrëveshja e Ohrit nuk e ka dhënë provimin në frymën e krijimit të një shoqërie ku do të dominonte drejtësia e për të disa kjo marrëveshje e ka arritur misionin e saj. Sipas njohësit të rrethanave politike, Mersel Bilalli, që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e Veriut ka avancim serioz në aspektit etnik. Bilalli vlerëson se Marrëveshja e Ohrit ka dështuar në frymën e krijimit të një shoqërie ku do të dominonte drejtësia dhe shoqëri jo partiake. “Çështja duhet trajtuar në mënyrë selektive dhe në disa segmente. Sa i përket aspektit entik kemi avancim serioz, mbetet mangët fryma e marrëveshjes dhe krijimi i një shoqërie civile, qytetare, jo partiake, që të dominojë drejtësia, dhe në këtë drejtim marrëveshja e Ohrit nuk e ka dhënë provimin e duhur”, thotë analisti Mersel Bilalli .

Një nga pjesëmarrësit në bisedimet që rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit, Naser Ziberi, thotë se kjo marrëveshje e ka arrititur misionin e saj, duke e penguar futjen e Maqedonisë në një luftë qytetare dhe gjithashtu u ndryshua statusi juridik edhe i shqiptarëve edhe i komuniteteve tjera jo shumicë. Sipas tij, ende ka elemente për t’u plotësuar. “Marrëveshja e Ohrit 18 vite pas padyshim është një ngjarje historike për Maqedoninë e Veriut. Mendoj se e ka arritur misionin e saj, duke pasur parasysh se dy qëllimet kryesore të saj janë arritur, u pengua hyrja e Maqedonisë në një luftë qytetare siç e kishim në ish republikat e Federates Jugosllave, dhe u ndryshua statusi politiko juridik dhe kushtetues edhe i shqiptarëve, por edhe i komuniteteve tjera jo shumicë”, thotë analisti politik, Naser Ziberi. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar ndërmjet faktorëve politikë maqedonas dhe shqiptarë i dha fund konfliktit të armatosur, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Ziberi thotë se ky dokument në thelb kishte ndërprerjen e armiqësive, zhvillimin e pushtetit të decentralizuar, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë, të drejta për arsim të lartë për shqiptarët, përdorimin zyrtar të gjuhëve për etnitet e përfaqësuara mbi 20 për qind, shprehjen e identitetit etj. /KDP

 

Të fundit