E martë, 9 Gusht, 2022

IDELIZMI PËR NAIVËT, SHEMBJA E SKEMËS SË PROFITERËVE MEDIALË

Do të ishte rrëfim për naivët që një Boki 13 të ketë shpikur mënyrën se si bëhen paratë në një medium, për të vërtitur miliona nëpër duart e tij, sa ndoshta me vite disa televizione me renome nuk kanë munduar t’i sigurojnë rrugës normale, pa një “ndihmesë” vendimtare

 

Shkruan: Daut DAUTI

 

Nga akuza, mënia e zilia, deri te keqardhja. Ja, kështu, brenda vetëm një jave, mund të komentohet fati i TV1-shit të famshëm, të cilin e vuri në këmbë dhe e plandosi në tokë, një person kontrovers në çdo pikëpamje: Boki 13 (Bojan Jovanovski). Ky person(azh) i realiti shou-ve serbe, me rrënjë nga Maqedonia, me përcaktime jotradicionale jetësore e me imazh ose profil fizik modern që dikush e quajti botoksoman(s’dihet ku nuk ka futur botoks apo silikon në trupin e tij), paska qëndruar pas televizionit TV1, që lindi para një viti e katër muaj, 29 mars 2018 e u shua të mërkurën, 24 korrik 2019.

Skema e Robin Hudit

Është fenomen paraqitja e këtij televizioni, sepse lindi fill pasi nga burgu kishte dalë ish-pronari i A1-shit dhe të gjithë kanë pritur kthimin e televizionit më të shikuar para se qeveria e Gruevskit ta mbyllte me akuzat për të evazion fiskal. Bile kur një kohë të gjatë u paralajmërua me pllakate të mëdha një TV që e përmbante 1-shin në emrin e tij, shumëkush mund të ketë menduar se ky do të jetë televizioni trashëgues, pasi në reklama paraqiteshin shumë nga ata që kishin qenë dikur në A1-shin. Por, asgjë nga TV A1-shi, sepse në skenë erdhi 1TV-ja, tjetër. Lamtumirë përjetë TV A1!

Shumëkush këtë televizion e konsideronte projekt të LSDM-së, pasi siç spekulohej, më mirë një TV i ri, se një A1 i vjetër me pronarin “e pasigurt” e “të rrotullueshëm”, i cili ka ditur gjithnjë të lëvizë me politikën redaktuese. Pushtetit të ri do t’i ndihmonte një televizion “më i sigurt”, prandaj dhe ky me emër që asocon në të parin, por është tjetër. Ky TV u bë interesant, pak kohë para se të plaste afera “Reket”, sepse në Agjencinë e Medias dhe Shërbimeve Audio-vizuele, ishte aktualizuar pronësia e këtij televizioni, sepse sipas ligjit nuk guxon të ketë pronësi të fshehtë, kurse Bojan Jovanovski që nuk figuron si pronar, vetë kishte deklaruar më parë se ai është pronar. Çështja mori kahe të papritur para se të merrte epilog në Agjencinë e medias kur Prokuroria Publike, kur iu vunë prangat pikërisht pronarit të saj të fshehtë, por me pretekst krejt tjetër.

Me këtë u zbulua reketi i përmasave të mëdha ndaj një biznesmeni që e ndiqte PSP-ja, e spekulohet edhe për më shumë të tillë, që pronari i fshehtë i televizionit ua ka bërë atyre në emër të reklamimit në TV e me premtime se ai do t’ua lehtësojë gjyqin për lëndët që i kanë në PSP! Telefoni që iu mor atë natë kur plasi afera kryeprokurores speciale, Katica Janeva, e cila disa orë më herë kishe dhënë dorëheqje që të mos jetë objekt pazaresh politike për statusin dhe fatin e PSP-së, krejt vëmendja dhe habia u orientua te ajo. Një koincidencë në të cilën askush nuk beson. Vallë është e mundur?! Humbja disaditëshe, me spekulime për humbje telefonash, dhe dalja e shkurtër për media, vetëm përkohësisht i dha jetëgjatësi fatit të saj, por gjërat duhet të sqarohen në periudhën që pason. Në bazë të asaj çfarë ka shkruar tepër intensivisht një kohë më të gjatë, pronari i portalit Plusinfo.mk., Branko Gerovski, bëhet fjalë për “bashkim kriminal…”, në të cilën janë të kyçur edhe shumë të tjerë që të arrihet te 13 (Boki 13), ku përveç personave të afërt të Zaevit, është fjala edhe për involvimin e ndonjë prokuri, si “koka e bandës”…Interesant sa s’bëhet më shumë, për të rrënuar një koncept drejtësie që duhej t’i ndëshkonte gjithë ata që kishin keqpërdorë pushtetin për vepra të njëjta si kjo!

S’do mend se figura e Boki 13-shit u bë sinonim i kulmit mafioz të keqpërdorimit të mediumit. Kush ka ditur më parë për kapacitetet profesionale të tij? Përveç atyre realiti shove ku ka marrë pjesë dhe për gardërobën e çuditshme, që shumëkujt ia fuste krupën, me sa mëni dhe me shumë keqardhje, sepse ato i ka vënë në shërbim të një promovimi medial të vetvetes në mënyrën degraduese për njerëzit normalë. Mediumi televiziv premtues pikërisht nën dirigjimin e tij, flet se ai përveç atributeve të një shoumeni të pështirshëm, paska pasur edhe aftësi menaxheriale, që i bie që të ketë akumuluar kapital për të mbledhur tok emrat e njohur të gazetarisë, shumë prej të cilëve i kishte lënë pa bukë qeveria e Gruevskit me mbylljen e A1-shit.

Por, kjo që ndodhi, është goditja më e madhe profesionalizmit. Goditja më e madhe gazetarisë televizive dhe duhet të jetë edhe kthjellja më e madhe për profesionistët e vërtetë se ku mund të shkojë keqpërdorimi i mediumit. Tash, gjithë rasti është në duart e gjyqit se çka do të zbulojë dhe gjer ku ka arritur dora e zgjatur e këtij shoumeni publik e menaxheri parekselans që të fshehur, që kishte gjetur mënyrën se si të vijë deri te paratë për televizionin e tij, e me këtë dhe t’i joshë profesionistët më të mirët në tregun medial. Kjo është një goditje edhe idealizmit të atyre gazetarëve, të cilët gazetarinë e shikojnë si një profesion që interesin publik e ka mbi të gjithë. Sepse, me reket-gazetarinë e Boki 13-shit, janë dëshpëruar idealistët. Janë dëshpëruar edhe kalkulantët profesionistë, që s’u është kujtuar më parë kjo mënyrë e shantazhimit për të ardhur deri te milionat për kohë të shkurtër, ndërkohë që të tjerët as në ëndërr s’i kanë parë gjithë jetën. Por, rasti “Reket” tash do t’i dëshpërojë edhe manipulantët tjerë që futen në media me ndonjë kapital, që do të kishin dashur të provonin të njëjtën “formulë” si Boki 13, sepse e njëjta formulë më nuk do të pijë ujë për së dyti. Të paktën jo me këso shumash marramendëse.

Keqardhje përfundimisht ndjejmë edhe për ata profesionistë, të cilët më 24 korrik i fikën dritat e televizionit, edhe pse pak ditë më parë njëri prej tyre, Aleksandar Çomovski, ishte betuar se do të luftojë gjer në fund për ta shpëtuar atë (shumë shpejta e ka parë se një gjë e tillë është e pamundur). Keqardhja pikërisht për profesionistët të cilët i shkuan prapa një kreature të tillë, pa pyetur ose pa dashur të dinë se prej nga vijnë paratë e mirëqenies së tyre në këtë medium.

MEDIUMI SI VEGËL…

Deri këtu, do të ishte rrëfim për naivët që një Boki 13 të ketë shpikur mënyrën se si bëhen paratë në një medium, për të vërtitur miliona nëpër duart e tij, sa ndoshta me vite disa televizione me renome nuk kanë munduar t’i sigurojnë rrugës normale. Prandaj dhe rasti nuk është më vetëm medial, por është dhe politik e kriminal, përderisa në spekulimet gazetareske u apostrofuan pseudonime që lehtësisht u identifikuan si zyrtarë të lartë partiakë të Lidhjes Socialdemokrate.

Në gjuhën ezopiane, autori që u mor me këtë aferë para se organet ta shpallnin, ka përmendur pseudonime, për t’u kyçur tash edhe media tjera duke dashur të zbulojnë si ka funksionuar shema. Shema nuk është aspak e favorshme për kryeministrin Zaev, i cili, si tha prokurorja Vilma Ruskoska, vetë e ka denoncuar rastin dhe gjatë vizitës së eurokomisarit Johanes Han, të enjten, inkurajoi gjyqin ta hetojnë gjer në fund, pavarësisht se deri ku mbërrin edhe në radhët e bashkëpartiakëve të tij. Ajo që tashmë mund të thuhet me siguri, është se Boki 13 nuk ka pasur kapacitet as profesional, as menaxherial të bënte këtë lloj shantazhi pa ndihmën e njerëzve të pushtetshëm. Në shemën e përmendur flitet për një organizatë humanitare të Bojan Jovanovskit, fondet e së cilës janë bazë për televizionin e mëvonshëm. Ai fond “humanitar” me gjasë është filli i shantazheve(reketit) ndaj biznesmenëve.

Muaj më parë u përmend një biznesmen i cili publikisht e denoncoi shantazhin për t’i dhënë ndonjë banesë në emër të sponsorimit. Rasti përfundoi si përfundoi, por shema e një Robin Hudi modern (merr prej pasanikëve të keqij…), paska vazhduar të zbatohet duke iu sulur edhe biznesmenëve të tjerë, për të cilët ndoshta dhe janë gjetur fakte komprometuese, që ka qenë bazë e mirë që prej tyre të fitohen para për të mos i publikuar të palarat e tyre. Ndonjë medium në fillim kur plasi afera, nuk denjoi të thotë po mirë ua paska bërë…, ata fshih tatim prej shteti, Boki merr prej tyre…

PYETJE “TË RËNDA” SA S’KA MË…

Rasti “Reket”, do të preokupojë publikun e gjerë me pyetjet e rënda, për të cilat asnjë përgjigje nuk është e lehtë.

Boki 13, mund të dalë figura më minore në skandal. A ishte ai koka, apo vegla? Kush janë gjithë ata funksionarë të LSDM-së që janë të involvuar? (Disa që e njohën veten, dolën publikisht për të pohuar se emrat e tyre po keqpërdoren pa bazë). Çka do të rrëfejë Boki 13 para organeve gjyqësore, a do të digjet vetë, duke pranuar fajin, apo do të përmendë dhe emra dhe cilët? Çfarë dëshmishë posedon Prokuroria për të dhe për të tjerët?

Si është involvuar PSP-ja, “me vetëdije a pa të” (Janeva, së cilës iu mor telefoni nën dyshim, tha me asnjërën mënyrë), cilët prokurorë(e) janë (ë) (keq)përodur(a) ose involuar(a) (përveç K.Janevës, u përmend edhe një tjetër, e cila shumë shpejt u distancua nga përgjegjësia për zvarritjen e lëndës së Orce Kamçevit). Çfarë ka qenë roli i djalit të kryeprokurores që ka punuar në TV e Bokit? Mund të shtrohet edhe një pyetje më e rëndë: a është PSP-ja, pjesë e skemës për të zvarritë disa lëndë personash që Qeveria kishte nevojë për ta gjatë votimit për ndryshimet kushtetuese për emrin?

Në gjithë këtë, nëse del e vërteta për involvim të funksionarëve të lartë të LSDM-së, kjo do të jetë argumenti më i fortë për publikun se qeveritë vijnë e ndërrohen, por disa huqe nuk i harrojnë. Dhe për atë pjesë të publikut që mendonin se partneri i koalicionit, BDI-ja na paraqitka ndonjë pengesë për ta luftuar krimin, del se gjërat që dalin nga përmbajtja e incizimeve të El Çekës (dilema kush ia dha atij, mbetet e hapur!), janë shumë beninje kundrejt këtyre që po i shpalos rasti “Reket” ku mund të jenë të involvuar funksionarë të LSDM-së, prej nga një kohë bëhej një fushatë kundër BDI-së… Në fund, edhe një dilemë që e hapin vetë gazetarët: (S(A ka rol edhe korruptimi nga ana e biznesmenëve të atyre mediave që e zbuluan rastin, siç po akuzohen në mënyrë direkte ose indirekte, apo gjithë këtë zbulim e bënë nga motive profesionale?

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Të fundit