E martë, 9 Gusht, 2022

Boris Johnson – kryeministër i Britanisë së Madhe

Ithtari i madh i Brexitit, Boris Johnson është zgjedhur sot kryetar i partisë konservatore Tory dhe pasardhës i kryeministres Theresa May. Johnston do të zhgjedhet edhe kryeministër, shkruan DW.

Boris Johnston fitoi shumicën e duhur në bazën partiake dhe u zgjodh kryetar i partisë konservatore Tory në Britani të Madhe. Të drejtën e votës kanë pasur rreth 160.000 anëtarë të partisë, të cilët votat e tyre i kanë dërguar me postë. Boris Johnston në këtë mënyrë do të zgjedhet automatikisht edhe kryeminsitër i Britanisë së Madhe, në vend të Theresa May, e cila ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Emërimi i ish-ministrit të Jashtëm dhe kryetarit të bashkisë së Londrës, në postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe do të bëhet të mërkurën (24.07.2019). Pas emërimit ai do të pranohet edhe nga mbretëresha britanike.

Johnson ka premtuar se deri në fund të tetorit (31.10. 2019) do ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian – me apo pa marrëveshje për Brexitin. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE pa ndonjë marrëveshje paraprake, do të mund të shkaktonte probleme shumë serioze ekonomike për Britaninë e Madhe por edhe për Bashkimin Evropian, thonë ekspertët e ekonomisë.

Lideri i partisë laburiste Cobryn tha se dalja eventuale e Britanisë së Madhe nga BE pa marrëveshje do të dëmtonte shumë ekonominë e këtij vendi, që do të shoqërohej me shkurtime të mëdha të vendeve të punës dhe dëme të tjera. Ndërsa në reagimet e para nga Berlini thuhet se zgjedhja e Johnstonit për kryeminsitër mund të përkeqësojë raportet mes BE dhe Britanisë së Madhe.

Kryeministri i ri britanik ka përshëndetur rivalin, Jeremy Hunt duke thënë se ai ka “ide të mrekullueshme” të cilat ka premtuar se do t’i huazojë, raporton REL.

Boris Johnson (majtas) dhe Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt.
Boris Johnson (majtas) dhe Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt.

Për të, kjo fitore përbën “nder të jashtëzakonshëm”.

Ai po ashtu ka falënderuar edhe kryeministren në shkuarje për shërbimin e saj ndaj shtetit.

Sipas tij ka qenë privilegj që ka shërbyer në kabinetin e May-t, sepse ka parë pasion dhe vendosshmëri gjatë udhëheqësisë së saj.

Theresa May, ka njoftuar se më 7 qershor se do të largohet nga pozita e lideres së Partisë Konservatore në Britani, duke i hapur rrugën procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.

May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.

Pak minuta pas fitores së Johnsonit, lideri opozitar në Britani, Jeremy Corbyn ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se Johnson nuk e ka fituar mbështetjen nga shteti.

“Boris Johnson ka fituar mbështetjen e më pak se 100,000 anëtarëve jopërfaqësues të Partisë Konservatore, duke premtuar ulje të taksave për të pasurit, duke e prezantuar veten si mik të bankierëve dhe duke shtyrë përpara procesin dëmtues të Brexitit pa marrëveshje. Por ai nuk ka fituar mbështetjen e shtetit”, është shprehur ai.

Reagimet pas fitores së Johnson-it​

Presidenti amerikan Donald Trump ka përgëzuar Johnsonin për fitoren e tij.

“Urime Boris Johnsonit në pozitën e re si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Ai do të jetë i mrekullueshëm!” ka thënë Trump në një postim në Twitter.

Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Të fundit