E premte, 19 Gusht, 2022

Si Maduro!

Shkruan: Mero Baze

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë injoruar aktet jurdike të presidentit Ilir Meta, që ç’dekretoi zgjedhjet e 30 qershorit dhe ridekretoi një date të re zgjedhjesh, pa asnjë perspektivë për t’u zhvilluar. SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për zgjedhje më 30 qershor dhe kanë kërkuar nga opozita të tërhiqen nga thirrjet dhe frymëzimi për dhunë. Këtë thirrje e kanë përsëritur thuajse gjithë shtete kryesore të BE.

I zemëruar me SHBA dhe Bashkimin Europian, presidenti Ilir Meta, ka bërë ironi me thirrjen e tij publike për qetësi, ndërkohë që ka shtuar paralajmërimet, se në datë 30 qershor, Shqipëria do përgjaket.

Në takime të mbyllura me diplomatë, ai ka paracaktuar si përgjegjëse për dhunën e mundshme, qëndrimin e SHBA ndaj zgjedhjeve, ndërsa ka bërë të ditur se është i vendosur të japë data të tjera dhe nëse zgjedhjet nuk zhvllohen më 13 tetor, duke bërë të qartë strategjinë e mbajtjes së hapur të krizës përmes zyrës së presidentit.

Prej votimit nën presion të reformës në drejtësi më 2016, si kryetar Parlamenti dhe më pas si president, ai ka pasur në kokë planin për destabilizimin e vendit, para se të stabilizohej reforma në drejtësi.

Presidenti i vendit dhe Sali Berisha prodhuan krizën, me qëllim që të merrnin një pazar për reformën. Perëndimi është i vetëdijshëm për këtë gjë. Ai nuk mbështet Edi Ramën, por ka kuptuar se kriza po provokohet për të dështuar reforma. Ndaj po këmbëngulin tek stabiliteti politik, deri në mbyllje të reformës.

Dhe për këtë u është dashur të hyjnë në betejë me presidentin e Republikës.

Mungesa e perspektivës në rrugëzgjidhjet që ofron presidenti dhe qëndrimi i tij, dukshëm u qëllimshëm për rëndimin e situatës, ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian të pranojë si ligjore zgjedhjet e 30 qershorit, bazuar në vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe të presin Gjykatën Kushtetuese për të vendosur për fatin juridik të presidentit.

Por ajo që është e qartë politikisht, është se SHBA dhe Bashkimi Europian, nuk i njeh më aktet juridike të presidentit dhe po mbështet një proces bazuar tek ligjshmëria e verifikuar nga Kolegji Zgjedhor.

Qëndrimi i zotit Palmer dhe qëndrimi i sotëm i BE e OSBE e kanë kthyer praktikisht Ilir Metën, në Maduron shqiptar, duke mos e njohur më si president dhe duke injoruar aktet e tij. Dhe kjo tani është e ilustrueshme në çdo detaj, jo vetëm në qëndrimin që SHBA e BE mbajnë ndaj tij, por dhe në qëndrimet që ai mban ndaj tyre.

Ende pa u transmetuar e plotë intervista e zotit Palmer, shtypi i Ilir Metës dhe këshilltarët e rrethit të ngushtë të tij, filluan të shpallin Palmerin, agjent serb dhe vazhdojnë ta konsiderojnë SHBA e BE, si kancelari të mbushura me antishqiptarë, që duan t’i bien më qafë shqiptarit Ilir Meta.

Shqipëria prej sot ka praktikisht në zyrën e presidentit një rrogtar, të cilit i binden rojet e sigurisë dhe administrata e Presidencës, por që është në konflikt me qeverinë e Shqipërisë, parlamentin e saj, SHBA, BE dhe çdo gjë tjetër që e bën një president, institucion legjitim dhe të respektuar.

Ai është sot më shumë se i shkarkuar. Ai është i izoluar dhe i ndëshkuar paraprakisht për aktet e tij politike, që prodhuan krizën më të rëndë të historisë së Shqipërisë.

Ai është praktikish Maduro ynë, presidenti që nuk pranon shumicën në vend, dhe që i ka shpallur luftë SHBA dhe BE, duke ndëshkuar rëndë popullin e tij.

Krahasimi çalon vetëm në një pikë. Ky nuk ka ushtri, pushtet apo territor ku qeveris. Republika e tij nuk ka qytetarë, por bordero rrogtarësh. Ndaj dhe nuk e marrin aq seriozisht, por e injorojnë. Thjeshtë bëjnë sikur nuk e dëgojnë dhe shikojnë çfarë bën.

Të fundit