E premte, 7 Tetor, 2022

Shkëlzen Maliqi: Kultura është e gjallë kur është komunikuese dhe kapërcen kufijtë

Shkëlzen Maliqi – filozof, kritik arti, analist politik dhe intelektual – tregon se si jeta e tij personale ka shkuar paralel me ngjarjet më të rëndësishme në Kosovë. Që nga fundi i viteve ’80 dhe deri vonë ai ka qenë nismëtar në shumë projekte të dialogut për gjetjen e zgjidhjeve politike për Kosovën, por edhe në dialogun kulturor në marrëdhënie me serbët dhe fqinjët e tjerë në rajon, ndërsa në këtë bisedë Maliqi ndan çfarë është e vështirë edhe në raportet mes dy vendeve tona, si e sheh agjendën politike për të ndërtuar kalendarë të përbashkët kulturorë

 

Intervistoi: Violeta Murati

 

Prezantimet, kam përshtypjen, zbulojnë gjithmonë diçka të re te njeriu. Ju kush jeni, ka një identikit si mund të na e përshkruani natyrën tuaj, sidomos pas gjithë kësaj përvoje jetësore e profesionale?

Në jetë kam bërë punë të ndryshme dhe asnjëherë në profesionin për çka kam studiuar, si profesor i filozofisë. Po i numëroj disa nga aktivitetet dhe punët: rebel anarko-liberal i ’68-ës, konservator afreskesh, bibliotekist, përkthyes letrar, kolumnist për mediat kosovare dhe jugosllave, botues dhe redaktor revistash, korrespodent radiosh, themelues dhe udhëheqës i organizatave të shoqërisë civile dhe atyre politike, redaktor librash, drejtues fondacionesh të huaja, hulumtues i opinioneve publike, kritik arti, këshilltar politik… Nëse do ta përkufizoja veten në disa pika, do të thosha se afirmimin më të madh e kam arritur si publicist, intelektual i pavarur dhe aktivist i shoqërisë civile.

Nga rrethinat e Kukësit, mos gabohem, keni treguar se familja juaj ështëzhvendosur në Prizren. Ç’është kjo lëvizje? Si mund të na e sillni këtë fragment nga fëmijëria, çfarë është ngulitur tek…?

Zhvendosja që përmendët është e largët. Një katragjysh yni, nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX, pas një zënke familjare është larguar nga fshati Shtiqen i Kukësit dhe është vendosur në Prizren. Bëhet fjalë për 200 e ca vjet më parë, në kohën kur nuk ka ekzistuar kufiri dhe Prizreni ka qenë qyteti më i afërt ku Kukësi me rrethina kanë bërë pazarin. Kufiri është vendosur në shekullin XX dhe familja ime i kishte humbur kontaktet me Shtiqenin. Dimë vetëm se jemi të fisit Krasniqi, por jo cilës vëllazëri i takonim.

Me Prizrenin më lidh vetëm fëmijëria, aty i kam gjysmën e familjarëve të afërt, gjysma tjetër është shpërngulur në Turqi para 70 vjetësh. Por, prej se isha 16 vjeç e deri sot, unë kam jetuar në Prishtinë, pos periudhës së studimeve. Prizreni mbetet vend i kujtimeve më të bukura rinore dhe e vizitoj shpesh.

Në vitet 60 keni qenë student në Beograd. Në ç’atmosferë e sillni ndër mend? Çfarë ka ndikuar?

Në Beograd nuk kam qenë vetëm student, por kam jetuar dhe punuar një kohë, më saktësisht 16 vjet (1966-1982). Beogradi në atë kohë ishte qytet i hapur ndaj botës dhe mjaft liberal, duke ndjekur trendet botërore në shumë fusha, të paktën ato që mua më interesonin: përktheheshin pa vonesa librat më aktualë nga fusha e filozofisë, artit, letërsisë, kishte festivale ndërkombëtare të filmit, teatrit dhe muzikës, ku mund ku shihje veprat nga bota më në zë dhe më avangarde… Pos kësaj, nga viti 1967 jam kyçur në lëvizjen studentore; protestonim kundër luftës në Vietnam, juntës ushtarake greke, vrasjes së Che Gevarës, solidarizoheshim me protestat studentore në Gjermani, Poloni, Francë… Kulmi i angazhimit kanë qenë demonstratat në qershor të vitit 1968. Një javë qemë mbyllur në objektet e universitetit, mbanim mitingje kundër burokracisë dhe borgjezisë së kuqe… Titoja, kreu i regjimit në Jugosllavi, ishte i mençur, u dha të drejtë studentëve pothuajse për të gjitha kërkesat, por e bëri një ndarje mes shumicës që kishte të drejtë dhe një grupi ekstremistësh nga Fakulteti Filozofik i Beogradit, të cilit i takoja edhe unë… Patëm vazhduar si grup me organizimet, por mbetëm të izoluar. Jam larguar nga grupi pas dy vjetësh për t’u koncentruar në studime.

Filozof, kritik arti, analist politik dhe intelektual – çka qenë e parë, zanafillë, te ju? Çfarë keni besuar se është zotëruese?

Nuk kam pasur asnjë pasion zotërues, por kanë qenë disa që më kanë tërhequr njëkohësisht, ose suk-sesivisht. Ambiciet më të mëdha fillimisht i kam lidhur me poezinë, por shkruaja në gjuhën serbe dhe si tip introvert që jam, nuk kisha asnjë lexues të besueshëm e as që e merrja guximin që t’i botoja. E ndieja edhe një çarje identitare. Mendoja se si shqiptar do të duhej të shkruaja poezi edhe në gjuhën amtare, por nuk isha në gjendje, sepse shkollat i kam ndjekur në gjuhën serbe… Në vitin 1974-1975 botova dy shkrime mbi artin bashkëkohor konceptual në një buletin të takimeve të prillit. Më 1978 e kreva një studim mbi estetikën bizantine. Ishte punim diplome, por me vëllim si pu-nim doktorature. Kolegët më qeshnin pse nuk e kam ndarë punimin në tri pjesë: 50 faqe diplomë, 100 master dhe 360, sa i pata bërë, si tezë doktorature. Por unë kam qenë student atipik, e urreja sistemin shkollor dhe provimet… Studimin e pata bërë për qejf, jo tituj. Revista “Filozofske studije” i pati botuar 6 tabakët e librit, pjesën mbi konfliktin rreth ikonave në Bizantin e shek. VIII-IX. (Në shqip “Estetikën e arealit bizantin” e kam botuar në vitin 1999, vetëm pjesën e parë.) Më pas nuk kam vazhduar me shkrime filozofike, sepse më 1981 filloi kriza e Kosovës dhe Jugosllavisë, zhvillimet më çuan drejt angazhimeve publicistike dhe politike…

Prej vitit 1982 keni dhënë një kontribut të vazhdueshëm në mediat më të rëndësishme në Kosovë dhe ish-Jugosllavi – si do ta etiketonit këtë karrierëçfarë gjurmësh mban kjo përvojë?

Ka qenë një karrierë e nxitur nga ndërgjegjësimi dhe nevoja e reagimit ndaj krizës jugosllave, kur pati filluar fushata e egër antishqiptare në Serbi. Pas vdekjes së Titos në vitin 1980 dhe demonstratave në Kosovë në vitin 1981, shovinizmi dhe racizmi serb qe ringjallur dhe nuk kërkonte vetëm kufizimin e të drejtave të shqiptarëve, por na kërcënonte edhe ekzistencialisht. Atëherë punoja në Katedrën e Albanologjisë të Univer-sitetit të Beogradit dhe e pata studiuar literaturën anti-shqiptare serbe nga shekullit XIX dhe fillimi i shek. XX. Po ashtu edhe elaboratet e Vaso Çubrilloviqit dhe Ivo Andriqit për mënyrën gjenocidale të zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes dëbimit të tyre nga Jugo-sllavia. E shihja se si ky diskurs po fuqizohej dita-ditës në mediat serbe. Pata reaguar publikisht kundër tij në javoren “Nin” të Beogradit. Fillimisht e pata bërë si letër lexuesi, por u përkthye menjëherë në shqip te “Rilindja” dhe kjo më bëri me emër, – ka qenë kundërsulmi i parë publik në publicistikën shqiptare. Pastaj kam vazhduar të shkruaj analiza politike dhe jepja intervista në gazetat dhe revistat në qendrat e ndryshme të Jugosllavisë. Më 1987 më ftoi javorja sllovene “Telex” të shkruaj kolumne javore, më vonë shkruaja edhe për disa revista të tjera sllovene, kroate dhe boshnjake. Në vitet ’90 kam bashkëpunuar edhe me mediat britanike, gjermane dhe franceze. Kohëve të fundit jam përpjekur që të sistemoj disi publicistikën time dhe më ka rezultuar se për 35 vjet kam publikuar 2500 shkrime: ese, komente, intervista etj.

I angazhuar me artin, kulturën dhe publicistikën, – çishte përfshirja juaj në politikë, çfarë u bë shkak?

Në politikë jam përfshirë fillimisht si intelektual i pavarur me renome jugosllav, në kohën kur po kuptonim se Jugosllavia po shkonte drejt shkatërrimit stikik ku do të ngadhënjenin forcat nacionaliste dhe luftënxitëse, para së gjithash nacionalizmi më i fuqishëm serb, i cili angazhohej hapur për krijimin e Serbisë së madhe. Një grup intelektualësh nga qendrat kryesore të Jugosllavisë më patën ftuar në nëntor të vitit 1998 në një konsultë në Zagreb me rreth 25 pjesëmarrës, – tubimi qe sponsorizuar nga ambasada e SHBA-ve dhe zhvillohej pa prezencën e mediave, – ku debatuam për krizën e vendit, a mund të ketë rrugëdalje demokratike dhe çka mund të bëjnë konkretisht intelektualët dhe njerëzit e vullnetit të mirë në ato rrethana. Në këtë konsultë sugjeruam krijimin e një shoqate jugosllave për të hapur debatin rreth së ardhmes së vendit dhe kjo shoqatë u themelua në Zagreb më 2 shkurt 1989, si Shoqatë Jugosllave për Iniciativë Demokratike. SHJID-i nuk ishte parti, megjithatë, si ndërmarrje jashtë logjikës së sistemit të kontrolluar njëpartiak, pasi u lejua regjistrimi i saj, kjo shërbeu si precedent që në të gjitha njësitë federale të formohen partitë politike. Ato, madje, u regjistruan. Në Kosovë, atë vit sërish ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme, degën arritëm ta krijonim vetëm në fund të vitit, më 9 dhjetor, dhe pasuan LDK-ja më 23 dhjetor e partitë tjera pas shkurtit të vitit 1990.

Hyrja në politikë ka qenë kështu si një valë e cuna-mit historik që të përmbledh dhe të çon edhe atje ku nuk ke synuar fare. Kështu që, me disa shokë, pasi më 9 dhjetor themeluam shoqatën për demokratizim, pas dy muajsh, më 9 shkurt, zhvillimet më detyruan të jem nismëtar dhe hartues i programit nismëtar të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, madje pas një kohe u zgjodha kryetar i saj. Nga viti 1990 deri në fund të vitit 1993 kam qenë anëtar i Këshillit të Partive Politike Shqiptare dhe nga viti 1992 deri më 1998 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, që nuk u jetësua në atë format (Kuvendi nuk qe themeluar asnjëherë), pavarësia reale erdhi më vonë, u shpall në vitin 2008.

Shkelzen Maliqi

Është një asociacion  ditët e sotme të flitet për kulturën njëlloj sikur të flitet për politikëngrupime, rryma, ideologji… Çfarë e bën një shkrimtar  jetëpolitik, sidomos në hapësirën tonë?

Në sistemin monist ka qenë herezi çdo pluralizëm dhe organizimi i shoqatave e grupeve të pavarura të interesit. Ndërkaq, në sistemin e sotëm kemi fenomenin e ndasive dhe çarjeve, kemi disa shoqata të shkrimtarëve dhe të artistëve. Vetëm akademitë e shkencës dhe të arteve i rezistojnë kësaj mode, ende mbahen “monolite”. Kjo për arsye të dominimit të mendësisë hierarkike se, ashtu si shteti duhet të ketë një kokë, edhe shkenca dhe organizimet e tjera të asociacioneve shoqërore duhet të jenë transmisione që pasqyrojnë hierarkinë e shtetit.

E vërteta është, sipas meje, se mund të ketë më shumë akademi, jo vetëm një, duke prishur rendin që akademive ekzistuese u jep privilegje automatike të ekskluzivitetit. Meritore do të duhej të ishte puna kërkimore që bëjnë akademikët, që mund edhe të vetorganizohen dhe të aplikojnë për fonde publike, nëse kjo është e dobishme për shoqërinë. Për shembull, ashtu siç ekziston Akademia e Sienës, mund të kemi edhe Akademinë e Prizrenit.

Sa i përket pyetjes çka e bën një shkrimtar të jetë politik, nuk kam përgjigje. Nëse ata bëhen politikanë aktivë, kjo është zgjedhje individuale që zakonisht e pengon krijimtarinë e tyre letrare. Por shkrimtari e ka drejtën e qytetarit për të reaguar politikisht për çështjet e ndryshme, si çdo qytetar tjetër.

Pse ne, ashtu si edhe mentaliteti që zapton Ballkanin, gjithmonë nxitojmë për të arritur dhe kurrë nuk jemi në kohë me Europën? Sipas jush, çfarë momenti është ky i tanishmi për të dyja vendet?

Ndërtimi i modelit të avancuar të demokracisë bashkëkohore europiane ka qenë proces i gjatë, në disa raste shekullor. Ne jemi në fillimet e ndërtimit të sistemeve demokratike, gjë që nuk bëhet shpejt, pa u plotësuar parakushtet. Pastaj, unë nuk e shoh se më parë në histori paskemi nxituar drejt Europës dhe kemi dështuar… Përkundrazi, kemi pasur një vonesë të gjatë historike duke qenë nën sundimin osman pesë shekuj, por edhe pas kësaj periudhe praktikisht vendnumëro me komunizmin që solli elemente euro-piane të emancipimit dhe modernizmit, por jo zhvillim konsistent europianizues. Mendoj se tani po bëhen përpjekjet e para, në Kosovë dhe në Shqipëri, kur po na hapet rruga për Europën, vetëm se ende na mungojnë parakushtet sociale, ekonomike, politike dhe kulturore, si dhe instrumentet (vetë)kontrolluese të demokracisë (checks and balances) që konsiston në ndarjen e pushtetit në tri degë të pavarura: legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, ku asnjëri nuk duhet të jetë dominues. Tani po shihet në Shqipëri, me vetingun e avancuar të gjykatësve dhe të prokurorëve, por edhe me kontrollin dhe me zbulimin e pasurive të paligjshme e korruptive te bizneset dhe elitare të politikës, se në ç’masë sistemi është i kapur nga monopolet. Pos luftimit të korrupsionit dhe ndjekjes penale të abuzuesve me pushtetin, Shqipërisë i duhet edhe reforma e sistemit zgjedhor që do të pamundësonte manipulimet me votën. Tani edhe Kosova duhet të lëvizë në këtë drejtim, por në termat realë edhe këtu bëhet fjalë për beteja të vështira me strukturat që e kanë krijuar sistemin devijant të privilegjeve dhe shfrytëzojnë pushtetin për obstruksione të realizimit të qëllimit. Andaj kjo punë nuk mund të kryhet pa ndihmën e hetuesve dhe të këshilltarëve nga jashtë, sikurse në Shqipëri keni FBI amerikane dhe disa ndihmues të tjerë po i kryejnë hetuesitë delikate.

A vlen më mendimi shqiptar për të artikuluar interesat kombëtare?

Sigurisht që vlen, por jemi në momentet e kako-fonisë kur po bëhet zhurmë e madhe për interesin kombëtar, nga pozicionet që janë në të vërtetë interesa të grupeve të caktuara që po e “partizojnë” interesin kombëtar. Interesat partikulare po kacafyten si gjelat se cili duhet të jetë përcaktues dhe koka e interesit e, sipas mentalitet të trashëguar, kjo duhet të jetë edhe fjala e fundit dhe i vetmi artikulim interesi. Gjithsesi, interesat partikulare janë legjitime kur artikulohen qartë në veçantinë e tyre, por meqë ato janë konfrontuese, duhen pasur instrumente dhe procedura për harmonizimin të tyre, duke bërë kompromise që i përafrohen një interesi real dhe të përgjithshëm që pajton partikularitet në pikat vitale për kombin dhe shtetin. Për këtë, çdo parti serioze duhet ta ketë një listë çështjesh prioritare mbipartiake, ku interesi i shtetit dhe i shoqërisë është mbi interesat partikulare. Por te ne shpesh mungojnë ekspertizat e sakta të proceseve, nuk kemi makroplane të prioriteteve të zhvillimit, monopolet politike të çimentuara në sistem pengojnë zhvillimet e qëndrueshme. Shikoni p.sh. se si është penguar tregtia e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë nga bizneset e “padukshme” që mbrojnë favoret monopoliste në “tregun e tyre” në rastin e eks-porteve të patateve nga Kosova ose të domateve nga Shqipëria. Mendimi shqiptar që do të duhej të kujdesej për interesin kombëtar duhet të jetë mendim kritik dhe i pandikuar nga monopolet politike dhe, në esencë, mafioze.

Pse ka aq pak angazhim të intelektualëve, ku kultura shqiptare është një “etnitet” kompleks? Çfarë reflektoni në komunikimet tona?

Ky është një fushëveprim në ndërtim e sipër, por edhe pengohet dhe kontrollohet nga mujsharët politikë dhe ekonomikë. Shikoni vetëm kush i kontrollon mediu-met tradicionale dhe këto të sotmet, elektroniket. Nuk tregohen e gjitha sheshit, edhe pse do të duhej të ishte obligim ligjor publikimi në impresumin e mediave, se kush janë pronarët dhe burimet e financimit të tyre. Intelektualët janë të heshtur, jo të gjithë kuptohet, sepse hapësirat për kritikë janë monopolizuar, ose lejo-het vetëm në aspektin e kritikës së klientalizuar dhe të politizuar, ku e ke të vështirë të mbijetosh nëse je sadopak i paanshëm ose neutral në mendime. Nga ana tjetër, kemi instrumentalizimet e kulturës ku shumë prodhues të saj, meqë buxhetet për kulturë janë të kufizuara, duhet të sillen si gladiatorët që luftojnë njëri-tjetrin për mbijetesë, duke kërkuar privilegjet nga zotat e politikës, e që këto privilegji ua japin si një lloj mëshirë.

Megjithatë, ekziston edhe mendimi i pavarur dhe kritik që kryen punën e vet me nder dhe pa kërkuar privilegje. Në dy vendet tona kemi kulturën e pavarur, që nuk kërkon lëmoshë nga shteti e që shpesh është shumë më e suksesshme se kultura që e buxheton shteti. Problem me buxhetimin është se ai administrohet nga burokratët në Ministri dhe jo këshillat e pavarur të kulturës që nuk janë pjesë e qeverisjes, siç bëhet kjo në vendet demokratike, ku shpesh as nuk ka Ministri të Kulturës. Segmentet e shoqërisë mund dhe duhet të vetëqeverisen. Në Kosovë vetëm kinematografia e ka këshillin e vet të pavarur që vendos për projekte që financohen me paranë publike, që po funksionon për së mbari dhe ka dhënë rezultate. Kurse Teatrit Kom-bëtar dhe Galerisë së Arteve nuk u lejohet që të kenë fitime nga shitja e biletave ose shitja e katalogëve dhe posterave etj., por këto fitime i dorëzojnë mbrapsht te Ministria dhe këto institucione pastaj duhet të bëjnë kërkesë që Ministria t’u blejë edhe letër tualeti.

Çfarë e ndryshon sot një komb?

Kombi sot duket si një kategori e vjetër identitare, pasi jetojmë në një kohë të globalizimit të shpejtë, ku ndikohemi dhe bëhemi pjesë e identiteteve më komplekse seç është përkatësia kombëtare, të qenët shqiptar, amerikan apo eskim. Mbrojtësit e identitetit kombëtar klasik sot janë të tmerruar nga procesi që ata e perceptojnë si triumf të kozmopolitizmit, se po bëhemi qytetarë të botës dhe të hapur për “vlera të huaja” dhe jo ato tradicionale tonat. Çështja është se si konceptohet identiteti, a është dominuese logjika e kopesë, ku individi duhet të jetë lojal i kombit të vet, gjuhës, kulturës, traditës etj., ndërkaq që identiteti i ri planetar, nëse mund të përgjithësohet kështu, kërkon individin e pavarur që nuk e zgjedh statusin e deles në një kope, por bën zgjedhje të lirë, p.sh. parapëlqen që të jetojë në ndonjë kulturë tjetër, duke mos shkëputur lidhjet me vatanin, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Kultura është e gjallë kur është komunikuese dhe kapërcen kufijtë…

Keni qenë nismëtari kryesor i ekspozitës “Përtej”  vitin 1997ndërsa vitin që kaloi juve nuk ju lejua hyrja në Serbi për të promovuar botimin mbi përvjetorin e njëzetë të saj. Mediat reaguan se për këtë veprim nuk kishte asnjë justifikim. Ç’ishte kjo histori, ngulmim për ta prezantuar skenën artistike të Kosovës në një platformë ndërkombëtare të arteve?

Ndalesa ka qenë pjesë e krizës së dialogut Kosovë-Serbi dhe kthimit të politikave primitive hakmarrëse. Ekspozita “Përtej” titullin e ka pasur në gjuhën shqipe, është organizuar në Beograd më 1997, pra pak para fillimit të luftës. Ka qenë ndërmarrje e guximshme për ato rrethana të shkohet në oborrin e armikut me ekspozitën që ishte kritike ndaj politikave raciste antishqiptare dhe njëkohësisht, afirmonte artin bashkëkohor kosovar pa komplekse e si të barabartë dhe kishte vlera komunikuese me skenën alternative të Beogradit, edhe ajo kundërshtare e regjimit të Millosheviçit. Ekspozita ishte organizuar në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, që edhe sot e kësaj dite është kult vendi ku flet Serbia normale nga pozitat antifashiste, sepse kjo që bënte Millosheviçi dhe që bëjnë sot vegjëlia e tij e dikurshme është një lloj fashizmi. Sokol Beqiri, që aktualisht e ka ekspozitën në Galerinë e Arteve në Tiranë, me “Përtej”-in është afirmuar ndërkombëtarisht dhe në vitin 2017 mori pjesë në ekspozitën “Dokumenta 14” në Kasel dhe Athinë, mbase ekspozitën e artit bashkëkohor që sjell arritjet kulminante në artin botëror.

Ndjesia e ekzistimit është rraskapitëse, ndërmarrë prej jush përmes akteve kulturore, – kam parasysh pengesat politike e administrative. Çfarë rreziku mbartin?

Shikoni, unë e kam konceptuar dhe kuruar ekspozitën “Përtej” në kuadër të investimeve kulturore të fondacionit “Soros”, duke ua lënë artistëve që të zgjedhin vendin ku do të mbahej ajo. Opsionet kanë qenë Budva ose Subotica, si vende më pak “problematike” se Beogradi, ku sundonte Millosheviçi me politikat diskriminuese, dhunë dhe poshtërime ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por artistët thanë jo, nuk duam të prezantohemi skutave të shtetit represiv, por duhet të shkojmë në Beograd, pasi është publiku që mund ta vlerësojë artin tonë dhe janë dashamirës ndaj kulturës së lirë dhe përkrahës të lirisë dhe dinjitetit të shqiptarëve. Ata janë pakicë në Serbi, por e meritojnë që të komunikojmë me ta, sepse mund të fillohet normalizimi i raporteve fqinjësore. Dhe nuk ka qenë e papritur pse ekspozitën e sulmuan njëkohësisht ekstremët në Serbi dhe në Kosovë, sepse nuk kishin sens për idenë e fqinjësisë së mirë e as për rëndësinë e rezistencës së kulturës ndaj politikave shfarosëse.

Ju jeni shprehur se nuk mund të ketë një dialog politik pa dialog kulturor? Pse keni këtë mendim gati të pabesueshëm, kur çdo ditë politika po e humb kuptimin e kulturës?

Mendoni se politika e humb kuptimin e kulturës? Është e kundërta, kultura e trazon fort kuptimin e politikës, nëse ajo është anticivilizuese dhe antikulturore.

Mendoj se Kosova ka sfida të dyfishta kur flasim për marrëdhënien kulturore për t’u afruar me Serbinë dhe ridimensionimin shqiptar, integritetin tonë të brendshëm, që nënkupton “shkrirjen” kulturore me Shqipërinë. Si mundet një shtet i vogël, për më tepër i ri, ta mbajë gjithë këtë barrë? Çfarë është kjo përpjekje për ju që e jetoni këtë kohë?

Kultura e hapur nuk ka frikë nga sfidat dhe prezantimi kudo që është e mirëpritur dhe ku ajo kup-tohet si vlerë. Por tani është e kuptueshme pse Kosova dhe Shqipëria duhet të kultivojnë lidhje shumë më të afërta seç janë sot. Në raportet Kosovë-Shqipëri nuk më duket e drejtë të flitet për “shkrirje” nëse me këtë nënkuptohet që Kosova duhet t’i nënshtrohet Shqipërisë, ose që Tirana ta sundojë Prishtinën. Kurse, sfida me Serbinë është ajo e tejkalimit të armiqësive dhe luftimi i paragjykimeve përmes respektimit të ndërsjellë.

A besoni se njihemi mirë mes vetes? Sa kuptohemi dhe sa duam të merremi vesh?

Nuk do t’i përgjithësoja këto nocione, si Ne dhe Ju, sepse janë relative. Ka fusha ku njihemi mjaft mirë, p.sh. muzika, sidomos ajo popullore, deri-diku letërsia, artet pamore, teatri… Po ka edhe zbrazëtira, sepse jemi shtete të varfra dhe nuk ka mjete që teatri i Korçës të bëjë turne në Kosovë, nuk e bën këtë as në Shqipëri, sikundër as teatri i Gjakovës nuk bën turne nëpër Shqipëri e as në Kosovë. Kjo është diçka në ardhje dhe që po zhvillohet. Prandaj janë me rëndësi të gjitha bashkëpunimet, edhe ato politike dhe ekonomike, edhe kontaktet kulturore të shpeshtuara jashtë kornizës së “kalendarit kulturor” të dy ministrive…

Sa përgjegjëse janë elitat kulturore, artistët, për të pasur më shumë impaktpërmes mediumeve, qoftë  teatërkulturë apo në punime akademike?

Një pjesë e elitës e ka kuptuar rëndësinë e hapë-sirës kulturore, sepse shkrimtarët kanë më shumë lexues dhe prezantime në panaire, së fundi edhe me rezidenca ku mund të krijojnë në qetësi, artistët kanë më shumë hapësirë për ekspozita, muzikantët për koncerte, aktorët dhe regjisorët për shfaqje etj. Mirëpo, është befasuese indolenca e mediave, sepse edhe ato me ambicie gjithëkombëtare dhe me ndikim nuk kanë korrespodentë të përhershëm dhe të kualifikuar për projekte kulturore, por mjaftohen me kopjime të informatave nga interneti nga mediumet e Tiranës, Prishtinës, Shkodrës etj.

Pas kësaj përvoje, a vazhdoni të jeni me mendimin se dialogu është beteja juaj intelektuale?

Që nga fundi i viteve ’80 dhe deri vonë kam qenë nismëtar ose i përfshirë në shumë projekte të dialogut për gjetjen e zgjidhjeve politike për Kosovën, por edhe në dialogun kulturor në relacionet me serbët dhe fqinjët e tjerë në rajon. Së shpejti mbush 72 vjeç dhe nuk jam më mobil si më parë, por kam të rinj që e vazhdojnë punën e ndërtimit të urave të fqinjësisë së mirë, duke e kuptuar rëndësinë e dialogut dhe kontakteve si kontribute të domosdoshme për arritjen e pajtimit politik dhe historik, për të cilin po punojnë politikanët, jo çdo herë me sukses.

Keni një përvojë politike, konkrete,  Shqipëri, shpesh jeni përfshirë në polemika, ku zëri juaj ka ndezur debate. A ka qenë vërtet polemikë, ka mjaft keqkuptime në qarqet tona kjo fjalë…

Angazhimi im në politikë ka qenë prej këshilltari për rajon i kryeministrit Rama në mandatin e parë të tij, 2013-2017. Kam qenë i përkushtuar vetëm në çështjet e rajonit, për rivendosjen e marrëdhënieve me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit. Gjatë qëndrimit në Tiranë nuk jam përfshirë pothuajse aspak në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Në të vërtetë, kam bashkëpunuar me disa galeri dhe artistë me punën që e bëj shpesh në Kosovë, duke bërë shkrime për katalogë të ekspozitave dhe të autorëve nga Shqipëria, e kjo disave nuk u pëlqente. Me herët, në vitet ’90, kam pasur polemika me Aurel Plasarin rreth disa paragjykimeve të tijat të fatalitetit historik që i ndan shqiptarët me të ashtuquajturën Vija e Theodosit, kurse në vitin 2010 me Fatos Lubonjën polemizova rreth nocionit kombi shqiptar,që ai e kuptonte të barasvlershëm me nation në anglisht, për të konkluduar pastaj që në kombin shqiptar bëjnë pjesë vetëm shtetasit e Shqipërisë dhe nuk mund të quhen të kombësisë shqiptare shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Ai argumentonte se ekzistojnë kombi kosovar dhe kombi maqedonas (tani do të duhej të riemërohej në komb veriomaqedonas), ndërkaq që ky interpretim nuk tingëllon fare korrekt për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Unë argumentoja se nocioni komb prej kohësh emërton përkatësinë kombëtare shqiptare që dallon nga shtetësia, pra ne shqiptarët në Kosovë jemi shtetas të Kosovës, ku përfshihen edhe pakicat e tjera, kurse kombëtarisht deklarohemi si shqiptarë dhe kjo është te ne, si dhe në Maqedoni, kategori kushtetuese. Kosova dhe Maqedonia me shekuj kanë luftuar për të drejtat kombëtare shqiptare. Por kjo ka qenë një polemikë sqaruese, jo me sherre. Sigurisht, ka pasur edhe kritika keqdashëse dhe me insinuata të ulëta për vendimin e Ramës që të bëhem këshilltar i tij, të cilave nuk u jam përgjigjur, pos Plasarit ku vetëm e pata ribotuar polemikën e mëparshme.

Në raport me politikën, ku flitet për skenar të Shqipërisë së Madhe, kulturaç’gjendje mëton, edhe pse jemi në një gjuhë?

Nga sfera e kulturës zakonisht janë iniciuar dhe promovuar, jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe te vendet e rajonit dhe më gjerë, siç e cilësuat ju, projektet irredentiste politike për krijimin e “shteteve të mëdha”. Te ne disa e quajnë Shqipëri etnike, sepse “e madhe” ka konotacione negative, duke supozuar se me këto projekte do të dëmtohen kombet e tjera, sepse rajoni është gjithandej me popullsi të përziera. Mendoj se shumica e shqiptarëve kanë mundur të krijojnë një shtet të përbashkët atëherë kur janë shkatërruar dy perandoritë, osmane dhe austro-hungareze, por fatkeqësisht kjo ka ndodhur edhe për shkak se ndër shqiptarët mungonin kohezioni dhe strukturat organizative më moderne, përderisa kemi qenë me shekuj ndër osmanët. Si popull i vonuar dhe me shumicë myslimane, nuk kishim as aleatë të fuqishëm në krahasim me shtetet dhe kombet fqinje, të cilët më herët kishin krijuar shtete, vetëdije e kohezion kombëtar, paçka edhe aleanca me fuqitë europiane të kohës. Megjithatë, sot jemi të rreshtuar shumë më mirë nën ombrellën e NATO-s, pasi vendet të banuara me shqiptarë në rajon janë bërë anëtare të aleancës perëndimore për siguri (Shqipëria, Mali i Zi, së shpejti edhe Maqedonia), kurse Kosova nuk është anëtare, por e ka brenda NATO-n si forcë sigurie dhe garantuese e kufijve të saj. Andaj s’ka nevojë për kushtrime të nxituara bashkimi kombëtar, por duhet të kujdesemi që jemi faktor stabiliteti, duke e fuqizuar aleancën me Perëndimin dhe njëkohësisht, duke relaksuar dhe hequr ndasitë dhe barrierat e brendshme për zhvillim të gjithmbarshëm të kombit. /exlibris.al

Të fundit