E martë, 9 Gusht, 2022

VIDEO / XHELAL NEZIRI: KJO GARNITURË QEVERITARE NUK DI TË MENAXHOJË ME INSTITUCIONE, RIKONSTRUKTIMI NUK DO TË SJELLË ASNJË NDRYSHIM POZITIV

Kryeministri Zoran Zaev sot nga Vallandova i bëri me dije ministrat e ri të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Zaev paralajmëroi se në propozimin që do të dorëzojë deri në Kuvend parashihet që ai do të drejtojë edhe me ministrinë e financave.

Ai konfirmoi ndryshimet në riformatimin e Qeverisë, duke njoftuar se personalisht do të ushtrojë funksionin e Ministrit të Financave dhe se Ministri i deritanishëm Tevdkovski do të vazhdojë të punojë si këshilltarë i tij në po të njëjtën ministri. Për ministër të Bujqësisë do të propozohet Trajan Dimkovski, për ministër të Kulturës Hysni Ismaili, për Ambient Jetësor Naser Nuredini, për Vetëqeverisje lokale Goran Milevski dhe ministër për sistem politik Sadulla Duraku, ndërkaq, janë shkarkuar Hazbi Lika dhe Zoran Shapuriq. Ai tha se vetë do të udhëheqë Ministrinë e Financave.

Duke komentuar përbërjen e re të propozuar nga Kryeministri Zoran Zaev, një intervistë për televizionin Klan Maqedoni analisti Xhelal Neziri shprehet pestimist se do të ketë ndonjë ndryshim nga përbërja e kaluar.

Neziri thotë se nuk pritet ndonjë ndryshim i madh me këtë riformatim, në kuptimin e menaxhimit të institucioneve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkaku i luftës së brendshme që ndodh mes partnerëve të koalicionit. Ai shton se me këto rrethana, është vështirë që kjo qeveri të japë rezultate konkrete, në kuptimin e mbushjes së objektivave dhe premtimeve të dhëna në zgjedhjet parlamentare të 2016-tës.

Përveç pjesës së politikës së jashme që nënkupton formalizimin e anëtarësimit në NATO, fillimin e negociatave me BE-në, implementimin e reformave në sistemin gjyqësor dhe në administratë, Neziri thotë se sfidat reale për qeverinë e Zaevit do të jenë të gjitha sferat e prekshme për qytetarët, si rroga, infrastruktura, standardi më i lartë.

Në dy vitet e fundit, thotë Neziri, në Maqedoni ka pasur mungesë në investime kapitale, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, kaos në menaxhimin institucional, mosfunksionim i rendit dhe shtetit të së drejtës, ashtu siç ishte premtuar, të gjitha këto tema të prekshme për qytetarët, shton Neziti, krijojnë mllef tek ata dhe ai mllef kthehet si përgjigje në zgjedhje, që ishte edhe rasti i zgjedhjeve të fundit, sidomos për partinë e kryeministrit Zaev.

Pritet që Zoran Zaev sot në parlament do të propozojë emrat e ministrave, propozim i cili pritet të miratohet javën e ardhshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Pas rikonstruktimit të qeverisë, kryeministri Zaev njoftoi që do të vazhdojë me ndryshime edhe në nivelin e dytë dhe tretë qeverisës, duke përfshirë drejtorët dhe anëtarët e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrësit në ndërmarrjet publike.

Në lidhje me ndryshimet që do të bëhen brenda në LSDM, Zaev informoi që kanë ngelur për tu caktuar edhe nënkryetarët e partisë dhe 20 kryetarët e degëve komunale në parti. Zaev deklaroi se deri në fund të muajit, LSDM do t’i marrë vendimet për zgjedhjen e nënkryetarëve në parti dhe një pjese të vogël të kryetarëve të degëve komunale.

Të fundit