Protestë e studentëve në disa qytete të Shqipërisë (video)

Në Shqipëri studentët e Universiteteve publike të Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit dhe ata të Fakultetit Juridik të Shkodrës bojkotuan sot mësimin në shenjë proteste ndaj tarifave të vendosura për lëndët e prapambetura, njofton Zëri i Amerikës.
Studentët vazhdojnë qëndresën deri në realizimin e plotë të kërkesave!#PlotësoniKërkesat
Gepostet von Për Universitetin am Donnerstag, 6. Dezember 2018
Në kryeqytet, studentët marshuan në rrugët kryesore të Tiranës për t’u mbledhur përpara ministrisë së Arsimit, duke kërkuar që të anullohet Vendimi i Këshillit të Ministrave për tarifat shtesë për kreditet në lëndët e mbartura, të cilat parashikojnë një vlerë prej 670 lekësh për çdo kredit.
Vazhdon protesta!#Tërhiqu
Gepostet von Për Universitetin am Donnerstag, 6. Dezember 2018
Kjo është dita e dytë e protestës, e cila sot përfshiu një numër më të madh studentësh. Ministria e Arsimit Lindita Nikolla sqaroi dje se Vendimi i Qeverisë i majit të 2018, do të aplikohet vitin e ardhshëm, dhe se ai është marrë në bazë të kërkesës së vetë universiteteve, për të demotivuar mbartjen e lëndëve. Ajo është shprehur se koha është e mjaftueshme për ta disktuar këtë çështje, duke qenë se bëhet fjalë për vitin e ardhshëm dhe se nëse universitetet do dëshironin që kjo të mbetej një tagër vetëm i tyre, qeveria është e gatshme ta rishikojë. Ndërsa kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Twitter bëri të ditur se ministrja Nikolla u ka sugjeruar universiteteve të konsiderojnë rishikimin e Vendimit të Qeverisë.
Nuk munden të dalin të gjithë në fotografi. Janë me mijëra studentët që po protestojnë.Bashkohuni!#AnulloVendimin
Gepostet von Për Universitetin am Donnerstag, 6. Dezember 2018
Përveç heqjes së tarifës për lëndët e mbartura, studentët kërkojnë dhe “përgjysmim të tarifës së studimit, përmirësim të kushteve të konvikteve si dhe përfaqësimin e tyre me një anëtar në Bordet e administrimit të fakulteteve.
Për situatën e krijuar ka folur dhe presidenti Ilir Meta, i cili “u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve pergjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë public”, theksohet në deklaratën e Kreut të Shtetit, sipas të cilit “duhen bërë më shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht mundësive të tyre financiare. Rinia – shprehet presidenti Meta – është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetesimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve”.